A mund ta ëndërroni një botë ku dashuria, mirësjellja dhe mbështetja janë për të gjithë? Kjo është ajo që Fondacioni Down Syndrome Albania (DSA) përpiqet të ndërtojë çdo ditë. Dhe tani, ata kanë nevojë për dorën tonë më shumë se kurrë.
Një ditë për t’i dhënë zë ndryshimit
21 Marsi është Dita Botërore e Sindromës Down – një ditë që na fton të mendojmë për barazinë, përfshirjen dhe mundësitë për ata që jetojnë me këtë sindromë. Çorapet shumëngjyrëshe janë simboli i kësaj dite dhe këtë vit ato vijnë me një mesazh të qartë:
“T’i bëjmë thirrje qeverive të krijojnë sisteme që mbështesin”.
Të marrësh pjesë në këtë fushatë është një gjest i vogël, por me një peshë të madhe!. Është një hap i madh për të treguar se të drejtat e individëve me sindromën Down na interesojnë dhe se qëndrojmë krah tyre e familjeve të tyre. Mbi të gjitha, është një mënyrë për të ndihmuar që shërbimet kaq të nevojshme për këta fëmijë të mos ndalen.
Një vit plot sfida, por një kauzë që s’bie kurrë
Fondacioni po kalon një kohë të vështirë. Pas më shumë se dhjetë vitesh punë pa u lodhur, vazhdimësia e shërbimeve terapeutike për fëmijët që jetojnë në familje të varfëra apo me vështirësi ekonomike, mund të jenë në rrezik. Çdo muaj, Qendra PRO PAK e Fondacionit, ndihmon 45 fëmijë me sindromën Down, autizëm, sindroma të rralla dhe probleme me të folurin. Këto shërbime janë si një dritë shprese për zhvillimin e tyre drejt një jete të pavarur dhe gjithëpërfshirëse, dhe fushata “Çorapet Shumëngjyrëshe” është shansi ynë për t’i mbajtur ndezur.
Si mund të ndihmojmë?
- Porosisni çorapet duke plotësuar këtë Formular deri më datë 10 mars, nëse dëshironi që ato t’ju vijnë me postë në adresën tuaj.
- Nëse ke një biznes, bli çorape për ekipin tënd ose lejo DSA-në të vendosë një stendë në ambjentet e kompanisë.
- Ftoni miqtë e familjarët tuaj të bëhen pjesë e fushatës.
- Nëse dëshironi që çorapet t’i blini diku i gjeni ato në shitje në pikat si më poshtë, duke nisur nga data 6 Mar 2025:
Hapat e Vegjël (Rruga e Kavajës), LeFutur (Rruga Sami Frashëri), Prenatal, Okaidi, Shtëpia e Lodrave, ambjentet e Albanian Night, Infosoft, Librari Adrion.
Më 21 mars, vish çorapet, bëj një foto ose video dhe ndaje në rrjete sociale me hashtagët #21Mars, #DitaBoteroreeSindromesDown, #CorapetShumengjyreshe, #DSAlbania.
Çdo palë çorape e shitur përcjell solidaritet dhe mbështetje
Këto çorape s’janë thjesht një copë pëlhurë – ato janë një mesazh, një ndihmë e vërtetë për fëmijët dhe prindërit e tyre dhe Fondacionin për të ecur përpara me mbështetjen e komunitetit.
Sa kushtojnë çorapet?
- 1 palë: 600 lekë
- 5-9 palë: 550 lekë/pala
- 10+ palë: 500 lekë/pala
Masat e çorapeve:
- 27-30 – masë për fëmijë
- 31-34 – masë për fëmijë
- 36-40 – masë për të rritur
- 41-45 – masë për të rritur
Për porosi jashtë Shqipërie, tarifa postare varion nga gramatura dhe shteti, por kosto finale do t’ju komunikohet me WhatsApp para postimit të dërgesës. Në këtë rast, ju duhet ta kryeni si fillim pagesën online në https://www.dsalbania.org/index.php/dhuroni-me-visamastercard ose përmes PayPal në adresën downsyndromealbania@gmail.com
Le të bëhemi bashkë për këtë kauzë kaq të rëndësishme!
Nëse keni një ide më të mirë dhe të qëndrueshme për të mbështetur punën dhe shërbimet e Fondacioni, kontaktoni me Emanuelën, themeluesen dhe drejtuesen e Fondacionit. Theksojmë dhe një herë nevojën e madhe për dhurime individuale si dhe mbështetje nga sektori i biznesit.
Kjo fushatë është shansi ynë për të bërë diçka të vogël që sjell një ndryshim të madh. Me mbështetjen tënde, një fëmijë mund të ketë terapinë që i duhet, në vend që ta humbasë atë. Nëse ke pyetje rreth fushatës, telefono Admirin në +355 69 560 6269.
Eja të ngjyrosim botën me çorape shumëngjyrëshe dhe dashuri! 💙💛💜
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
