Ka ditë kur zgjohesh i rraskapitur, edhe pse ke fjetur orë të plota. Nuk ke bërë aktivitet fizik të lodhshëm, nuk ke kaluar një ditë të vështirë, por energjia duket se të ka braktisur. Sipas ekspertëve, arsyeja nuk qëndron tek trupi, por tek lodhja mendore, një fenomen gjithnjë e më i përhapur në jetën moderne.
Truri ynë është vazhdimisht aktiv. Ai përballet me bombardimin e vazhdueshëm të njoftimeve, mesazheve, planeve dhe pritshmërive personale. Edhe kur pushon trupi, mendja nuk ndalon: analizon, gjykon, krahasohet dhe shqetësohet për detyra dhe mundësi të ardhshme.
“Në shumë raste, lodhja nuk lidhet me mungesën e gjumit, por me mungesën e qetësisë mendore. Njerëzit shpesh janë të lodhur sepse truri i tyre nuk ndalon së punuari, edhe kur ata vetë janë në pushim,” shpjegon psikologia Dr. Charlotte Armitage.
Presioni për të qenë gjithmonë më produktiv, më i suksesshëm dhe më i fortë emocionalisht është kthyer në normë. Madje edhe aktivitetet që supozohet të jenë relaksuese, si pushimi apo kohët e lirë, shpesh shoqërohen me ndjenja faji. Truri vazhdon të kërkojë, krahasojë dhe gjykojë, duke e bërë edhe momentin më të qetë të duket stresues.
Rrjetet sociale janë një tjetër burim i dukshëm i lodhjes mendore. Pamjet e jetëve të dukshme perfekte, arritjeve të vazhdueshme dhe njerëzve që “po ecin përpara” krijojnë ndjesinë se ne gjithmonë mbetemi pas. Ky krahasim i vazhdueshëm mund të jetë më lodhës sesa një ditë intensive pune.
Ekspertët sugjerojnë disa mënyra praktike për të lehtësuar lodhjen mendore:
Përqendrohuni te momenti i tanishëm
– Merrni pak minuta çdo ditë për të pushuar mendjen, pa telefon dhe pa detyra të tjera. Meditimi apo thjesht të rrini ulur dhe të merrni frymë thellë mund të bëjnë ndryshimin.
Vendosni kufij dixhitalë
– Shmangni njoftimet gjatë kohës së lirë dhe kufizoni kohën që kaloni në rrjetet sociale.
Pranoni se nuk është e domosdoshme të jeni gjithmonë në maksimum
– Pushimi nuk është luks, është nevojë. Tregoni mirëkuptim ndaj vetes dhe pranoni se momentet pa aktivitet nuk janë humbje kohe.
Angazhohuni në aktivitete relaksuese jashtë ekranit
– Një shëtitje në natyrë, leximi i një libri apo një hobi që ju pëlqen mund të ndihmojnë trurin të “çlirohet” nga stimuli i vazhdueshëm.
Psikologët theksojnë se lodhja mendore është një sinjal i qartë se duhet të ndaloni, të merrni frymë dhe të kujdeseni për mirëqenien tuaj emocionale. Pushimi i vërtetë nuk është thjesht të mos bësh asgjë, por të mos kërkosh asgjë nga vetja, të paktën për pak kohë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.