Një gjeni australian i fushës së inteligjencës artificiale ka refuzuar një ofertë marramendëse nga Meta, në kuadër të një fushate agresive të rekrutimit të supertalenteve të teknologjisë nga kompania e drejtuar nga Mark Zuckerberg.
Andrew Tulloch, i rritur në Perth, është prej kohësh një emër i njohur në industrinë e AI-së, pas më shumë se një dekade pune në kompaninë mëmë të Facebook dhe së fundmi te konkurrentja e saj, OpenAI.
Në shkurt të këtij viti, diplomanti i Universitetit të Sidneit bashkëthemeloi startup-in Thinking Machines Lab së bashku me Mira Murati, ish-drejtoreshë teknologjike e OpenAI. Vlera e kompanisë, sipas burimeve, kap shifrën e 12 miliardë dollarëve amerikanë (rreth 18.5 miliardë dollarë australianë).
Sipas Wall Street Journal, Zuckerberg i është drejtuar personalisht Muratit për të blerë Thinking Machines Lab, por pasi ajo e refuzoi ofertën, ai tentoi të tërhiqte disa prej talenteve më të spikatura të kompanisë.
Burime të brendshme i thanë Journal se Andrew Tulloch u përball me një ofertë mahnitëse nga Meta: një paketë prej 1 miliardë dollarësh amerikanë (1.55 miliardë AUD), e cila mund të kishte shkuar edhe më lart nëse përfshiheshin bonuset dhe aksionet gjatë një periudhe gjashtëvjeçare.
Megjithatë, sipas raportit, Tulloch e refuzoi ofertën. Meta i mohoi shifrat e përmendura në artikull, duke i cilësuar ato si “të pasakta dhe qesharake”.
Australani kishte kaluar 11 vjet në sektorin e AI të Facebook, pasi u zhvendos në SHBA në vitin 2012, ku u specializua më tej.
Lexo edhe: AMA dhe platforma “X” e Elon Musk bashkohen kundër urrejtjes online
“Andrew njihej padyshim si një gjeni i vërtetë,” tha për Wall Street Journal Mike Vernal, ish-ekzekutiv në Facebook, që kishte punuar me Tulloch.
Pas Facebook, ai kaloi te OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT , në vitin 2023, përpara se të themelonte startup-in e tij me kolegë të mëparshëm në janar të këtij viti.
Thinking Machines Lab ka si mision të shpallur “t’i bëjë sistemet e AI-së më të kuptueshme, të personalizueshme dhe më të afta në mënyrë të përgjithshme”. Murati ka deklaruar së fundmi se kompania po ndërton AI multimodale, e aftë të bashkëveprojë në mënyrë më natyrale me botën reale, por ende nuk ka publikuar produktin e saj të parë.
Në muajin qershor, CEO i OpenAI, Sam Altman, zbuloi se Meta kishte ofruar bonuse deri në 100 milionë dollarë amerikanë (155 milionë AUD) për punonjësit e tij, në një përpjekje të pasuksesshme për të rekrutuar talente në fushën e AI-së gjeneruese. Altman shtoi gjithashtu se Meta kishte ofruar rroga vjetore gjigande, që tejkalonin 100 milionë dollarë amerikanë për disa nga punonjësit më të mirë të OpenAI.
“Jam shumë i lumtur që deri tani, asnjë nga njerëzit tanë më të mirë nuk ka pranuar ndonjë nga ato oferta,” u shpreh Altman.
Mark Zuckerberg ka bërë të ditur që në janar se Meta planifikon të investojë të paktën 60 miliardë dollarë amerikanë (92 miliardë AUD) këtë vit në AI, me synimin për të qenë lider global në këtë fushë. Të ardhurat e Meta-s për tremujorin e fundit janë rritur me 22% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 47.5 miliardë dollarë amerikanë (76.73 miliardë AUD), rritje që i atribuohet përparimeve në inteligjencën artificiale.
“Kemi pasur një tremujor të fuqishëm, si në aspektin e biznesit, ashtu edhe të komunitetit,” tha Zuckerberg. “Jam i emocionuar që do të ndërtojmë një superinteligjencë personale për çdo njeri në botë.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto