Blackout-i historik në Spanjë dhe Portugali: Çfarë na mësoi kjo krizë energjetike? - Business Magazine Albania

Blackout-i historik në Spanjë dhe Portugali: Çfarë na mësoi kjo krizë energjetike?

Spanja dhe Portugalia janë ende në përpjekje për t’u rikuperuar nga ndërprerja më e madhe e energjisë elektrike që është regjistruar në historinë europiane të viteve të fundit. Rreth 60 milionë qytetarë u prekën nga ndërprerja e papritur që ndodhi pak pas mesditës së ditës së hënë. Ndërsa furnizimi me energji është kthyer në normalitet në pjesën më të madhe të rajonit, vëmendja tani është përqendruar në zbulimin e shkakut të incidentit.

Spekulimet kanë nisur menjëherë dhe një pjesë e opinionit publik ka nxituar të fajësojë burimet e energjisë së rinovueshme, të cilat përbëjnë tashmë një pjesë të konsiderueshme të miksit energjetik të të dy vendeve. Madje, tituj si “Energjia e pastër fajtorja për kaosin elektrik”, siç raportoi gazeta britanike The Daily Telegraph, kanë nisur të qarkullojnë me shpejtësi, megjithëse asnjë prej ekspertëve të cituar në artikull nuk e mbështet këtë përfundim. Në fakt, shkaku i saktë i ndërprerjes mbetet ende i paqartë.

Të martën në mëngjes, drejtori i shërbimeve në operatorin spanjoll të rrjetit elektrik Red Eléctrica, Eduardo Prieto, deklaroi se hetimet paraprake kanë përjashtuar një sulm kibernetik, një frikë e përhapur menjëherë pas incidentit. Po ashtu, edhe zyra kombëtare meteorologjike spanjolle, AEMET, përjashtoi kushtet ekstreme të motit si shkaktarë. “Gjatë datës 28 prill, nuk u regjistrua asnjë fenomen atmosferik apo meteorologjik i pazakontë dhe as ndonjë ndryshim i papritur i temperaturave në rrjetin tonë të stacioneve,” theksoi AEMET në një deklaratë për mediat.

Çfarë ndodhi me burimet e rinovueshme gjatë ndërprerjes?
Sipas të dhënave zyrtare nga faqja e operatorit të rrjetit, konsumi i energjisë në Spanjë ra ndjeshëm rreth orës 12:30 të mesditës, duke u zhytur nga 25GW në vetëm 10GW brenda një çasti. Prieto shpjegoi se dy ngjarje të njëpasnjëshme, njëra në orën 12:32 dhe tjetra vetëm një sekondë e gjysmë më pas, tregojnë për një “shkëputje të prodhimit” që ndërpreu furnizimin në të gjithë gadishullin Iberik.

Ndërsa rrjeti i rezistoi valës së parë, nuk mundi ta përballonte të dytën. Mendohet se problemi nisi në jugperëndim të Spanjës, një rajon me përqendrim të lartë të prodhimit të energjisë diellore. Disa ekspertë kanë paralajmëruar më herët se rrjeti energjetik i Spanjës ka nevojë për përmirësime për të përballuar ritmin e shpejtë të integrimit të burimeve diellore dhe të erës. Megjithatë, të tjerë theksojnë se operatorët në Spanjë dhe Portugali janë tashmë të trajnuar për të menaxhuar karakterin e ndërprerë të energjisë së rinovueshme.

Sipas Fondacionit spanjoll të Energjisë së Rinovueshme (Fundación Renovables), centralet me kapacitet mbi 2MW u shkëputën si pasojë e një luhatjeje në frekuencën e rrjetit – një procedurë standarde sigurie. Në një deklaratë të tyre thuhej se kjo luhatje ishte “pasojë” dhe ” jo shkaku” i situatës. “Fakti që Spanja ka një prodhim të lartë të energjisë nga burime të rinovueshme nuk ka asnjë lidhje me dështimet në rrjet që ndodhën të hënën,” thuhej në deklaratë. “Na vjen keq që një situatë kaq serioze po përdoret për të përhapur dezinformim dhe për të shtrembëruar realitetin në një moment të ndjeshëm për qytetarët e prekur.”

Lexo edhe: Errësirë apokaliptike në Spanjë e Portugali, ndërpritet energjia, dyshimet për sulm kibernetik

Në një konferencë për shtyp, Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez i cilësoi akuzat ndaj energjisë së rinovueshme si “gënjeshtra”, duke kritikuar ashpër ata që e lidhën ndërprerjen me mungesën e energjisë bërthamore. “Ata që fajësojnë mungesën e energjisë bërthamore për këtë ndërprerje, ose po gënjejnë, ose nuk e kuptojnë çfarë po ndodh,” u shpreh ai. Qeveria ka ngritur një komision të posaçëm për të hetuar ngjarjen, dhe do të shqyrtojë edhe rolin e kompanive private energjetike.

Energjia diellore ndihmoi në rimëkëmbjen e rrjetit
Mbështetësit e energjisë së rinovueshme theksojnë se burimet si dielli dhe era janë të besueshme dhe thelbësore për sigurinë energjetike. Stephen Jarvis, pedagog në London School of Economics, i cili po monitoronte ndryshimet në rrjet, vuri re se në kulmin e krizës, energjia diellore, ajo me erë dhe hidrocentrale po vijonin të furnizonin sistemin, ndërkohë që bërthamorja, gazi dhe qymyri kishin dalë jashtë funksioni.

Sipas Fundación Renovables, ishte pikërisht përqindja e lartë e energjisë së rinovueshme që ndihmoi Spanjën të rikuperohej më shpejt. “Nëse nuk do të kishim kaq shumë kapacitet të rinovueshëm, rikthimi në normalitet do të kishte zgjatur shumë më tepër,” thuhej në reagimin e tyre.

Ndërkohë, Sonia Dunlop, drejtuese e Global Solar Council, vuri në dukje rëndësinë e paneleve diellore në raste të tilla. “Nëse ke panele diellore dhe bateri ruajtjeje të instaluara në shtëpi ose biznesin tënd, dhe janë të lidhura për të funksionuar edhe jashtë rrjetit qendror, atëherë je shumë më i mbrojtur nga ndërprerjet,” shkroi ajo në rrjetin X (ish-Twitter).

Ky incident ka rikthyer gjithashtu në vëmendje debatin mbi izolimin energjetik të gadishullit Iberik brenda BE-së, për shkak të lidhjeve ende të kufizuara me rrjetin europian. A do ta kishte ndihmuar më shumë lidhja me rrjetin europian Spanjën dhe Portugalinë – apo do të kishte rrezikuar shtete të tjera? Kjo mbetet për t’u analizuar në vijim.

Burimi: Euronews.com/ Përshtati: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Mos ndiq pararatë, ndiq pasionin.”
— Tony Hsieh
Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0