Nga Erandi Sula
Tregtia elektronike në Shqipëri po ndryshon me një shpejtësi që askush nuk e kishte parashikuar, dhe nëse krahasojmë të dhënat nga fillimi i vitit 2024 me mesin e vitit 2025, transformimi është i jashtëzakonshëm. Ajo që nisi si një treg i mbështetur pothuajse tërësisht te blerjet brenda vendit, është kthyer në një ekosistem global, i lidhur me platformat ndërkombëtare, me zakone të reja të konsumatorëve dhe me një orientim të ri se çfarë shqiptarët janë të gatshëm të blejnë online. Brenda vetëm një viti, struktura e tregut u përmbys, dhe 18 muajt e ardhshëm pritet ta vendosin Shqipërinë mes tregjeve me ritmet më të larta të ndryshimit në rajon.
Në fillim të 2024-s, sjellja e konsumatorëve ishte ende e fokusuar te tregu vendas. Nga rreth 2.6 milionë pako të gjysmës së parë të vitit, mbi 2.3 milionë ishin dërgesa kombëtare. Vetëm 301 mijë paketa vinin nga jashtë, pak më shumë se 11%. Shpërndarja sipas kategorive po ashtu reflektonte një treg në fazë të hershme: moda dominonte me 39%, elektronika me 17%, kujdesi personal me 15%, sporti me 8% dhe më pas vinin kategori më të vogla si: librat, produktet për fëmijë dhe ato farmaceutike. Produktet e shtëpisë përbënin zërin më të ulët me vetëm 5%.
Por kjo panoramë ndryshoi pothuajse që në nisje të 2025-ës.. Në gjysmën e parë të vitit, numri total i pakove arriti në afro 4.9 milionë, një rritje 87% krahasuar me një vit më parë. Por surpriza nuk ishte vetëm volumi total. Ajo që ‘’tronditi’’ tregun ishte shpërndarja e këtij volumi. Pakot ndërkombëtare u rritën nga 301 mijë në më shumë se 2.4 milionë brenda një viti, një rritje 707%. Për herë të parë në histori, pakot ndërkombëtare tejkaluan ato kombëtare në tremujorin e dytë të 2025-s, duke shënuar momentin kur Shqipëria u bë zyrtarisht një treg “international-first”.
Ky ndryshim nuk ndodhi rastësisht. Ai erdhi si rezultat i disa lëvizjeve të njëkohshme në sjelljen e konsumatorëve dhe në zinxhirin logjistik. Shqiptarët u ndjenë shumë më të sigurt për të porositur nga jashtë, sepse shërbimet postare u bënë më të sakta, dërgesat më të shpejta dhe ndjekja e pakove më transparente. Edhe mundësia për të paguar me cash-on-delivery për pakot ndërkombëtare pati ndikim të jashtëzakonshëm; ajo hoqi barrierën kryesore psikologjike të mosbesimit për pagesat online. Në atë moment, porosia nga Temu, AliExpress, Zara apo Shein filloi të ndihej po aq e sigurt sa një porosi brenda Shqipërisë.
Një faktor tjetër shumë i fortë ishte larmia e produkteve. Edhe pse platformat vendase janë rritur ndër vite, ato ende nuk mund të konkurrojnë me gamën e pafund të produkteve që ofrojnë tregjet globale, as me çmimet e tyre, as me shpeshtësinë e koleksioneve të reja. Meqë konsumatorëve iu krijua mundësia të merrnin më shumë zgjedhje dhe shpesh çmime më të mira, thjesht duke pritur pak më gjatë, kalimi drejt blerjeve ndërkombëtare erdhi natyrshëm. Në një treg të vogël si Shqipëria, ku edhe dyqanet fizike kanë kufizime të mëdha në gamën e produkteve, avantazhi i platformave ndërkombëtare është edhe më i ndjeshëm.
Lexo edhe: Editorial/ Koha për të NDËRTUAR… ekonomi të qëndrueshme dhe digjitale!
Nga të gjitha kategoritë, ajo që u transformua më shumë ishte ajo e produkteve të shtëpisë. Nga vetëm 5% në fillim të 2024-s, kjo kategori arriti në 18% në fillim të 2025-ës, më shumë se trefishim i peshës së saj. Ky është një nga treguesit më të qartë se si po ndryshon mënyra e jetesës. Shqiptarët po investojnë shumë më tepër në shtëpitë e tyre: mobilje, vegla kuzhine, dekor, ndriçim, organizim hapësirash, pajisje të vogla elektrike. Dikur, blerjet e tilla konsideroheshin të rrezikshme të bliheshin online ndërsa sot janë bërë ndër më të zakonshmet. Ky trend është i qëndrueshëm, i shtyrë nga çmimet konkurruese të platformave si Temu dhe AliExpress, nga rritja e të ardhurave, por edhe nga dëshira e njerëzve për një standard më të lartë jetese.

Moda vazhdon të jetë kategoria më e madhe, por jo më dominante si dikur. Volumi i përgjithshëm i porosive të modës mbetet i lartë, por përqindja e saj bie natyrshëm ndërsa rriten segmentet e tjera. Kjo është shenjë e një tregu që po balancohet. Elektronika, produktet e bukurisë, sporti, produktet për bebe dhe librat kanë ritme të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Ato nuk patën shpërthimin e kategorisë së shtëpisë, por po rriten në mënyrë të rregullt, duke treguar se tregu po shkon drejt maturimit dhe jo drejt luhatjeve të papritura.
Ndërkohë, tregu vendas i e-commerce po shfaq shenja ngadalësimi. Pakot kombëtare u rritën shumë pak, nga 2.31 milionë në gjashtëmujorin e parë 2024 në 2.46 milionë në gjashtëmujorin e parë 2025, një rritje prej vetëm 6% në vit. Në krahasim me rritjen 28% të gjashtëmujorit të dytë të 2024-s, kjo tregon qartë një stabilizim. Nuk do të thotë që tregu vendas po bie, por që nuk është më motori i rritjes. Shqiptarët tani kanë qasje globale dhe po e shfrytëzojnë. Shumë tregtarë vendas nuk arrijnë të konkurrojnë me gamën e madhe, çmimet e ulëta dhe rikthimet e lehta që ofrojnë platforma si: AliExpress apo Temu. Nëse platformat vendase nuk përmirësojnë shpejtësinë e dërgimit, shërbimin ndaj klientit dhe gamën e produkteve, hendeku mund të thellohet edhe më shumë.
Duke parë të dhënat e tremujorëve, gjysma e dytë e vitit 2025 po formohet si periudha më e fortë ndonjëherë për tregtinë elektronike në Shqipëri. Me ritmet e larta të tremujorit të dytë 2025, pritet që gjashtëmujori i dytë 2025 të arrijë mes 6.7 dhe 7.7 milionë paketa, gati dyfishi i gjashtëmujorit të dytë 2024. Nga këto, 60–65% pritet të jenë ndërkombëtare. Nëse sezoni i festave i 2024-ës përsëritet në një bazë shumë më të lartë, atëherë tremujori i katërt 2025 mund të thyejë çdo rekord ekzistues.
Produktet e shtëpisë do të jenë përsëri një nga kategoritë që do të japin më shumë volum. Faktori çmim, cilësia e përmirësuar, qëndrueshmëria dhe interesi për pajisje të reja do ta shtyjnë këtë kategori drejt 19–22% të totalit të tregut, duke e bërë atë një nga segmentet më të rëndësishme për gjashtëmujorin e dytë 2025. Moda pritet të stabilizohet në 30–35%, duke qëndruar lidere, por jo më me dominancën e dikurshme. Elektronika mund të arrijë 16–18%, e ndihmuar nga rikthimi në shkollë dhe sezoni i festave. Produktet e bukurisë pritet të mbajnë nivelin e tyre të fortë midis 13% dhe 15%.

Edhe pse tremujori i parë është zakonisht më i dobët pas festave, kjo nuk do të jetë e vërtetë në 2026-ën. Shqipëria ka kaluar tashmë në një volum të ri struktural. Tremujori i parë 2026 pritet të prodhojë 3 deri në 3.5 milionë paketa, më shumë se çdo tremujor i vitit 2024. Pakot ndërkombëtare do të mbeten mbi 55%. Produktet e shtëpisë do të ruajnë një peshë të lartë mbi 17%. Moda do të ketë rënie sezonale, por do të rikthehet shpejt në pranverë. Elektronika do të ketë kërkesë të qëndrueshme të fillimvitit.
Të gjitha këto tregojnë se tregtia elektronike në Shqipëri nuk është më në fazën e thjeshtë të rritjes. Ajo po evoluon. Po bëhet më komplekse, më ndërkombëtare dhe më kërkuese. Konsumatorët presin dërgesa më të shpejta, transparencë më të madhe, rikthime të thjeshta dhe shërbim cilësor. Ata presin të njëjtin standard që marrin nga platformat globale, edhe kur blejnë lokalisht.
Kjo krijon mundësi të jashtëzakonshme për të gjitha bizneset që janë gati të përshtaten, por edhe sfida të reja. Kompanitë e logjistikës duhet të rrisin kapacitetet ndërkombëtare, të forcojnë doganat, të automatizojnë proceset dhe të investojnë në linja të reja transporti. Tregtarët vendas duhet të rikonceptojnë mënyrën se si shesin, të ofrojnë përvoja më të personalizuara, të rrisin gamën e produkteve ose të bashkëpunojnë me marka ndërkombëtare për të qenë konkurrues. Edhe institucionet publike duhet të ecin me të njëjtin ritëm, duke modernizuar procedurat doganore dhe duke krijuar një kuadër më të qartë për tregtinë ndërkufitare.
Në fund, realiteti është i qartë: tregtia elektronike në Shqipëri nuk është më lokale. Ajo tashmë është globale. Zakonet që u formuan në 2024-ën dhe u forcuan në 2025-ën nuk do të kthehen pas. Konsumatorët shqiptarë tani e dinë çfarë mund të ofrojë bota dhe presin që gjithçka t’u vijë shpejt, sigurt dhe me çmimin më të mirë të mundshëm.
Transformimi ka ndodhur. E ardhmja, më globale, më e shpejtë dhe më konkurruese, sapo ka filluar.
Ky artikull është publikuar në numrin 40 të revistës Businessmag
Abonohu për të lexuar artikujt e BM!
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto