Ndryshimet klimatike nuk janë më një rrezik i së ardhmes për Ballkanin Perëndimor. Ato janë tashmë pjesë e përditshmërisë sonë. Përmbytje të shpeshta, valë të gjata të të nxehtit, thatësira, zjarre dhe rrëshqitje dherash kanë prekur vitet e fundit mijëra qytetarë, bujqësinë, infrastrukturën dhe ekonominë e vendeve të rajonit, duke sjellë humbje të konsiderueshme dhe presion të shtuar mbi institucionet publike dhe sistemet e emergjencës.
Në këtë kontekst, Tirana do të kthehet më 5–7 maj 2026 në qendrën e dialogut rajonal për klimën, duke pritur konferencën e nivelit të lartë “United for Climate – Regional Cooperation for a Resilient Future”. Eventi organizohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë dhe GIZ, në kuadër të Partneritetit Rajonal për Klimën mes Gjermanisë dhe Ballkanit Perëndimor, me mbështetje nga aktorë ndërkombëtarë të financimit klimatik.
Konferenca synon të shkojë përtej diskutimeve teorike dhe të sjellë tryezë aktorët kryesorë të rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të kthyer angazhimet politike në veprime konkrete dhe projekte të zbatueshme. Ministrat e mjedisit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të Bashkimit Europian, institucione financiare të klimës si Green Climate Fund, si edhe organizata ndërkombëtare të zhvillimit, do të diskutojnë se si mund të ndërtohet një qasje e përbashkët për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe për rritjen e rezistencës së rajonit ndaj rreziqeve natyrore.
Një nga mesazhet kyçe të konferencës është se ndikimet e klimës nuk ndalen në kufijtë shtetërorë. Lumenjtë, ekosistemet, korridoret ekonomike dhe rreziqet natyrore janë të përbashkëta për vendet e rajonit, ndaj edhe përgjigjet duhet të jenë të koordinuara. Në këtë frymë, konferenca do të fokusohet te forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar, përdorimi më i mirë i të dhënave klimatike dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm, si dhe mobilizimi i financimeve për projekte konkrete përshtatjeje.
Agjenda e eventit parashikon panele të nivelit të lartë mbi financimin klimatik në Ballkanin Perëndimor, rolin e të dhënave shkencore në hartimin e politikave, si dhe sesione të dedikuara për sektorë konkretë si bujqësia, zhvillimi urban dhe mobiliteti urban. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rolit të pushtetit vendor, sektorit privat dhe inovacionit, përfshirë përdorimin e teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Përmes “United for Climate”, Ballkani Perëndimor synon të pozicionohet si një partner i besueshëm dhe koherent në axhendën europiane dhe globale për klimën. Konferenca shihet si një mundësi për të treguar se rajoni jo vetëm po përballet me sfida të përbashkëta, por është gjithashtu i gatshëm të ndërtojë zgjidhje të përbashkëta, të mbështetura në bashkëpunim, solidaritet dhe vizion afatgjatë.
Në një kohë kur pasojat e klimës po bëhen gjithnjë e më të dukshme në jetën e përditshme të qytetarëve, ky event në Tiranë pritet të shërbejë si një pikë kthese për mënyrën se si Ballkani Perëndimor planifikon të përballet me të ardhmen klimatike – jo i ndarë në vende të vogla përballë rreziqeve të mëdha, por si një rajon që flet me një zë të përbashkët dhe vepron në mënyrë të koordinuar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto