Europa përballet me një rrezik të madh nëse nuk arrin të rrisë produktivitetin dhe të zhbllokojë potencialin e saj ekonomik. Kështu deklaroi drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, në një intervistë për Euronews.com, duke paralajmëruar se standardi i jetesës në kontinent mund të bjerë nëse nuk merren masa të shpejta dhe të vendosura. “Nuk dua që Europa të kthehet në një version tjetër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por dua që të jetë më funksionale dhe më produktive,” u shpreh Georgieva.Sipas saj, kontinenti duhet të ecë përpara në konsolidimin e tregut të përbashkët, një nga shtyllat më të rëndësishme të Bashkimit Europian. “Në Europë ne shijojmë të qenit një superfuqi e stilit të jetesës. Por nëse nuk bëhemi më produktivë, rrezikojmë ta humbasim këtë përparësi,” theksoi ajo.
Lexo edhe: Puna nga shtëpia po bie globalisht, a është ky fundi i fleksibilitetit?
Deklaratat e Georgievës erdhën në prag të publikimit të një deklarate të re nga FMN-ja, me rekomandime për ekonomitë e eurozonës. FMN thekson se, edhe pse nuk ka tarifa mes vendeve anëtare të BE-së, ekzistojnë ende pengesa të rëndësishme rregullatore dhe burokratike që dëmtojnë konkurrueshmërinë. Sipas vlerësimeve të FMN-së, këto pengesa janë ekuivalente me një tarifë 44% për mallrat dhe 110% për shërbimet, çka e bën tregun e brendshëm europian shumë më pak efikas krahasuar me SHBA-në.
Në Amerikë, 70% e produkteve të prodhuara në një shtet konsumohen në shtete të tjera, ndërsa në Europë kjo shifër është vetëm 30%. Pjesa tjetër konsumohet brenda vendit, gjë që e kufizon rritjen dhe e bën tregun më të vogël e më të fragmentuar.
“Nëse Europa e përfundon ndërtimin e plotë të tregut të përbashkët, në një dekadë mund të rrisë PBB-në me 3%,” vlerëson Georgieva.
Pesë hapa kyç për rritjen e produktivitetit në BE
Deklarata e FMN-së identifikon disa fusha kyçe ku duhet vepruar:
- Reduktimi i fragmentimit rregullator,
- Mbështetja e mobilitetit të fuqisë punëtore,
- Lehtësimi i bashkimeve ndërkufitare të bankave,
- Integrimi i tregut të energjisë,
- Përparimi i unionit të tregjeve të kapitalit (CMU).
Ky i fundit synon që kursimet dhe investimet të qarkullojnë lirshëm në të gjithë BE-në, duke i dhënë më shumë mundësi bizneseve për të gjetur burime financimi dhe për të krijuar vende të reja pune.
FMN sugjeron gjithashtu që BE-ja të rrisë angazhimin e investitorëve institucionalë me kapitalin sipërmarrës (venture capital), si dhe të heqë barrierat e panevojshme për të investuar në këtë formë kapitali që mbështet rritjen.
FMN parashikon një rritje modeste për eurozonën: 0.8% në vitin 2025, me një përmirësim të lehtë në 1.2% në vitin 2026. Por tensionet tregtare dhe gjeopolitike pritet të rëndojnë mbi besimin, investimet dhe konsumin. Për sa i përket politikës monetare, qëndrimi i rekomanduar është neutral, pasi inflacioni është afër objektivit 2% të Bankës Qendrore Europiane.
Në lidhje me shpenzimet publike dhe qëndrueshmërinë fiskale, FMN thekson se vendet me financa të qëndrueshme duhet të ndihmojnë vendet me më pak hapësirë manovrimi. Rregullat fiskale të BE-së nuk duhet të pengojnë vendet me rrezik të ulët fiskal nga rritja e investimeve që rrisin potencialin ekonomik dhe qëndrueshmërinë ndaj krizave.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.