Paga deri në 500 mijë dollarë për talentët e AI-së, Mira Murati trondit Silicon Valley - Business Magazine Albania

Paga deri në 500 mijë dollarë për talentët e AI-së, Mira Murati trondit Silicon Valley

Thinking Machines Lab (TML), startup-i i ri dhe shumë i përfolur i inteligjencës artificiale, u themelua në fillim të këtij viti nga ish-CTO e OpenAI, Mira Murati. Edhe pse kompania nuk ka nxjerrë ende produkte në treg, tashmë ka investuar miliona dollarë për të rekrutuar emra të mëdhenj të industrisë.Sipas dokumenteve të brendshme të rekrutimit që i janë vënë në dispozicion redaksisë së Business Insider, TML po ofron paga bazë që shkojnë nga 450,000 deri në 500,000 dollarë në vit (rreth 381,000–423,000 euro) për inxhinierë teknikë të nivelit të lartë.

Një prej punonjësve figuron në dokument si “bashkëthemelues/specialist i të mësuarit të makinerive” me një pagë vjetore prej 450,000 dollarësh. Të dhënat burojnë nga deklarimet e detyrueshme për vizat H-1B, të cilat kompanitë amerikane duhet të dorëzojnë kur punësojnë shtetas të huaj.

Këto shifra përfaqësojnë vetëm pagat bazë, duke përjashtuar shpërblimet hyrëse apo opsionet në aksione, përbërës që shpesh përfaqësojnë pjesën më të madhe të paketës së përgjithshme të shpërblimit në një startup.

Lexo edhe: Mira Murati mbledh fonde rekord për startup-in e saj të AI-së

Sa paguajnë konkurrentët?
Për krahasim, sipas dokumenteve, paga mesatare bazë për punonjësit teknikë në OpenAI është rreth 292,000 dollarë (247,000 euro). Pozicioni më i paguar atje arrin në 530,000 dollarë (448,000 euro), ndërsa më i ulëti fillon nga 200,000 dollarë (169,000 euro). Tek Anthropic, një tjetër startup i njohur në fushën e AI-së, punonjësit teknikë paguhen mesatarisht 387,500 dollarë (328,000 euro), me një diapazon që shkon nga 300,000 deri në 690,000 dollarë (254,000–584,000 euro).

Gara për talentet e AI-së  po çon pagat në qiell
Të dhënat i përkasin tremujorit të parë të këtij viti, përpara se TML të siguronte një raund financimi “seed” prej 2 miliardë dollarësh (1.7 miliardë euro), me një vlerësim prej 10 miliardë dollarësh (8.5 miliardë euro), siç kishte raportuar më parë Gründerszene.

Gara për të rekrutuar mendjet më të mira po bëhet gjithnjë e më e egër: në fillim të këtij muaji, CEO i OpenAI, Sam Altman, deklaroi se Meta po përpiqej të tërhiqte zhvillues përmes bonuseve deri në 100 milionë dollarë (84.6 milionë euro).

Përforcime të kalibrit të lartë për TML
Përveç pagave të larta, Thinking Machines Lab po spikat edhe për ekipin e përbërë nga emra të njohur të industrisë: Bob McGrew, ish-drejtor kërkimi në OpenAI, është bashkuar me kompaninë, ashtu si Alec Radford, një tjetër studiues i mirënjohur.

Në TML janë rekrutuar gjithashtu John Schulman, një nga krijuesit e ChatGPT; Jonathan Lachman, ish-drejtor i projekteve të veçanta në OpenAI; si dhe Barret Zoph dhe Alexander Kirillov, të dy të përfshirë ngushtësisht në zhvillimin e ChatGPT.

Sipas faqes zyrtare të kompanisë, për momentin nuk pranohen më aplikime të reja.

Një themeluese me përvojë nga brenda
Mira Murati kaloi rreth gjashtë vite e gjysmë te OpenAI dhe ishte një nga figurat kyçe në zhvillimin e ChatGPT dhe iniciativave të tjera të avancuara të inteligjencës artificiale. Në nëntor 2023, ajo u emërua CEO e përkohshme pas largimit të papritur të Sam Altman.

Pas rikthimit të Altman, Murati u rikthye në rolin e saj si CTO, përpara se të largohej nga kompania në fillim të këtij viti për të themeluar Thinking Machines Lab.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0