Flora Xhemani Baba: Po varfërohet shtresa e mesme e popullsisë. Nuk ka "ndëshkim" ndaj hoteleve - Business Magazine Albania

Flora Xhemani Baba: Po varfërohet shtresa e mesme e popullsisë. Nuk ka “ndëshkim” ndaj hoteleve

Flora Xhemani

Situata e turizmit në vend është ajo që ishte parashikuar, duke marrë parasysh zhvillimet që nga lufta në Ukrainë e deri më sot.
Flora Xhemani, njohëse e turizmit, botuese e Travel Magazine thotë se të gjitha pa përjashtim e kanë parashikuar reduktimin e shpenzimeve dhe krizën ekonomike që do të pasonte nga lufta. Mosardhja e turistëve të Ukrainës për fat të keq nuk solli si pasojë vetëm vendet bosh nëpër hotele por edhe një sërë pasojash të tjera zinxhir, dhe jo vetëm në turizëm.

Flora çfarë po ndodh me turizmin në vend, shqiptarët nuk kanë para apo janë rritur çmimet?
Po t’u hidhni një sy intervistave tona, pra të grupeve që bëjnë turizmin, të gjitha pa përjashtim e kanë parashikuar reduktimin e shpenzimeve dhe krizën ekonomike që do të pasonte nga lufta. Mosardhja e turistëve të Ukrainës, për fat të keq nuk solli si pasojë vetëm vendet bosh nëpër hotele, por edhe një sërë pasojash të tjera zinxhir, dhe jo vetëm në turizëm. Rritja e çmimeve me 50-60 % për çdo produkt të përdorimit të përditshëm, nuk le shumë mundësi për të hequr buxhet mënjanë për një familje me të ardhura të mesme, e madje as për ato me të ardhura më të larta. Dhe këto familje janë konsumatori kryesor i turizmit në Shqipëri. Rritja me gati dyfish e karburantit, diskutim pothuajse i shterruar në Shqipëri, por jo i zgjidhur, është një tjetër goditje për turizmin sepse, siç e dimë, i vetmi mjet lëvizës në Shqipëri mes qyteteve, janë makinat private.

Përtej zhurmës së portaleve, që akuzojnë sektorin e akomodimit për rritje çmimesh dhe ndëshkim të hoteleve prej klientelës së revoltuar, e vërteta është se askush nuk po ndëshkon askënd. Njerëzit thjesht nuk kanë para. Ose edhe ata që kanë po i ruajnë për ditë më të vështira, duke marrë për bazë paralajmërimet ndërkombëtare, që po kujdesen fort të na mbajnë në tension të përhershëm. Dhe çmimet e shumëpërfolura nuk janë rritur, edhe pse do të duhej të ishin rritur për të kompensuar rritjen e kostove. Abuzimet pa dyshim ekzistojnë si çdo vit, aq sa për të ushqyer portalet, por në pjesën dërrmuese, situata është po ajo që ka qenë vjet.

Lexo: Çfarë është “Abenomics”? Teoria ekonomike e ish-kryeministrit që shpëtoi Japoninë nga stanjacioni

Sipash jush a ka vend për alternativa Shqipëria? Pra, ata që nuk ua mban xhepi, a munden të pushojnë?

Problemi që unë shoh në treg, nuk është thjesht mungesa e të ardhurave dhe nuk po flas vetëm për këtë vit.
Destinacionet, mirë apo keq, ndahen në elitare, ekskluzive dhe familjare ose masive, apo popullore. Këtë gjë e ka vendosur në fillim bukuria e vendit, pastaj lloji i investimeve që ka pasuar. Tani, të gjithë duan të shkojnë në Dhërmi dhe rritja ekstreme e kërkesës çon automatikisht në rritje të çmimit. Kjo shkakton pakënaqësi dhe atë valën e reagimeve në rrjet. Sepse sërish të gjithë duan të shkojnë në Dhërmi, edhe pse dhoma mund të shkojë 250 € vetëm me mëngjes dhe askush nuk do të shkojë në Velipojë ku një dhomë kushton 50 € me tre vakte të përfshira apo ku ka edhe dhoma qira, me 20 mijë lekë të reja për dhjetë ditë. Ky është problemi kryesor.

Problemi tjetër i madh është që pjesa dërrmuese e shqiptarëve, mbi 60%, jetojnë me rrogat minimale, me të cilat sot nuk mbyllin dot as muajin e jo më të shkojnë me pushime. Kjo kategori, që nuk është e vogël, nuk shkon fare me pushime po kur mundet, frekuenton plazhet ditore duke konsumuar atje ushqimin që merr me vete. Nga ana njerëzore kjo është e padrejtë dhe e trishtueshme, por nga ana ekonomike nuk ndikon në shtimin e krizës. Krizën e shkakton tkurrja e shtresës së mesme që përmenda më lart. Kjo shtresë sot ka më pak para, është e trembur për të ardhmen ose në rastin më të keq, është larguar fare nga Shqipëria.

Shqipëria përbri Rajonit, a kemi diferenca të larta çmimesh këtë sezon turistik?

Situata në rajon aktualisht nuk ndryshon shumë nga situata në Shqipëri në raport me krizën. Diku ka rritje çmimesh e diku po përpiqen të menaxhojnë sezonin me sa më pak humbje, duke joshur me oferta. Por, ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri, atje turizmi shikohet me prioritet nga shteti dhe përveç indeksimit nga rritja e çmimeve, biznesi në turizëm përfiton një sërë ndihmash e subvencionesh për të përballuar krizën. Prandaj mund të thuhet me plot gojën se klima e biznesit është më e mirë. Dhe kjo pasqyrohet edhe tek klienti, duke e lënë atë më të kënaqur dhe më pak të ndjeshëm ndaj krizës.

Sipas jush cilat janë problemet themelore të turizmit në Shqipëri?

Sektori i shërbimit në turizmin shqiptar është ai që çalon më shumë dhe që për fat të keq vazhdon të ketë probleme serioze.
Mungesa e një përvoje të gjatë turistike dhe mosplotësimi i stafeve të shërbimit me kontigjent që vjen nga shkollat, kurset, trajnimet dhe specializimet profesionale, krijon një boshllëk të madh në shërbim, që fillon qysh nga mungesa e komunikimit, e deri tek pamjaftueshmëria e aftësive përkatëse. Shto këtu sivjet edhe ikjen masive të krahut të punës, që ka ndikuar mjaft negativisht në reduktimin e stafit të kualifikuar.

Kryefjala e këtyre ditëve ka qënë “Çmime të larta” si vjen në gjykimin tuaj kjo klimë?

Ankesat kryesore vijnë nga mungesa e shërbimit dhe çmimet e larta. Ne në fakt kemi një qasje tjetër kundrejt argumentit të çmimeve. Nuk ka çmime të larta dhe të ulëta, ka kërkesë-ofertë. Diskutimi mund dhe duhet të shtrohet mbi raportin cilësi-çmim.
Por, mendoj se ndërsa për çështjen e shërbimit shtjelluam disa argumenta më lart, problematika e çmimeve vjen sepse ato nuk i përgjigjen nivelit të pagave në Shqipëri, e jo duke u nisur nga paga minimale, por edhe ajo mbi mesataren. Nëse nuk do të ekuilibrohet raporti mes pagës dhe shpenzimeve, derisa paga ta kalojë shumën që duhet për shpenzimet e përditshme, problematika e çmimeve mund të ekzistojë.

Travel Magazine, është nisma juaj prej disa vitesh. A po vijoni të ofroni mundësi të reja të të bërit turizëm?

Travel Magazine doli për herë të parë në treg në vitin 2011. Prej numrit të saj të parë ajo ka prezantuar me qindra destinacione, në çdo cep të Shqipërisë, pa lënë mënjanë edhe trojet shqiptare në rajon.
Pasi kemi zbuluar e ofruar thuajse gjithçka, edhe pse jemi vazhdimisht në kërkim të vendeve të reja por edhe të mënyrave të reja të të bërit turizëm, menduam të hidhemi pak më përtej nëpër Ballkan.
Në fakt këtë e bëmë edhe për disa arsye të tjera. Ka më shumë se një dekadë që Shqipëria ofrohet si pjesë e paketave ballkanike nga agjenci të huaja dhe shqiptare, duke u përmbledhur si një ofertë e vetme. Ndaj edhe ne mund ta ftojmë Ballkanit si një destinacion të unifikuar. Shumë produkte turistike ose itinerare, janë ndërkufitare dhe përfshijnë disa shtete. Ndaj edhe shndërrimi i revistës në Travel Balkans vjen fare natyrshëm. Përveç kësaj, një sërë vendesh si Kosova, Macedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Bosnje Hercegovina, në dijeninë tonë nuk e kanë një revistë turizmi, ndaj pse jo?

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0