Ju kujtohet vajza që thuajse para një dekade, në videot e saj në youtube artikulonte këto fjalë:
“Marr shumë gjëra përsipër që dua t’i bëj sepse mendoj që mund t’i bëj, po nga ana tjetër nuk mund t’i bëj teorikisht sepse janë shumë gjëra për t’u bërë dhe sakrifikoj shumë nga koha ime e lirë për të bërë sa më shumë gjëra që kam premtuar se do t’i bëj.
Unë e adhuroj punën, vdes të punoj… unë thjesht kam shumë qejf të punoj, pastaj se çfarë del pas kësaj, ja lë kohës.”
Jo mit, doli e vërtetë, nëse merr gjëra përsipër, ju del për zot, punon shumë dhe e do atë që bën, arrin të bësh histori.
Dhe pikërisht këtë bëri Sara Karaj ditën e sotme.
Në një ditë që shënon një kapitull të ri për sipërmarrjen shqiptare, Sara Karaj njoftoi se SKosmetics dhe SelfSKN janë brandet e para shqiptare të kozmetikës që futen në rrjetin ndërkombëtar Lagardère Travel Retail, një nga emrat më të mëdhenj globalë në aeroportet dhe destinacionet premium të udhëtimit.
“Sot nis një kapitull i ri për mua dhe për të gjithë industrinë shqiptare të bukurisë.
Me shumë krenari njoftoj se SKosmetics dhe SelfSKN janë zyrtarisht brandet e para shqiptare të kozmetikës që futen në rrjetin ndërkombëtar Lagardère Travel Retail… Ky nuk është vetëm një sukses i brandit tim, por një moment historik për kreativitetin dhe sipërmarrjen shqiptare,” – shkruan Sara në postimin e saj.
Në vijim, ajo ndan emocionin e këtij suksesi, që e çon punën e saj në një tjetër nivel:
“Ne po hyjmë në një treg global me produkte të krijuara në Itali, nga një sipërmarrëse shqiptare, me standarde ndërkombëtare dhe me një filozofi që e kam ndërtuar me pasion prej vitesh. Krenare për rrënjët, krenare për punën, krenare që e çojmë emrin shqiptar në një prej rafteve më prestigjioze të botës. Ky është vetëm fillimi.”
Ky sukses e vendos Sarën në një tjetër dimension, si një zë të ri shqiptar në industrinë globale të bukurisë dhe një shembull frymëzimi për gjeneratën e re të grave që guxojnë të ëndërrojnë.
Urime për Sarën, urime për sipërmarrjen shqiptare që çdo ditë tregon hapat e shpejtë e sigurt me të cilët po vrapon!
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto