Tirana ndez motorët e inovacionit: ALBAN Global premton 50,000 € për idenë më të mirë - Business Magazine Albania

Tirana ndez motorët e inovacionit: ALBAN Global premton 50,000 € për idenë më të mirë

Tirana u kthye këtë të enjte në një qendër graviteti të vërtetë për investitorët dhe krijuesit e së ardhmes, duke mirëpritur një event me rëndësi të veçantë për ekosistemin shqiptar të startup-eve: “Investor Talks”, një forum i organizuar nga ALBAN Global në bashkëpunim me ADLR Partners, e cila drejtohet nga shqiptarja Denada Rauch Bare, një figurë e njohur ndërkombëtarisht në botën e biznesit në Austri dhe diasporë, me një përvojë të gjerë në sektorin e investimeve që përfshin financat, teknologjinë, inteligjencën artificiale, shëndetësinë, qëndrueshmërinë dhe pasuritë e paluajtshme.

Në fjalë hapëse dhe përshëndetëse themeluesja e ALBAN Global, Ermelinda Hajdari theksoi rolin e platformës si një urë që lidh investitorët me startup-e të guximshme dhe nxit bashkëpunimin ndërkufitar: “Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, ndihma për startup-et që të rriten ndërkombëtarisht është në zemër të asaj që bëjmë.” Tirana, siç tha ajo, po transformohet me një ritëm që të emocionon dhe të sfidon njëkohësisht dhe ky është momenti ideal për të ndërthurur energjitë drejt një drejtimi të përbashkët progresi.

Ermelinda Hajdari, themeluese e ALBAN Global

Paneli i folësve ishte një përzierje e kujdesshme e ekspertizës, përvojës dhe vizioneve të ndryshme që prekin fusha nga transformimi digjital e deri te teknologjia dhe inovacioni social.

Kristian Kabashi, një ndër zërat më të njohur në transformimin digjital në Zvicër dhe bashkëthemelues i startup-it të njohur “Numarics”, ndau me publikun konceptin e tij “The Blank Collar”, që eksploron mënyrat sesi teknologjia dhe njeriu ndërveprojnë në mjedisin modern të punës. Si fitues i çmimit “Swissalbs Entrepreneur of the Year 2023”, Kabashi solli në Tiranë një perspektivë të thellë mbi të ardhmen e punës dhe sipërmarrjes. Jurgen Vleminckx solli për audiencën shqiptare jo vetëm përvojën e tij si investitor, por edhe një ndjeshmëri njerëzore për prapaskenat e inovacionit. Në një tjetër dimension të sipërmarrjes, Eli Zhabevska, solli përvojën e saj si VC dhe si një nga ata profesionistë që dinë të zbulojnë potencialin aty ku të tjerët shohin rrezik.

Lexo edhe: Ardian Jusufi, shkencëtari shqiptar që po i mëson robotët të ‘mbijetojnë’ si ketri

Pjesë e rëndësishme e panelit ishte edhe Shefqet Avdullau, një figurë e mirënjohur e diasporës shqiptare në SHBA dhe Britaninë e Madhe, me një portofol të larmishëm investimesh në fusha si AI, FinTech dhe HealthTech. Z.Avdullau është një shembull konkret i kontributit të diasporës në zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare, jo vetëm përmes kapitalit, por edhe përmes mentorimit dhe rrjetëzimit.

Si themelues i Zeevou dhe investitor Naim Anis Payman tregoi sesi inteligjenca artificiale mund të riformësojë sektorin e mikpritjes dhe pasurisë së paluajtshme. Me një sfond si ekspert në investime strategjike, ai ofroi një perspektivë të re për sipërmarrësit shqiptarë që kërkojnë të hyjnë në këtë sektor.

Shkëlzen Marku, bashkëthemelues i Yunus Social Business Balkans, solli një frymë tjetër, atë të sipërmarrjes me ndikim social. Me më shumë se 20 vite eksperiencë në politikëbërje dhe zhvillim ekonomik, Marku vuri theksin te rëndësia e ndërtimit të bizneseve që nuk synojnë vetëm fitimin, por edhe përfshirjen dhe transformimin shoqëror.

Paneli i dytë me temën ‘Brenda rrugëtimit të themeluesve financues’, bashkoi në një diskutim  frymëzues Akil Rajdon, CEO i POK, Briseida Gjoza, CEO e Consciesg dhe Albi Zhulali, CEO i EU Presence,  të cilët ndanë eksperiencat e tyre të para, sfidat e mbledhjes së kapitalit dhe mësimet kyçe nga ndërtimi i një biznesi që kërkon të zgjerohet përtej kufijve kombëtarë.

Paneli theksoi gjithashtu sfidat strukturore me të cilat përballen startup-et shqiptare në fazat e hershme të zhvillimit, si mungesa e qasjes në financime të hershme, mentorim i specializuar dhe përgatitja për investime të mëdha. Megjithatë, të gjithë folësit nënvizuan se ekziston një potencial i jashtëzakonshëm në tregun shqiptar, që po pret të kanalizohet në mënyrë të zgjuar. Diskutimi u kthye në një udhërrëfyes për ata që duan të ndërtojnë startup-e me vizion global, por të mbështetura në vlerat dhe nevojat lokale.

Startup-et shqiptare, mes ambicies dhe sfidës
Startup-et shqiptare ndodhen sot në një moment kritik, nga njëra anë, kanë rritur kapacitetet teknike dhe po tentojnë të hyjnë në tregje ndërkombëtare; nga ana tjetër, përballen ende me mungesën e fondeve të hershme, mentorimit të strukturuar dhe qasjes në investitorë strategjikë.

Shqipëria ka prodhuar talente të jashtëzakonshme në fushat e teknologjisë dhe inovacionit, por një pjesë e madhe e tyre vijon të zhvillojë idetë jashtë vendit. Nisma si “Investor Talks” përbëjnë një ndërthurje të rëndësishme mes tregut lokal dhe skenës globale, duke krijuar ura mes inovatorëve vendas dhe kapitalit ndërkombëtar.

Për më tepër, vetë fakti që Shqipëria po tërheq emra të rëndësishëm të investimeve dhe sipërmarrjes nga Europa dhe SHBA tregon se vendi po shihet gjithnjë e më shumë si një terren me potencial për inovacion dhe teknologji.

50,000 euro për idenë më të mirë, një garë me vëmendje të lartë
Në përmbyllje të eventit, ALBAN Global ndau me pjesëmarrësit një lajm që ngjalli interes dhe emocion: një çmim prej 50,000 euro do të jepet për një startup fitues, si pjesë e një gare të posaçme që do të zhvillohet në vazhdim. Detajet e këtij kompeticioni do të bëhen publike së shpejti, por mesazhi ishte i qartë, ideja më e mirë jo vetëm do të shpërblehet financiarisht, por do të marrë mbështetje për t’u zhvilluar më tej në një biznes të qëndrueshëm dhe të shkallëzueshëm.

Ky hap i ALBAN Global është një shembull konkret i përkushtimit për të mbështetur jo vetëm retorikën e inovacionit, por edhe vetë sipërmarrësit, duke i dhënë frymë konkrete një ekosistemi që po kërkon të rritet, të ndërkombëtarizohet dhe të krijojë ndikim afatgjatë.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0