Sa do të paguaje për një vend parkimi? Për një banor të lagjes luksoze Peak në Hong Kong, përgjigjja ishte plot 1.3 milionë dollarë.
Vendi i parkimit u shit për 10 milionë dollarë hongkongas (rreth 1.3 milionë dollarë) muajin e kaluar në kompleksin superluksoz Mount Nicholson, ku çmimet e banesave arrijnë deri në 77 milionë HKD (rreth 9.9 milionë dollarë), sipas South China Morning Post. SCMP raportoi se çmimi për hapësirën 12.5 metra katrorë arrinte rreth 74,350 dollarë për metër katror.
“Ky është padyshim vendi më i shtrenjtë i parkimit në Hong Kong,” tha William Lau, drejtor shitjesh në agjencinë Centaline Property në zonën Peak. Ai shtoi se për banorët e Mount Nicholson, shifra 1.3 milionë dollarë është minimale krahasuar me çmimin e apartamenteve të tyre. “Ajo që i shqetëson më shumë është të kenë një vend ku të parkojnë makinat, jo paratë. Ata e kanë blerë për përdorim personal, jo për investim,” shtoi Lau.
Lexo edhe: A po i afrohemi fundit të epokës së Tim Cook në krye të Apple?
Kompleksi Mount Nicholson fitoi famën si “adresa më e shtrenjtë në Azi” në vitin 2017, kur dy apartamente u shitën për një total prej 1.16 miliardë HKD (rreth 149 milionë dollarë). Ky titull u tejkalua këtë shkurt nga projekti rezidencial 21 Borrett Road në zonën Mid-Levels, kur një blerës pagoi 459.4 milionë HKD (rreth 59.3 milionë dollarë) për një apartament.
Shitja e vendit të parkimit në Mount Nicholson theu edhe rekordin botëror të vitit 2019 për vendin më të shtrenjtë të parkimit, të vendosur po në Hong Kong, kur një biznesmen pagoi 7.6 milionë HKD (rreth 979,000 dollarë) për një vend parkimi në godinën e zyrave The Center. Në vitin 2018, një çift nga Hong Kongu u bë po ashtu lajm, pasi bleu një vend parkimi për 3.4 milionë HKD (rreth 433,000 dollarë) në kompleksin luksoz Ultima në Kowloon dhe e rishiti vetëm nëntë muaj më vonë për 6 milionë HKD (rreth 760,000 dollarë).
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto