Globalizimi ka vdekur, por planetarizimi ende s’ka lindur! - Business Magazine Albania

Globalizimi ka vdekur, por planetarizimi ende s’ka lindur!

Bertrand Badré *– Në nëntor 1985, gjatë samitit të tyre të parë në Gjenevë, presidenti amerikan Ronald Reagan dhe ai sovjetik, Mikhail Gorbachev, u shkëputën nga protokollet zyrtare për të biseduar privatisht. Vetëm vite më vonë mësuam se çfarë kishin diskutuar. Në një intervistë me Charlie Rose, Gorbachev tregoi se Reagan i kishte bërë një pyetje befasuese: “Çfarë do të bëje nëse Shtetet e Bashkuara do të sulmoheshin papritur nga dikush nga hapësira e jashtme? A do të na ndihmoje?” Gorbachev u përgjigj: “Pa dyshim.” Dhe Reagan ia ktheu: “Edhe ne.”
Megjithëse dy superfuqitë ndodheshin në një garë bërthamore dhe përballeshin sy më sy në Evropë, ato mund ta imagjinonin ende bashkimin kundër një kërcënimi ekzistencial të përbashkët.

Katër dekada më vonë, njerëzimi gjendet në një garë të re armatimesh. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm, shpenzimet botërore për mbrojtjen arritën në një rekord prej 2.7 trilionë dollarësh në vitin 2024 – një rritje prej 9.4% të përshtatur me inflacionin nga viti i mëparshëm. Pas nëntë vitesh rresht me rritje të tilla, ky është një shpërthim i paparë që prej fundit të Luftës së Ftohtë, pa asnjë shenjë ngadalësimi. Dhjetëra vende po zgjerojnë ushtritë e tyre dhe gjithnjë e më shumë qeveri po marrin angazhime afatgjata për të rritur buxhetet e mbrojtjes.

Arsyet janë të shumta dhe disa prej tyre të kuptueshme: lufta e Rusisë në Ukrainë, tensionet në Azinë Lindore dhe Lindjen e Mesme, si dhe cenueshmëritë në hapësirën kibernetike dhe atë kozmike. Por, në thelb, kjo përshkallëzim pasqyron shpërbërjen e globalizimit që njohëm dikur,një rend të bazuar mbi rregulla, multilateralizëm, tregti të hapur dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Është e lehtë të harrosh se sa ndryshe ishte klima vetëm një dekadë më parë. Në vitin 2015, kulmi i fundit i globalizimit, udhëheqësit botërorë miratuan tre marrëveshje historike: Agjendën e Addis Ababa-s për financimin e zhvillimit, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së dhe Marrëveshjen e Parisit për klimën. Madje, presidenti kinez Xi Jinping dhe ai amerikan Barack Obama shtrënguan duart në Uashington, duke sinjalizuar , të paktën për shumë vëzhgues një epokë të re globalizimi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe elastik.

Por optimizmi doli jetëshkurtër. Brenda pak vitesh, luftërat tregtare, politika nacionaliste dhe rivalitetet gjeopolitike rrënuan konsensusin. Sot, tarifat, subvencionet, politikat industriale, krizat e refugjatëve dhe gara e re e armatimeve dëshmojnë një botë ku bashkëpunimi ka humbur shkëlqimin. Siç shpjegon historiani francez Arnaud Orain, teza e “fundit të historisë” është zëvendësuar nga një perceptim i botës si një tortë e kufizuar – për t’u ndarë, jo për t’u zgjeruar.

Lexo edhe: Ndodh për herë të parë, Shqipëria prezanton ministren e krijuar nga Inteligjenca Artificiale

Megjithatë, kërcënimet ekzistenciale që frymëzuan imagjinatën e Reagan mbeten ende aty, më urgjente se kurrë: ndryshimi klimatik, kolapsi i ekosistemeve dhe pabarazitë sociale në rritje. Pasojat e tyre janë të dokumentuara dhe tashmë të dukshme, por vazhdojnë të mbeten në hije përballë frikës së menjëhershme nga agresioni i fqinjëve apo rivalëve.

Historianët e së ardhmes mund të habiten pse, në mesin e viteve 2020, njerëzimi derdhi burime të pashembullta për t’u përgatitur të luftonte njëri-tjetrin, duke shpërfillur kërcënimet e qarta planetare. Shumat janë marramendëse: gati 3 trilionë dollarë në vit për mbrojtjen do të mjaftonin për një pjesë të madhe të investimeve të nevojshme për dekarbonizim, përshtatje me klimën dhe ruajtje të biodiversitetit.

Në vend që të shtrihet logjika bashkëpunuese e globalizimit drejt mbijetesës planetare, po rikrijojmë një “globalizim me tela me gjemba”. Njerëzimi mbetet i ndërvarur, por marrëdhëniet menaxhohen përmes sferave të ndikimit dhe jo institucioneve të përbashkëta, ndërsa planeti zbehet nga vetëdija politike.

Siç paralajmëroi Sofokliu, “E keqja shpesh duket e mirë për atë që perënditë e udhëheqin drejt shkatërrimit.” Është marrëzi të obsesohesh me pushtetin relativ gjeopolitik dhe të injorosh kufijtë absolutë të planetit. Nëse ka shpresë, ajo vjen nga shpikja e diçkaje të re: jo globalizim, por planetarizim – njohja se ruajtja e botës sonë të brishtë është parakushti i gjithçkaje tjetër.

Samitet e ardhshme, si COP30 në Belém të Brazilit, ofrojnë mundësi për këtë perspektivë, pavarësisht negociatave zhgënjyese të këtij viti mbi ndotjen plastike të oqeaneve. Por dritarja po mbyllet me shpejtësi.

Disa do të thonë se pamja nuk është aq e zymtë, pasi njerëzimi po përjeton një periudhë të jashtëzakonshme inovacioni shkencor e teknologjik. Përparimet në inteligjencën artificiale, bioteknologji, energji të rinovueshme dhe materiale të avancuara nxisin besimin tek zgjuarsia njerëzore.
Por historia kujton të kundërtën: edhe përparimet e shekullit XX, përpara se të sillnin “30 vitet e lavdishme” pas Luftës së Dytë Botërore, prodhuan depresion, fashizëm dhe një luftë globale. Projekti Manhattan krijoi armët bërthamore para se energjia atomike të përdorej për qëllime civile; shkenca që dha plehrat kimikë solli edhe armët kimike.

Edhe sot, AI dhe teknologjitë e reja mund ta ndryshojnë shoqërinë, por gjasat janë që aplikimet ushtarake të ecin përpara atyre civile. Thjesht ndiqni paratë: buxhetet e mbrojtjes shumëfishojnë investimet klimatike. Rreziku nuk është që teknologjia të dështojë, por që ajo të përdoret fillimisht për konflikt, jo për mbijetesë kolektive.

Këtë herë, nuk ka shans të dytë. Burimet janë të kufizuara, buxheti i karbonit po zvogëlohet me shpejtësi dhe kufijtë planetarë janë shtrirë deri në ekstrem. Zgjedhja është e qartë: ose globalizimi shndërrohet në një mozaik të blloqeve të armatosura politike, ose ne përqafojmë planetarizimin dhe fillojmë të ndjekim strategji për të mbijetuar së bashku me dinjitet.

*Bertrand Badré, ish-drejtor i përgjithshëm i Bankës Botërore, është Kryetar i Bordit Këshillimor të Project Syndicate, CEO dhe themelues i Blue like an Orange Sustainable Capital, si dhe autor i librit Can Finance Save the World? (Berrett-Koehler, 2018).

Të drejtat e autorit: Project Syndicate, 2025 / www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Mos pranoni thërrimet. Kemi lindur gra dhe jo milingona.”
— Marilyn Monroe
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0