Çfarë do të mbetet pas flluskave të AI-së dhe Kriptomonedhave? - Business Magazine Albania

Çfarë do të mbetet pas flluskave të AI-së dhe Kriptomonedhave?

Çfarë do të mbetet pas flluskave të AI-së dhe Kriptomonedhave?

Sot zinxhiri i furnizimit me kapital po shtrembërohet nga tre fenomene. Dy të parat janë flluska spekulative, të cilat mund të derdhen nga sektori financiar në ekonominë reale (sipas modelit të episodeve të ngjashme gjatë 400 viteve të fundit). I treti është një tronditje e paprecedentë nga shteti, i cili po merr një rol gjithashtu të paprecedentë brenda ekonomisë politike tashmë të ndërlikuar.

Zinxhiri i inovacionit amerikan lindi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe evoluoi në tre gjenerata. Paratë publike rridhnin nga institucionet federale drejt universiteteve kërkimore, ku financuan shkencën dhe teknologjinë. Këto universitete më pas shërbenin si ura drejt ekonomisë tregtare, duke licencuar pronën e tyre intelektuale te firmat ekzistuese dhe, sidomos, te startup-et e mbështetura nga kapitali sipërmarrës. Por që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ky sistem, i cili për dekada ka mbështetur udhëheqësinë globale të SHBA-së në shkencë e teknologji , është tronditur.

Lexo edhe: Flluska e inteligjencës artificiale? Sam Altman tërhiqet nga premtimet madhështore për AI-në

Sot, tregjet financiare, si ato publike ashtu edhe private, po tregojnë shenja të dy flluskave të mëdha: njëra tek asetet kripto dhe tjetra tek aksionet e kompanive të lidhura me AI. Tregu i kriptos është flluskë nga vetë përkufizimi, sepse nuk ka burim themelor vlere. Këto asete nuk gjenerojnë flukse parash për mbajtësit e tyre; vlera e tyre varet vetëm nga pritshmëria e rishitjes me çmim më të lartë. Një paralelizëm i qartë është mania e tulipanëve në Holandë gjatë viteve 1630. Ndërsa flluska e AI-së është e një lloji më të zakonshëm: një teknologji e re shfaqet, por pasojat e saj afatgjata ekonomike nuk mund të dihen paraprakisht. Ndoshta flluska ka arritur kulmin me lançimin zhgënjyes të modelit GPT-5 këtë muaj, por vetëm koha do ta tregojë. Një tipar i përbashkët i të dyjave është gatishmëria e investitorëve për të paguar vlera të fryra për instrumente pa likuiditet dhe pa të drejta qeverisjeje. Ky fluks fondesh, i ardhur si nga investitorë institucionalë ashtu edhe nga ata amatorë, është frymëzuar nga mjedisi financiar i viteve me norma negative interesi e kthimi.

Tre shenja tregojnë zakonisht fundin e një flluske:

  1. Kur kërkesa rritet me rritjen e çmimit.

  2. Kur çmimet e fryra nxjerrin furnizime të reja në treg.

  3. Kur kërkesa dominohet gjithnjë e më shumë nga investitorë të painformuar.

Sot, të tre sinjalet po shfaqen tek tregjet e kriptos dhe AI-së.

Megjithatë, rrugët e tyre do të ndryshojnë. Çmimi i kriptos varet vetëm nga kërkesa – e cila lidhet ngushtë me axhendën e deregulimit të administratës Trump dhe lidhjet e saj me industrinë kripto. Për sa kohë që ky pushtet politik mbahet, flluska mund të zgjasë. AI, përkundrazi, do të përballet me realitetin e fitimeve. Investimet gjigante në qendra të dhënash dhe infrastrukturë duhet të justifikohen me rrjedha reale parash. Por për shkak se kostot fikse janë shumë të larta dhe kostoja margjinale pothuajse zero, rreziku është që çmimet të bien drejt kostos margjinale, duke i çuar të gjithë operatorët në humbje. Historia e hekurudhave, elektrifikimit dhe internetit tregon se këto revolucione teknologjike kanë kaluar përmes falimentimeve, ndërhyrjeve shtetërore dhe kriza financiare përpara se të stabilizoheshin.

Gjatë shekullit XX, zinxhiri i kapitalit për kërkimin shkencor u mbështet nga laboratorët e mëdhenj industrialë dhe nga shteti. Por që nga vitet 1980, me legalizimin e blerjes së aksioneve nga vetë kompanitë (stock buybacks), pjesa më e madhe e fitimeve u orientua drejt kthimeve afatshkurtra, jo drejt inovacionit. Në vitin 2024, kompanitë amerikane shpenzuan pothuajse 1 trilion dollarë për blerje aksionesh – shumë më tepër se për R&D. Sot, administrata Trump po sulmon edhe agjencitë publike të kërkimit (NIH, NSF, ARPA-E, EPA) dhe po dëmton rëndë universitetet kërkimore. Projekti i famëkeq Project 2025, i hartuar nga Heritage Foundation, ka si objektiv të kthejë SHBA-në në modelin ekonomik të viteve 1920, duke lënë të paprekur vetëm Departamentin e Mbrojtjes. Pasojat afatgjata janë të paparashikueshme, por padyshim të dëmshme për ekonominë amerikane dhe më gjerë.

Ndryshe nga më parë, flluskat e kriptos dhe AI-së lindën jashtë ciklit klasik të kapitalit sipërmarrës. Tek kripto, financimi vjen kryesisht nga investitorë individualë. Tek AI, nga korporatat e mëdha të teknologjisë dhe fonde të mëdha si SoftBank. Por industria e kapitalit sipërmarrës është sot e ndarë: nga njëra anë firmat që ruajnë modelin tradicional me investime në faza të hershme dhe përfshirje në qeverisje; nga ana tjetër ato që janë kthyer në menaxhere fondesh të mëdha, të orientuara te tarifat. E ardhmja mbetet e paqartë, sidomos pasi zinxhiri tradicional i inovacionit, që për dekada ka ushqyer kapitalin sipërmarrës amerikan – po shkatërrohet. Mund të ketë më shumë gjasa që e ardhmja e këtij modeli të zhvendoset në Evropë apo Kinë. Flluskat e kriptos dhe AI-së mund të kenë ende rrugë për të bërë. Por ajo që është më shqetësuese është se infrastruktura institucionale e inovacionit në SHBA po minohet. Ky zinxhir u ndërtua në tre gjenerata. Rindërtimi i tij, nëse shkatërrohet, nuk do të jetë aspak i lehtë.

William H. Janeway është profesor i jashtëm i shquar i ekonomisë në Universitetin e Kembrixhit dhe autor i librit Doing Capitalism in the Innovation Economy (Cambridge University Press, 2018).

Copyright: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0