A po vijnë syzet inteligjente Prada me Meta AI? - Business Magazine Albania

A po vijnë syzet inteligjente Prada me Meta AI?

A po përgatitet Meta të lançojë një version Prada të syzeve të saj inteligjente me AI? Spekulimet janë shtuar pasi Mark Zuckerberg dhe bashkëshortja e tij, Priscilla Chan, u panë në rreshtin e parë të sfilatës së koleksionit Fall/Winter 2026 të Prada gjatë Javës së Modës në Milano.

Zuckerberg u fotografua duke biseduar me Lorenzo Bertelli, drejtorin e merchandising-ut të Prada-s dhe djalin e stilistes legjendare Miuccia Prada. Prania e tij në këtë event ngriti menjëherë pikëpyetje: a ishte aty për modën, apo për biznes? Sipas raportimeve të mëparshme të CNBC, syzet Prada me AI janë në zhvillim e sipër, por Meta ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar për një bashkëpunim të tillë. Kompania nuk ka komentuar as mbi arsyen e pranisë së Zuckerberg në Milano.

Nga Ray-Ban tek moda e luksit

Meta ka ndërtuar tashmë një partneritet të suksesshëm me gjigantin franko-italian të syzeve EssilorLuxottica, kompania që prodhon markat Ray-Ban dhe Oakley. Që nga debutimi i tyre si Ray-Ban Stories, këto syze inteligjente kanë njohur rritje të ndjeshme. Vetëm gjatë vitit 2025, janë shitur mbi 7 milionë njësi, një rritje e fortë krahasuar me 2 milionë në vitin paraardhës. Modelet Ray-Ban Meta synojnë publikun urban, ndërsa Oakley Meta janë të orientuara drejt sportistëve dhe stilit aktiv. Tani duket se hapi i radhës mund të jetë hyrja në segmentin e modës së lartë. Prada dhe EssilorLuxottica kanë rinovuar marrëveshjen e licencimit për prodhimin e syzeve nën markat Prada dhe Miu Miu për 10 vitet e ardhshme, me mundësi zgjatjeje deri në vitin 2035. Kjo e bën bashkëpunimin me Meta-n jo vetëm të mundshëm, por edhe strategjik.

Lexo edhe:Një mjet i ri AI ju ndihmon të bini dakord…edhe me dikë që nuk duroni

Një simbol luksi me inteligjencë artificiale?

Nëse realizohet, një linjë syzesh Prada me Meta AI do t’i jepte Meta-s hyrjen e parë serioze në tregun e luksit. Deri tani, produktet e saj janë perceptuar si “tech gadgets” me stil, por jo domosdoshmërisht si aksesorë të modës së lartë. Transformimi i syzeve inteligjente në një simbol luksi mund të ndryshojë mënyrën si perceptohet teknologjia e veshshme. Një bashkëpunim me Prada do ta zhvendoste produktin nga zona e “geek-ut modern” drejt elitës së modës globale.

Por a është koha e duhur?

Megjithatë, ky zhvillim vjen në një moment delikat. Në disa vende po rritet skepticizmi ndaj pajisjeve që perceptohen si mjete survejimi. Debati është shtuar sidomos pas raportimeve të The New York Times mbi mundësinë që Meta të integrojë funksione të njohjes së fytyrës në syzet e saj. Kjo ka ngjallur reagime kritike dhe shqetësime për privatësinë. Madje, një zhvillues ka krijuar një aplikacion që paralajmëron përdoruesit nëse dikush pranë tyre mban syze AI aktive. Në këtë klimë, Meta duhet të balancojë mes inovacionit teknologjik dhe ndjeshmërisë publike për privatësinë.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0