Shqiptarët preferojnë punën në shtet, rreth 18 aplikime për një vend pune gjatë 2024-ës - Business Magazine Albania

Shqiptarët preferojnë punën në shtet, rreth 18 aplikime për një vend pune gjatë 2024-ës

Puna në administratë vijon të jetë e lakmuar nga një pjesë e konsiderueshme individësh dhe numri mesatar i aplikimeve për një vend pune shënoi rritje në vitin 2024.

Të dhënat e Departamentit të Administratës Publike tregojnë se mesatarisht në vitin që lamë pas ishin 17.55 aplikime për një vend pune, duke shënuar rritje në raport me mesataren e vitit paraardhës 2023 kur ishin 13.5.

“Të dhënat për vitin 2024 tregojnë se ka pasur mesatarisht rreth 17.55 aplikime për pozicion, bazuar në 26502 aplikime në total, për 1510 pozicione të shpallura” thuhet në raportin vjetor të DAP.

I njëjti ndalet edhe në faktin se pse ky tregues është i rëndësishëm duke nënvizuar se një numër i lartë aplikantësh për pozicion tregon deri diku pëlqyeshmërinë e shërbimit civil dhe besimin e aplikantëve në procedura konkurrimi të drejta dhe të bazuara në meritë.

“Nga ana tjetër, mund të jetë edhe një tregues i kritereve minimale të pranimit apo kritereve shumë të përgjithshme për disa raste. Një tjetër arsye mund të jetë edhe aplikimi i kandidatëve, pa i kushtuar rëndësi kritereve, duke bërë disa aplikime njëkohësisht.

Ka disa arsye që mund të çojnë në një vlerë të konsiderueshme të këtij treguesi ndaj dhe analiza e të dhënave, kombinuar me tregues të tjerë, do të ishte me vlerë. Psh: kombinuar me përqindjen e aplikantëve të paraseleksionuar, pra ata që plotësojnë kriteret e shpallura, ky tregues mund të ndihmojë administratën të kuptojë sesi politika apo nisma të caktuara mund të ndikojnë tek vlerat e këtij indikatori” thuhet në raport.

Administrata i është nënshtruar vit pas viti një seri politikash për rritjen e pagave ku një ndër më kryesoret dhe që përfshiu një pjesë të mirë të saj zuri vend vitin e shkuar nën premtimin e pagës mesatare 900 euro.

Duke u ndalur në një analizë më të detajuar sipas llojit të procedurës raporti vlerëson se numri mesatar i aplikikantëve për procedurën e pranimit në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive ishte 20.3.

Për procedurën e lëvizjes paralele 1.3. Procedura e ngritjes në detyrë rezulton mestarisht me 3 aplikantë kurse procedura e pranimit nga jashtë shërbimit civil në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese me mesatarisht 31.5 aplikantë.

“Nga 26502 aplikime në total, janë kualifikuar për vijimin e procedurave, pas plotësimit të kritereve për pozicionet e shpallura, 54% e tyre. Numri mesatar i aplikantëve të kualifikuar për pozicion pune ka qenë 9.4. Gjithashtu, rezulton se numri mesatar e aplikimeve për një aplikant gjatë vitit 2024 ka qenë 5.76” vlerëson DAP./ N.Maho

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0