Shkollat profesionale të orientuara drejt kërkesave të tregut të punës - Business Magazine Albania

Shkollat profesionale të orientuara drejt kërkesave të tregut të punës

Shkollat profesionale

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, së bashku me Drejtuesen e Përhershme të PNUD në Shqipëri, Monika Merino, Zv.Ambasadorin e Zvicrës në Tiranë, Patrik Meier dhe Drejtorin e AKPA, Klevis Hysa, zhvilloi një vizitë në shkollën e mesme profesionale TIK ” Hermann Gmeiner”.

Vizita u zhvillua në kuadër të iniciativës “Gjenerata R”, e cila synon të fuqizojë nxënësit e arsimit profesional. Në zbatim të kësaj iniciative po organizohet “Turneu i Përvojave”, një set diskutimesh rreth atraktivitetit të arsimit dhe formimit profesional, lidhjes së tij me tregun e punës, shërbimet e këshillimit të karrierës dhe informacionit për zgjedhjen e arsimit profesional, mjedisi i mësimdhënies dhe të nxënit etj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë u takua me nxënës dhe mësues të shkollës dhe diskutoi me ta rreth mundësive që ajo krijon për tu punësuar apo për të vazhuar arsimin e lartë.

Ministrja Ibrahimaj tha se arsimi dhe formimi profesional mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë, ku nëpërmjet reformës aktuale synohet të rritet cilësia e arsimit, të rishikohen kurikulat për t’ju përgjigjur kërkesava të tregut të punës dhe të krijohen mekanizmat për të angazhuar në mënyrë sistematike sektorin privat në të gjithë hallkat e sistemit.

Ibrahimaj shfrytëzoi rastin për të informuar publikun se duke filluar nga viti 2022, ofruesit e arsimit profesional do t’i nënshtrohen një procesi akreditimi, ku ata do të vlerësohen përkundrejt standardeve të vendosura sipas modeleve më të mira të sistemeve të ngjashme në Europë.

“Ne gjatë këtij viti do të fillojmë një proces të optimizimit të shkollave profesionale. Do të analizojmë të gjithë kurikulat dhe do të shohim se ku shkollat kanë qenë të suksesshme dhe ku studentët kanë qenë të suksesshëm të nisin punë direkt pasi kanë përfunduar arsimin profesional”, u shpreh drejtuesja e MFE.

Ministrja tha se biznesi ka interes për një fuqi punëtore të kualifikuar dhe të trajnuar në praktikë dhe pikërisht nëpërmjet iniciativës që po zbatohet do të merren të dhëna, të cilat do të shërbejnë për të përmirësuar politikën në drejtim të shkollimit profesional dhe për t’i dhënë nxënësve vërtet atë që kanë nevojë për të pasur sukses në tregun e punës.

Gjithashtu, Ibrahimaj theksoi faktin se kjo iniciativë vjen në linjë me një fushatë të konsultimit kombëtar që ka nisur qeveria, ku synimi është që qeverisja zbatohet me përfshirjen e të gjithë atyre që preken nga vendimmarrja.

“Projekti Gjenerata R që po prezantohet në shkollën Hermann Gmeiner, që është shkolla më e mirë profesionale e IT që ne kemi, synon që nxënësit që frekuentojnë këtë shkollë të japin mendimin e tyre mbi zhvillimet dhe mbi çfarë nevoje ka sektor i IT dhe shkollat profesionale në përgjithësi, për të pasur një përthithje më të mirë në tregun e punës dhe për të nxitur  kapacitetet që studentët duan të kenë dhe që mendojnë se duhet të kenë”, tha Ministrja.

Përfaqësuesja e PNUD në Shqipëri, Monica Merino, falënderoi MFE dhe qeverinë Zviceriane për mbështetjen e kësaj iniciative, e cila zhvillohet në kuadër të programit Zhvillim i Aftësive për Punësim, zbatuar nga UNDP.

Lexo: Ja cilat janë arsyet pse nuk keni patur sukses deri tani

“Është një iniciativë ku ne duam të dëgjojmë zërin e të rinjve, të marrim eksperiencat e tyre dhe të shikojmë se si mund t’i shfrytëzojmë këto eksperienca për t’i ofruar atyre një arsim me cilësi të lartë dhe mundësinë për tu integruar në tregun e punës’, tha Merino.

Nga ana e tij, Zv.Ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Patrik Meier theksoi rëndësinë e dëgjimit të zërit të të rinjve në hartimin e politikave të ndryshme që prekin arsimin dhe formimin profesional në Shqipëri, ashtu si edhe marrjen e mendimeve dhe nevojave që kanë bizneset.

Kjo pasi, sipas tij, të rinjtë e trajnuar në shkolla, me aftësi të rëndësishme për tregun e punës, janë motori për zhvillimin ekonomik dhe për rritjen ekonomike.

Deri më tani, “Turneu i Përvojave” ka përfshirë nxënësit në 14 shkolla profesionale në Shqipëri. Konkluzionet e këtij turi do të përfshihen në tryzën e diskutimit për hartimin  e strategjisë së re të arsimit profesional dhe punësimit 2023-2030.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0