Flota e parë plotësisht autonome ushtarak në Europë ka përfunduar fazën e fundit të testimeve në Spanjë, sipas raporteve mediatike. Demonstrimi, që u zhvillua në Sevilje, prezantoi një flotë automjetesh tokësore autonome që kryen operacione logjistike të koordinuara përmes një sistemi navigimi të mbështetur në inteligjencën artificiale (AI). Projekti, i quajtur Convoy Operations with Manned-unManneD Systems (COMMANDS), udhëhiqet nga kompania spanjolle e hapësirës ajrore dhe mbrojtjes Sener, dhe është financuar nga Fondi Evropian i Mbrojtjes me një investim prej 24.8 milionë eurosh.
Konsorciumi COMMANDS, që përfshin 21 partnerë evropianë, ka për qëllim të përmirësojë bashkëveprimin mes sistemeve të komanduar dhe atyre pa pilot, si në tokë ashtu edhe në ajër. Ai synon gjithashtu të rrisë efikasitetin e mjeteve ushtarake në mjedise “të pashkallëzuara” dhe në kushte ku sinjalet satelitore janë të dobëta ose të ndërprera.
Njësitë e testuara në Spanjë u kontrolluan përmes sistemit Naviground, i zhvilluar nga Sener. Ky sistem përdor një kombinim sensorësh, inteligjencë artificiale, mësim makinerik dhe rrjete 5G për t’i mundësuar një automjeti tokësor të kuptojë mjedisin përreth dhe të lëvizë në mënyrë autonome.
Lexo edhe: Raporti: 64% e AI-ve bien pre e pyetjeve mashtruese
Sener kishte testuar më herët sistemin Naviground në disa mjete ushtarake, përfshirë automjete logjistike dhe tanke. Në një video promovuese, kompania e përshkroi teknologjinë si “një nga armët sekrete më të mëdha” për përmirësimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes mjeteve ushtarake.
Projekti shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë për modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Evropës. Komisioni Evropian ka identifikuar dronët autonomë, sistemet ajrore pa pilot dhe aplikacionet ushtarake të bazuara në AI si disa nga boshllëqet kritike që Bashkimi Evropian duhet të mbushë.
Në një dokument strategjik, Komisioni theksonte se industria evropiane e mbrojtjes duhet të jetë në gjendje të “projektojë, zhvillojë, prodhojë dhe shpërndajë këto teknologji më shpejt dhe në shkallë të gjerë”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto