Disa postime virale në rrjete sociale kanë përhapur gabimisht lajmin se Ryanair dhe linja të tjera ajrore që operojnë me kosto të ulët do të prezantojnë “ulëse në këmbë” në fluturimet e tyre. Kompania irlandeze e ka mohuar kategorikisht këtë pretendim.
Sipas spekulimeve, këto ulëse do t’i vendosnin pasagjerët në një pozicion të pjesshëm në këmbë, me mbështetje në shpinë dhe rripa sigurie, duke synuar të rrisnin kapacitetin e avionëve në udhëtime të shkurtra. Megjithatë, Ryanair ka sqaruar se nuk ka plane për një ndryshim të tillë.
Zërat nisën pasi disa media raportuan se prodhuesi italian Aviointeriors do të fillonte furnizimin e Ryanair-it me modelin “Skyrider” në vitin 2026. Por kompania italiane e ka hedhur poshtë këtë informacion, duke sqaruar se ulësja në fjalë është thjesht një prototip eksperimental i prezantuar në vitin 2012, dhe nuk është futur kurrë në prodhim.
Lexo edhe: TikTok lançon platformën e re, “TikTok for Artists”
Spekulimet janë nxitur edhe nga deklaratat e kaluara provokuese të drejtuesit të Ryanair, Michael O’Leary, i cili është i njohur për idetë e tij të pazakonta dhe shpesh ironike, si tualetet me pagesë apo tarifat shtesë për pasagjerët mbipeshë – që më tepër kanë pasur për qëllim tërheqjen e vëmendjes sesa zbatimin real.
Edhe pse teorikisht ulëset gjysmë-në-këmbë mund të përmbushin standardet minimale të sigurisë për fluturime të shkurtra, shqetësimet kryesore mbeten rehatia, lodhja dhe rreziku për qarkullimin e gjakut. Kjo bën që, pavarësisht çmimeve më të ulëta, një pjesë e madhe e pasagjerëve do ta refuzonte këtë koncept.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto