Një studim i ri zbulon se ChatGPT Health nuk dallon gjithmonë kur përdoruesit kanë nevojë për kujdes emergjent.
Më shumë se 230 milion njerëz në javë pyesin ChatGPT për këshilla mjekësore, nga kontrolli i sigurisë së ushqimeve, menaxhimi i alergjive, deri tek gjetja e mënyrave për të lehtësuar një ftohje, sipas OpenAI. Megjithëse modeli funksionon mirë për raste të qarta dhe të njohura, ChatGPT Health nuk rekomandoi kujdes emergjent në më shumë se gjysmën e rasteve serioze, sipas studimit të publikuar në revistën Nature. “Pyetja kryesore ishte: nëse dikush përjeton një emergjencë mjekësore reale dhe përdor ChatGPT Health për ndihmë, a do t’i rekomandojë qartë të shkojnë në urgjencë?” tha Ashwin Ramaswamy, autori kryesor i studimit në Mount Sinai, New York. Studimi përfshiu 60 skenarë klinikë të strukturuar në 21 specialitete mjekësore, nga kushte të vogla që mund të trajtohen në shtëpi deri te emergjencat reale. Tre mjekë të pavarur vlerësuan nivelin e urgjencës për çdo rast sipas udhëzimeve të 56 shoqatave mjekësore.
Rreziqet në rastet jo të qarta
ChatGPT Health funksionoi mirë në emergjencat tipike, si goditjet në tru apo reaksionet alergjike të rënda, por kishte vështirësi kur rreziku nuk ishte menjëherë i dukshëm. Për shembull, në një rast me astmë, modeli identifikoi shenjat e hershme të dështimit të frymëmarrjes, por ende sugjeroi pritjen dhe jo kërkimin e trajtimit emergjent.
Rreziqet për përdoruesit me ide vetëvrasëse
Studimi analizoi gjithashtu reagimet e ChatGPT Health ndaj përdoruesve që raportuan dëshira për vetëvrasje ose vetëdëmtime. Banneri “Ndihma është e disponueshme”, që lidhet me linjën e ndihmës për krizë, u shfaq në mënyrë jo të qëndrueshme. Modelet shpesh reaguan më mirë kur përdoruesi nuk kishte identifikuar një mënyrë për vetëdëmtim, por më dobët kur e kishte.
Edhe pse studimi evidentoi kufizimet, autorët nuk sugjeruan të braktiset përdorimi i AI-së në shëndetësi. Ata këshillojnë që përdoruesit me simptoma serioze, përfshirë dhimbje në kraharor, vështirësi në frymëmarrje, reaksione alergjike të rënda ose ndryshime në gjendjen mendore, duhet të kërkojnë kujdes mjekësor direkt.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto