Switch Technologies, kompania e 20 vjeçarëve, që ofron kurse programimi në Elbasan - Business Magazine Albania

Switch Technologies, kompania e 20 vjeçarëve, që ofron kurse programimi në Elbasan

Klised Rungo dhe Kleo Zane janë dy nga themeluesit e Switch Technologies, startup i nisur në qytetin e Elbasanit. Ata sapo kanë mbushur 20 vjeç dhe synojnë të ofrojnë kurset e programimit.

Gjatë intervistës Klisedi tregon se, “kjo ishte ide e Kleo Zane dhe Elvi Xhaferri, të dy programues me të cilët u bashkova në rolin e menaxherit dhe ekspertit të marketingut. Për një periudhë kohe filluam të rrihnim idetë si mund ta organizonim punën dhe si mund të gjenim financime. Ideja jonë u prit mjaft mirë, jo vetëm nga familjarët dhe miqtë, por edhe nga ata të cilët nuk i njihnim.

Switch Technologies ndoqi një rrugë të gjatë që nga ngjizja e idesë deri në lindjen e saj si një startup në qytetin e Elbasanit.

“Ne e kemi nisur nga inkubatori Junior Up, e financuar nga Junior Achievement Albania, ku për rreth një vit jemi trajnuar nga trajnerë të huaj dhe shqiptarë në fushën e sipërmarrjes dhe marketingut. Më pas kemi  marrë pjesë në Festivalin e Startup-eve në Estoni si dhe në Pirate Summit, një eveniment botëror. Në Pirate Summit idea jonë ishte ndër 24 idetë e prezantuara dhe e vetmja nga Ballkani. Ideja jonë u prit shumë mirë, por ne kishim një disavantazh të madh. Disavantazhi ishte se vinim nga Shqipëria një shtet ku investohet shumë pak për Startup-e ndryshe nga konkurentët tanë të tjerë”, thonë drejtuesit.

Interesant është identifikimi i fushës së veprimit të këtij Startup dhe rajonit të zgjedhur për të operuar. Për këto pyetje Klised Rungo dhe Kleo Zane kanë përgjigje të qarta.

Në nivel botëror ka mungesa për programues. Pritet që deri në 2030 në nivel botëror do kërkohen deri 90 milionë programues. Këto mungesa reflektohen edhe në tregun shqiptar. Kompanitë e zhvillimit, të cilat shtrihen kryesisht në Tiranë kanë mungesa programuesish. Zgjidhja që po ndjekin aktualisht është ngritja e kurseve për programues brenda kompanive të tyre. Ato kanë hapur nënkompani për të përgatitur programuesit e tyre. Kjo zgjidhje është e cunguar. Programuesit e formuar në këto kompani kanë formim të pjesshëm dhe të fokusuar vetëm në punën që do bëjnë në kompani. Kjo ndodh sepse kompanitë e zhvillimit synojnë të plotësojnë vendet e punës vakante dhe jo të formojnë programues në “360 gradë”, thonë drejtuesit e startup-it.

Ata theksojnë se, formimi i programuesëve vetëm për një punë të caktuar ka kosto shumë më të ulët dhe kërkon më pak kohë, mjaftojnë tre deri në gjashtë muaj. Elbasani është një qytet pak më i vogël se Tirana, i cili ende nuk kishte qendër kursesh programimi. Kompanitë që ofrojnë këtë shërbim ndodhen në Tiranë dhe kryeqyteti është i mbingarkuar. “Synimi ishte të ngrinim këtë qendër kursesh për të formuar profesionistë në programim të aftë për të punuar në kompanitë më të mira si dhe për të punuar të pavarur”, thonë drejtuesit .

Tashmë ju jeni operativ me kurset tuaja të programimit. Na tregoni si ka qenë interesimi për to dhe çfarë strukture kanë kurset?

Interesimi për fatin e mirë ka qenë i madh duke tejkaluar pritshmëritë tona. Në pamje të parë duket sikur në Elbasan ka vetëm mosha të treta por në fakt kemi vënë re që ka mjaft të rinj të cilët kanë dëshirë të mësojnë programim. Përpara se të nisnim fushatën e rekrutimeve për kurset tona ne kemi zhvilluar disa takime. Takimet janë zhvilluar në disa shkolla të mesme dhe në universitete ku pritja ka qenë shumë e mirë. Ne u kemi dhënë mundësinë të marrin pjesë edhe atyre të cilët nuk kanë mundësi ekonomike apo që nuk kanë kohë të ndjekin kurset duke bërë programe intensive.  Kursi është ndërtuar në mënyrë të tillë që tu japë informacion studentëve që nga elementët bazë pavarësisht njohurive të tyre paraprake. Ne kemi vërejtur se nuk mjafton një kurs prej tre muajsh për të dalë një programues i mirë dhe kështu e kemi shtrirë kohëzgjatjen e kursit tonë në dymbëdhjetë muaj. Përveç njohurive të kodimit gjatë kursit nxitet mendimi kritik dhe zgjidhja e problematikave çka bën dallimin e një programuesi nga një kodues i thjeshtë.

Lexo: Shkencëtarja aktiviste e Kosovës që ndërtoi nanosatelitin e parë

Klised Rungo dhe Kleo Zane folën gjithashtu për objektivat e tyre afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Ata u shprehën të hapur për ide dhe bashkëpunime në shtrirjen e aktivitetit të tyre në fusha të tjera: “Të pyesësh një njeri për idenë e tij si do të ecë dhe a do ketë zhvillim në të ardhmen është pyetja më e vështirë”.

Në dy vitet e para ne synojmë të shtrihemi brenda Qarkut të Elbasanit. Më pas synojmë të shtrihemi në ato qytete që kanë universitete si: Shkodra, Vlora, Korça, Durrësi e Gjirokastra. Më pas si hap final do jetë shtrirja jonë jashtë vendit, ku të nënshkruajmë marrëveshje me universitetet e huaja. Kompania, tashmë ka nënshkruar kontrata me kompani në Austri, Gjermani dhe Estoni, ku kursantët, me mbarimin e kursit mund të punojnë në këto kompani nga Shqipëria. Klised Rungo thotë se, “me anë të këtyre kontratave të bashkëpunimit me kompanitë e huaja, synojmë të frenojmë emigracionin e të rinjve”.

Synimi ynë final është që të bëjmë të mundur të realizojmë punësimin nga shtëpia në Elbasan, Shqipëri për kompanitë e huaja. Deri tani kemi bërë një punë të mirë ndërgjegjësuese edhe tek kompanitë e huaja dhe tek të rinjtë që duan të punojnë”,thonë ata.

Switch Technologies për ta është një mision. Tani jemi të fokusuar në kurset tona dhe në shtrirjen e ndikimit të Switch Technologies në Qarkun e Elbasanit e më pas në qarqet e tjera. Kur të kemi arritur këto objektiva do fokusohemi edhe tek sistemi shëndetësor, thonë drejtuesit e kompanisë së re.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0