Anthropic në konflikt me Pentagonin, SHBA kërkon AI të pakufizuar për përdorim ushtarak - Business Magazine Albania

Anthropic në konflikt me Pentagonin, SHBA kërkon AI të pakufizuar për përdorim ushtarak

Kompania e Inteligjencës Artificiale Anthropic dhe Pentagoni  ndodhen në një situatë të tensionuar mbi përdorimin e teknologjisë AI për nevoja ushtarake. Qeveria amerikane kërcënon të ndërpresë kontratat ushtarake me Anthropic nëse kompania nuk ofron teknologjinë e saj për përdorim të pakufizuar ushtarak.

Anthropic është krijuesi i chatbot-it Claude dhe është kompania e fundit mes liderëve të AI-së që nuk ka integruar teknologjinë e saj në një rrjet të brendshëm të Pentagonit. CEO i kompanisë, Dario Amodei, ka shprehur vazhdimisht shqetësimet etike lidhur me përdorimin e pakontrolluar të AI-së, duke përfshirë rreziqet e dronëve autonomë të armatosur dhe mbikëqyrjen masive të asistuar nga AI që mund të ndjekë disidentët.

Anthropic kishte fituar një kontratë prej 200 milionë dollarësh nga Departamenti i Mbrojtjes në korrik 2025 për të “prototipizuar kapacitete të avancuara AI që përparojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së.” Për më tepër, kompania kishte bashkëpunuar me Palantir Technologies në 2024 për të integruar Claude në softuerin e inteligjencës amerikane.

Megjithatë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, sipas raportimeve, paralajmëroi se do ta ndërpresë kontratën dhe do ta etiketojë Anthropic si “rrezik për zinxhirin e furnizimit” nëse kompania nuk pranon kërkesat e Pentagonit. Një vendim i tillë do të mundësonte qeverisë amerikane të përjashtojë Anthropic nga kontratat e ardhshme, të largojë produktet e saj nga konsiderimi dhe të detyrojë kontraktorët kryesorë të mos përdorin këtë furnizues.

Hegseth gjithashtu kërcënoi përdorimin e Defense Production Act, një ligj që i jep Presidentit të SHBA-së autoritet të gjerë për të kërkuar nga kompanitë private prioritet për nevojat e sigurisë kombëtare, përfshirë aksesin në teknologjinë e tyre.

Lexo edhe: Nga Spanja tek Gjermania, Evropa vendos rregulla për mbrojtjen e fëmijëve nga rrjetet sociale

Anthropic rishikon politikat e sigurisë

Anthropic ka qenë prej themelimit të saj në VITIN 2021 një nga kompanitë më të përqendruara tek siguria dhe përgjegjësia në zhvillimin e AI-së. Megjithatë, së fundmi kompania lajmëroi një ndryshim në politikat e saj të sigurisë.

Në një intervistë për Time Magazine, kompania deklaroi se nuk do të përmbahet më në premtimin për të mos lëshuar një sistem AI pa garantuar plotësisht masat e sigurisë. Në vend të tij, Anthropic prezantoi një politikë të re të zhvillimit të përgjegjshëm, duke përshkruar kornizën për minimizimin e rreziqeve katastrofike të AI-së.

Siç tha Jared Kaplan, shef shkencor i Anthropic, ndalimi i trajnimit të modeleve të reja për shkak të masave të sigurisë do ta LINTE kompaninë pas konkurrentëve që zhvillonin sisteme pa kufizime të forta. Politika e re parashikon krijimin e udhëzimeve ambicioze për sigurinë dhe publikimin e raporteve mbi rreziqet e pritura për çdo model, duke treguar nëse lëshimi i tij është i justifikuar.

Ky konflikt reflekton tensionin midis inovacionit në AI dhe përdorimit të saj në fushën ushtarake, duke ngritur pyetje të mëdha etike dhe strategjike për industrinë dhe qeveritë që kërkojnë kontroll mbi teknologjitë më të avancuara.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0