Aktualisht, tregu i punës nuk është dhe aq i mirë. Vetëm sektori i teknologjisë, reduktoi më shumë se 170,000 vende pune këtë vit. Infektimi i humbjes së vendeve të punës është përhapur në shumicën e industrive.
Shumë kompani kanë vendosur të ndalojnë përkohësisht punësimin e punonjësve të rinj, për të zvogëluar shpenzimet.
Pavarësisht sfidave, ndonjëherë ju duhet të bëni një lëvizje dhe të ndërroni punë. Edhe pse mund të jetë e vështirë, i detyroheni vetes të jeni të lumtur në vendin e punës.
Nëse jeni në dilemë se çfarë të bëni, në vazhdim janë disa pyetje, që duhet t’i bëni vetes, përpara se të merrni vendimin për t’u larguar nga puna.
A ju mungon dukshëm kënaqësia në punë?
Nëse jeni të pakënaqur me punën tuaj aktuale, mund të jetë një shenjë se ju duhet të filloni të kërkoni për një të re. Nëse nuk po e shijoni punën tuaj, ndiheni të papërmbushur ose nuk jeni mjaft të sfiduar, motivimi në punë do të ulet. Si pasojë, edhe produktiviteti do të bjerë.
A mendoni se nuk ka asnjë rrugë për të ecur përpara brenda kompanisë?
Ndonjëherë vuani nga stanjacioni në punë. Nuk po rriteni, nuk po mësoni ose nuk po përballeni me sfida të reja. Aftësitë tuaja nuk po përdoren plotësisht.
Ju i detyroheni vetes, që të kërkoni një rol, i cili mund të ofrojë rritje dhe zhvillim profesional.
A ka mungesë të ekuilibrit punë-jetë?
Nëse puna juaj kërkon shumë kohë dhe energji, duke ju lënë pak ose aspak kohë për veten ose familjen, kjo është një shenjë paralajmëruese, që duhet të ndiqni mundësi të tjera.
Përndryshe, mund të çojë në burnout dhe të ndikojë negativisht në shëndetin tuaj fizik, mendor dhe emocional. Një ekuilibër i dobët punë-jetë, mund të tensionojë gjithashtu marrëdhëniet me familjen dhe miqtë, duke ju bërë të humbni lidhjet kuptimplota.
A ndodheni në një mjedis toksik pune?
Një mjedis pune toksik mund të përkufizohet si një mjedis ku ka një nivel të lartë stresi, komunikim të dobët ose mungesë respekti dhe mbështetjeje nga kolegët ose menaxherët. Ky mjedis pune mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin tuaj mendor dhe performancën në punë, gjë që është një shenjë për të filluar kërkimin e një pune të re.
Lexo: Majlinda Deda fiton çmimin e parë të Tirana Foto Festival
A ka mungesë vlerësimi për përpjekjet tuaja?
Nëse mendoni se kontributet tuaja në punë, nuk po njihen apo vlerësohen, mund t’ju duhet të largoheni dhe të gjeni një vend ku do të vlerësoheni. Përpara se ta bëni këtë, kërkoni një takim me drejtuesin për të diskutuar shqetësimet tuaja. Paraqitni qartë dhe shkurt të gjithë punën që keni bërë.
Nëse puna juaj aktuale nuk ofron stabilitet të mjaftueshëm financiar, ose ndiheni të papaguar, mund të jetë një shenjë se duhet të filloni të kërkoni një punë më të paguar.
Keni mosbesim ndaj shefit tuaj dhe ekipit drejtues?
Nëse nuk u besoni apo nuk respektoni vendimet e marra nga drejtuesit, ose nëse ka mungesë transparence, mund të jetë një shenjë se ju duhet të gjeni një punë të re, ku të ndiheni më mirë dhe më të sigurt.
Reflektoni pse nuk i besoni shefit ose ekipit drejtues. A është kjo për shkak të diçkaje, që ata kanë bërë ose thënë, apo është për shkak të ndjenjës suaj të përgjithshme?
Identifikimi i arsyeve për mungesën tuaj të besimit, mund t’ju ndihmojë të përcaktoni rrugën më të mirë të veprimit.
Para se të merrni ndonjë vendim të nxituar, flisni me shefin tuaj, një koleg të besuar, mentor ose person të burimeve njerëzore, për të parë nëse ata mund ta lehtësojnë situatën. / Forbes
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.