Platforma e inteligjencës artificiale Gemini nga Google tashmë ka një aftësi të re: krijimin e këngëve 30-sekondëshe bazuar në përshkrime të përdoruesve. Për këtë funksion, Gemini përdor modelin më të fundit të muzikës gjeneruese, Lyria 3, i zhvilluar nga Google DeepMind.
Funksioni i ri po lançohet në versionin beta në aplikacionin Gemini dhe është i disponueshëm në disa gjuhë, përfshirë anglisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht, hindisht, japonisht, koreanisht dhe portugalisht. Të gjithë përdoruesit mbi 18 vjeç mund ta përdorin, por abonentët e planeve Google AI Plus, Pro dhe Ultra do të kenë kufij më të lartë përdorimi.
Përdorimi është i thjeshtë: mjafton të përshkruani një ide, një humor, një zhanër apo edhe një kujtim specifik. Madje mund të ngarkoni një foto ose video, që Gemini të frymëzohet prej saj. Tekstet e këngëve dhe muzika gjenerohen automatikisht, ndërsa arti i kopertinës krijohet nga mjeti Nano Banana.
Lexo gjithashtu: Falë një zbulimi të fundit, mund të marrë fund paraliza tek njerëzit
Google thekson se qëllimi nuk është të krijohen “kryevepra muzikore”, por t’u jepet përdoruesve një mënyrë kreative dhe argëtuese për t’u shprehur dhe për të ndarë krijimet me miqtë. Këngët mund të jenë me tekst ose instrumentale, në varësi të kërkesës së përdoruesit.
Për të garantuar transparencën, përmbajtja e gjeneruar është e integruar me SynthID, teknologjia e padukshme e Google që identifikon përmbajtjen e krijuar nga AI. Kompania thekson gjithashtu se sistemi është projektuar për krijim origjinal dhe jo për imitimin e artistëve ekzistues. Nëse përmendet një artist, Gemini e merr si frymëzim të përgjithshëm stilistik dhe jo si kopjim të drejtpërdrejtë.
Me këtë hap, Google hyn edhe më thellë në fushën e krijimtarisë digjitale, duke e bërë inteligjencën artificiale jo vetëm një mjet produktiviteti, por edhe një partner kreativ në muzikë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto