Termi “Clanker” po fiton gjithnjë e më shumë terren në rrjetet sociale, teksa njerëzit shfaqin lodhje ndaj inteligjencës artificiale që shpik gjëra, tingëllon tepër “njerëzore” dhe sjell shqetësim se mund të zhdukë vende pune.
Në video me skenarë futuristikë që qarkullojnë online, pasqyrohet një rritje e urrejtjes mes njerëzve dhe të ashtuquajturve “clankers”. Në njërën prej tyre, me një ton ironik, një prind i thotë fëmijës së vet: “ne nuk flasim me ta”, ndërsa në një tjetër, një njeri i drejtohet një roboti: “hiqeni këtë clanker të pistë që këtej!”.
“Clanker” është kthyer në fjalën që përmbledh frustrimin e publikut ndaj inteligjencës artificiale (AI). Ajo po përdoret gjerësisht në rrjete sociale, duke mbledhur qindra miliona shikime në platforma si Instagram dhe TikTok. Madje, një senator amerikan e ka përdorur këtë term për të promovuar rregullimin e chatbot-ëve të AI-së që shërbejnë në shërbimin ndaj klientit.
Përdorimi i fjalës lidhet me universin e Star Wars. Ajo raportohet se është përdorur fillimisht në një videolojë të vitit 2005 dhe më pas në filmin “Star Wars: The Clone Wars” të vitit 2008.
Në një skenë dëgjohet shprehja: “Okay, clankers, eat lasers”.
Kur Euronews Next i kërkoi shpjegim ChatGPT-së për termin “clanker”, ai iu referua Star Wars, duke thënë se përdorej për të përshkruar “droidët luftarakë” për shkak të zhurmës metalike që bënin, por nuk e lidhi fare me përdorimin e sotëm si term anti-AI.
ChatGPT përmendi gjithashtu se “clanker” ishte zhargon ushtarak britanik, se ishte përdorur në një seri librash nga autori Scott Westerfeld, dhe në përgjithësi se i referohej çdo gjëje që prodhonte një zhurmë metalike – qoftë makinë apo edhe një njeri i pajisur me mjete që trokasin.
Ky fakt nënvizon se modelet e mëdha të inteligjencës artificiale (LLM), si ChatGPT, trajnohen me të dhëna nga interneti që nuk janë gjithmonë të përditësuara, çka do të thotë se ato mund të mos kuptojnë zhargonin e ri ose përdorimet e reja të një fjale.
Ankthi ndaj AI-së
Ngjitja e popullaritetit të këtij termi lidhet me rritjen e pakënaqësisë ndaj të ashtuquajturave halucinacione të AI-së (kur teknologjia shpik të dhëna) dhe me frikën se ajo mund të zhdukë vende pune, teksa bëhet gjithnjë e më e përhapur.
Në Evropë, 42% e të punësuarve frikësohen se AI mund të rrezikojë vendet e tyre të punës, sipas një raporti të publikuar nga EY në korrik.
Disa prej videove online tregojnë gjithashtu një botë ku robotët dhe njerëzit bashkëjetojnë dhe krijojnë marrëdhënie romantike, si një reagim ndaj faktit që AI po bëhet gjithnjë e më “njerëzore” – aq sa disa raportime tregojnë se përdoruesit po u kërkojnë chatbot-ëve të kthehen në “terapistët” e tyre.
Shumë nga këto video pasqyrojnë një të ardhme distopike, ku edhe burimet e ujit publik janë të rezervuara vetëm për “clankers”. Dhe me ritmin e shpejtë të zhvillimit të AI-së, një e ardhme e tillë mund të mos jetë edhe aq e largët.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto