Nga Fatima Gorezi –Në një epokë ku shpejtësia e teknologjisë po dikton ritmin e zhvillimit global, TUMO qëndron si një prej pikave kyçe që po modelojnë të ardhmen digjitale të Shqipërisë. Në krye të këtij revolucioni edukativ qëndron një grua, Shqipe Berisha. Si drejtore ekzekutive e TUMO Tirana dhe më pas në krye të transformimit të Piramidës së Tiranës në një qendër multifunksionale për teknologji, Berisha nuk është thjesht një menaxhere: ajo është një vizionare që po udhëheq me përkushtim, qartësi dhe lidership të heshtur, por efektiv.
Me një formim të pasur akademik, nga gjuhësia në menaxhim biznesi dhe lidership në Zvicër dhe me eksperiencë në sektorin privat tek Vodafone, ajo ka ndërtuar ura mes inovacionit dhe edukimit. Nën drejtimin e saj, TUMO u bë një nga qendrat më të kërkuara nga të rinjtë 12–18 vjeç që kërkojnë të mësojnë kodim, animacion, zhvillim lojërash apo robotikë, aftësi jetike për tregun global të punës.
Cili është background dhe edukimi juaj dhe si u gjendët në krye të TUMO?
Studimet e mia të para kanë qenë në gjuhë dhe letërsi të huaj, një fushë që më ka ndihmuar të zhvilloj aftësi të mira komunikuese dhe analitike. Më vonë, përfundova një master në Menaxhim Biznesi dhe Lidership në Zvicër, që më përgatiti për të hyrë në botën e biznesit. Karrierën time e nisa në një nga kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit në vend, Vodafone, ku punova në sektorin komercial, duke u marrë me zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja. Aty pata mundësinë të mësoj shumë rreth inovacionit dhe mënyrës sesi funksionon një kompani lider në treg.
Para pak vitesh, ndjeva nevojën për të ndryshuar, për të kaluar në një fushë që lidhej më shumë me zhvillimin social dhe edukimin. Kështu nisa rrugëtimin tim në TUMO, një projekt që synon të pajisë të rinjtë me aftësi digjitale për të ardhmen. Ajo që më tërhoqi ishte pikërisht kombinimi i inovacionit me edukimin, një fushë ku mund të sillja kontributin tim përmes përvojës së grumbulluar ndër vite.
Fillimisht ishte një ndryshim i madh, sepse fillova të shihja ndikimin që kishte puna ime dhe ky program në një këndvështrim tjetër – jo thjesht ne biznes, por në jetën e të rinjve. Tani, në rolin tim drejtues si te TUMO, ashtu edhe në menaxhimin e Piramidës, përpiqem ta shoh gjithçka nga disa këndvështrime – si një profesionist i menaxhimit, por edhe si dikush që beson në fuqinë e edukimit për të sjellë ndryshim
5 vjet në drejtim të TUMO. Si kanë qenë këto vite në terma të arritjeve, suksesesit dhe kënaqësisë shpirtërore?
TUMO nisi në tetor të vitit 2020 dhe që në fillim pati një interes shumë më të madh nga sa kishim parashikuar. U duk qartë që grupmosha 12–18 vjeç kishte nevojë për një hapësirë ku të mësonte aftësi digjitale që mungonin në programet shkollore të kohës. Edhe pse sot disa shkolla kanë filluar të integrojnë teknologjinë me programe si Element IT, në atë periudhë TUMO ishte ndër të vetmet mundësi që ofronte këtë lloj formimi.
Nisëm me tetë disiplina kryesore, përfshirë Zhvillimin e Lojërave, Robotikën, Animacionin, Grafik Dizajnin, si dhe Prodhimin e Muzikës dhe Filmave. Nxënësit që vinin në TUMO kalonin muajin e parë duke provuar të gjitha këto disiplina dhe më pas zgjidhnin katër prej tyre për t’u specializuar më tej. Deri më sot, mbi 5000 të rinj kanë ndjekur programin tonë dhe kanë marrë njohuritë bazë në këto fusha. Disa prej tyre kanë vazhduar më tej studimet e larta në një nga këto drejtime.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.