BSH: Ekonomia shqiptare e qendrueshme gjatë 2024-ës, turizmi performoi më mirë - Business Magazine Albania

BSH: Ekonomia shqiptare e qendrueshme gjatë 2024-ës, turizmi performoi më mirë

Në mbledhjen e datës 2 prill 2025, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2024, një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. 

Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024, veprimtaria e sektorit financiar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u zgjeruan pavarësisht efektit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit, kapitalizimi i veprimtarisë mbeti në nivele të mira, ndërsa fitimi u përmirësua në mënyrë të ndjeshme. Rreziqet e veprimtarisë vlerësohen në nivele të kontrolluara dhe në tërësi, sektori bankar është i qëndrueshëm ndaj tyre. Megjithatë, sfidat për veprimtarinë bankare dhe financiare vlerësohen në rritje, ndaj performanca më e mirë financiare duhet të përdoret nga bankat për të përmirësuar infrastrukturën e administrimit të rreziqeve.

Zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe investimeve, si edhe performanca e fortë e sektorit të turizmit. Rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit e të pagave. Politika fiskale ruajti një prirje konsoliduese gjatë pjesës më të madhe të vitit, në kushtet e rritjes së ndjeshme të të ardhurave fiskale. Presionet inflacioniste erdhën në rënie, ndaj Banka e Shqipërisë lehtësoi politikën e saj monetare. Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme dhe lidhen kryesisht me pasigurinë dhe ndikimin që përcjellin zhvillimet ndërkombëtare. Në këto kushte, mbetet e rëndësishme që politikat ekonomike dhe financiare të autoriteteve publike dhe veprimet e pjesëmarrësve të tregjeve, të synojnë ruajtjen e rezervave financiare që mbështesin mirëfunksionimin e veprimtarisë së tyre.

Këshilli Mbikëqyrës miratoi dhe raportin gjashtëmujor të përmbushjes nga sektori bankar të kërkesës për kapitalin dhe detyrimet e pranuara (MREL), një parametër i rëndësishëm në procesin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Niveli i ndërmjetëm i MREL-it për fundin e vitit 2024, në nivelin 18.2%, u plotësua nga të gjitha bankat që i nënshtrohen kësaj kërkese. Kapaciteti i MREL-it u vlerësua në nivelin 22.9%, dhe në strukturën e tij mbizotërojnë instrumentet e kapitalit bazë të nivelit të parë. Niveli i plotë i MREL-it është parashikuar të plotësohet në vitin 2027, në nivelin 24.9%.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0