Fuçia dhe pushteti, beteja globale për naftën e Venezuelës - Business Magazine Albania

Fuçia dhe pushteti, beteja globale për naftën e Venezuelës

Rritja e prodhimit mund të vijë me kapital dhe akses, por historia e naftës në Venezuelë nuk ka qenë kurrë vetëm teknike. Sovraniteti, rrjedhat e të ardhurave dhe kontrolli mbi destinacionin e naftës janë po aq vendimtare sa rezervat dhe investimet.

Mënyra më e lehtë për ta keqkuptuar industrinë e naftës në Venezuelë është ta trajtosh si një histori standarde industrie të fokusuar vetëm te rezervat, platformat, investimet dhe volumi i prodhimit. Këto elemente janë të rëndësishme, por nuk kapin dot faktin se sa thellë është e qepur nafta në ADN-në politike të vendit.

Venezuela qëndron mbi disa nga rezervat më të mëdha të një burimi shumë të lakmuar globalisht, por për pjesën më të madhe të historisë, qytetarët e zakonshëm kanë përfituar pak nga kjo pasuri gjeologjike. Me rezervat të përqendruara kryesisht në Brezin e Orinokos dhe në rajonin më të vjetër e të shfrytëzuar rëndë të Liqenit Marakaibo, çdo qeveri e ka ndërtuar legjitimitetin e saj rreth një plani për naftën.

Pas ndërhyrjes së SHBA-së në fillim të janarit, që çoi në kapjen dhe largimin e Nicolás Maduro-s, e ardhmja e rezervave të naftës së Venezuelës  dhe domethënia e tyre për jetesën e qytetarëve është rikthyer si pika kryesore e përplasjes politike.

“Flitet shumë për të ardhmen e industrisë së naftës, por situata mbetet aq e pasigurt sa është e vështirë të thuhet me besim se ku po shkojnë gjërat,” shpjegon Tiziano Breda, analist i lartë për Amerikën Latine dhe Karaibet në projektin ACLED.

Kush i sheh përfitimet?

Në zyrat drejtuese nga Houstoni në Madrid, kjo pasiguri e re është kthyer në faktor kyç: ndikon nëse kompanitë e shërbimit mobilizojnë platformat, nëse siguruesit rishikojnë riskun në rrugët detare të Karaibeve dhe nëse rafineritë përshtaten për përzierje më të rënda, aty ku Venezuela, të paktën në letër, ka avantazh.

Breda paraqet dy skenarë kryesorë, më të mundshëm në afatin e shkurtër:

Skenari i parë parashikon që SHBA-ja të kontrollojë ose të ketë akses preferencial në platformat e naftës venezueliane, me kushte të favorshme për investim dhe mbajtje fitimesh. Në këtë rast, investimet amerikane do të sillnin përmirësime infrastrukturore dhe prodhimi; aktualisht rreth 800 mijë fuçi në ditë mund të niste të rritej.

Lexo edhe: Davos – Rendi i ri ekonomik, mision apo iluzion?

“Problemi është se kompanitë amerikane do të ishin përfitueset kryesore. Përfitimet për popullsinë venezueliane janë të paqarta ose të kufizuara,” thotë Breda.

Venezuela e ka parë naftën të kontrollohet nga aktorë të ndryshëm, por përfitimet rrallë kanë zbritur te shoqëria në tërësi.

Skenari i dytë do të ishte ruajtja e strukturave të pushtetit çavist, por pa Maduro-n. Kjo do të nënkuptonte një marrëdhënie të luhatshme me SHBA-në, duke synuar mbrojtjen e prodhimit kombëtar në vend të dhënies së licencave masive kompanive të huaja.

Barrierat për investimet

Francis Perrin, studiues i lartë në Institutin Francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Strategjike (IRIS), thekson se kompanitë ndërkombëtare të naftës do të duhej të investonin dhjetëra miliarda dollarë.

“Për këtë duhen tre kushte: siguri, stabilitet dhe përfitueshmëri, jo vetëm tani apo në muajt e ardhshëm, por në afat të gjatë,” thotë ai. “Sot është e pamundur të vlerësohet stabiliteti i ardhshëm i vendit; madje Departamenti Amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të largohen nga Venezuela.”

Kompanitë më të prirura për të investuar janë ato që tashmë janë në terren: Chevron, Repsol dhe Eni.

Nga nxjerrja te familjet

Nafta shpesh përmendet si e mirë publike automatike, por kjo vlen vetëm nëse të ardhurat kanalizohen në politika të dobishme. Ajo mund të ndërtojë spitale dhe shkolla, ose të financojë klientelizëm dhe aparate represive.

Kur Hugo Chávez erdhi në pushtet, ai nuk e shkatërroi industrinë: ruajti ekspertizën e huaj dhe përfitoi nga rritja e çmimeve në fillim të viteve 2000 për të financuar projektin e tij politik brenda dhe jashtë vendit. Maduro, sipas Breda-s, trashëgoi këtë model, por për të konsoliduar pushtetin e tij zëvendësoi kuadrot me përvojë me njerëz të përzgjedhur kryesisht për besnikëri. Kjo, e kombinuar me rënien e çmimeve pas vitit 2014 dhe sanksionet amerikane, krijoi “stuhinë perfekte”.

Megjithatë, edhe në pikën më të ulët, madhësia e industrisë i lejoi regjimit të mbante të kënaqura elitat ekonomike, politike dhe ushtarake. Sipas Breda-s, pikërisht këto elita kanë qenë ndër më të pakënaqurat me ndërhyrjen amerikane, sepse përfitonin nga status quo-ja.

Ndërkohë, ish-zv.presidentja Delcy Rodríguez po shërben si presidente e përkohshme, ndërsa liderja e opozitës María Corina Machado ka deklaruar se do të udhëheqë vendin “kur të vijë koha e duhur”. Elitat, thotë Breda, e shohin me dyshim planin e saj për naftën, nga frika se do t’u hapë rrugë kompanive amerikane pa përfitime direkte për qytetarët.

Machado, fituese e Çmimit Nobel për Paqen 2025, ia dorëzoi javën e kaluar medaljen presidentit amerikan Donald Trump, duke vlerësuar “angazhimin e tij unik për lirinë tonë”, dhe ka kërkuar hapur një rol të fortë të SHBA-së në Venezuelë.

Po Rusia dhe Kina?

Gjatë viteve të sanksioneve, tregtia e naftës venezueliane u orientua kryesisht drejt Kinës. Në vitin 2024, Kina mori rreth 351 mijë fuçi/ditë, ndërsa SHBA-ja rreth 222 mijë fuçi/ditë nën autorizime të posaçme. Në janar 2025, eksportet u rritën në 867 mijë fuçi/ditë, me Kinën që mori 442 mijë dhe Chevron që dërgoi 294 mijë drejt rafinerive amerikane.

Për gjithë vitin 2025, dokumente të brendshme tregojnë se rreth 75% e eksporteve shkonin në Kinë. Ky model pritet të ndryshojë nëse SHBA-ja merr drejtimin, sidomos pas deklaratave të sekretarit amerikan të shtetit Marco Rubio, se Uashingtoni do të parandalojë kontrollin e burimeve strategjike nga kundërshtarët në Hemisferën Perëndimore.

“Rusia dhe Kina nuk do të luajnë rol të rëndësishëm në Venezuelë,” thotë Perrin, duke shtuar se Kina do të duhet të gjejë furnizime alternative, të mundshme, por më të kushtueshme në një treg global ku oferta aktualisht tejkalon kërkesën.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm.”
— Coco Chanel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0