Rikthehet 'Muza Competition 4', platforma që ndërthur kulturën dhe modën shqiptare - Business Magazine Albania

Rikthehet ‘Muza Competition 4’, platforma që ndërthur kulturën dhe modën shqiptare

Muza Competition rikthehet këtë vit me edicionin e saj të katërt, duke sjellë më shumë ambicie, kreativitet dhe ndikim ndërkombëtar si kurrë më parë. Kjo nismë që është tashmë një nga platformat më të rëndësishme për të rinjtë shqiptarë në fushën e fashion-design-it, udhëhiqet nga znj. Andriola Kambo, Drejtoreshë Ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon.

Edicioni i këtij viti e vendos theksin tek dialogu mes trashëgimisë kulturore shqiptare dhe shprehjes së saj nëpërmjet industrisë së modës, duke inkurajuar të rinjtë që të frymëzohen nga etnografia shqiptare për të krijuar koleksione unike dhe bashkëkohore. Muza nuk është thjesht një garë – është një hapësirë afirmimi dhe zhvillimi profesional, ku talenti takohet me vizionin dhe rrjetëzimi me eksperiencën.

Konkursi është i hapur për të gjithë të rinjtë e apasionuar pas dizajnit të modës, të moshës nga 18 deri në 35 vjeç. Procesi i aplikimit është i hapur deri më 28 prill 2025, në orën 17:00, në adresën zyrtare të projektit: muzacompetition@gmail.com. Pas përzgjedhjes paraprake, aplikantët do të kenë mundësinë të prezantojnë punimet e tyre përpara një jurie të përbërë nga emra të njohur të botës së artit, modës dhe medias shqiptare. Juria do të përzgjedhë dhjetë finalistë, të cilët do të shpalosin koleksionet e tyre në një event përmbyllës të nivelit të lartë, që pritet të kthehet në një ngjarje të rëndësishme kulturore.

Muza Competition synon të krijojë një skenë ku moda shqiptare të përfaqësohet denjësisht në arenën ndërkombëtare, përmes energjisë dhe shpirtit novator të brezit të ri. Pjesëmarrësit nuk përfitojnë vetëm mundësi prezantimi, por edhe njohje, mentorim dhe kontakte të vlefshme për të ardhmen e tyre profesionale.

Për më shumë informacion mbi rregullat e aplikimit dhe zhvillimin e konkursit, të interesuarit mund të vizitojnë faqen zyrtare të projektit: muzacompetition.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0