Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka njoftuar në profilin e saj zyrtar se qeveria ka shpallur parqe natyrore Lumin e Vjosës, Luginën e Shalës, Parkun e Munellës dhe Syrin e Kaltër.
“Mirëmëngjes, sot ne Ditën e Shërbimit Pyjor, me Vjosën, Luginën e Shalës, Munellën dhe Syrin e Kaltër që nga tani bëhen pjesë e zonave të mbrojtura me status Park Natyror dhe me respektin më të thellë për të gjithë ata që shërbejnë e kujdesen për Pyjet. Dhe me Valbonën, Thethin e Lumin e Gashit që bashkohen në Parkun e ri Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”,” shkruan Kumbaro.
Çështja e Vjosës ka qenë shumë e debatuar për t’u bërë pjesë e zonave të mbrojtura dhe më në fund u mor vendimi, ku aktorë nga fusha të ndryshme kanë kontribuar në këtë vendim.
Lexoni: Peticioni për lumin Vjosa: Më shume se 17.000 firma për të shpallur luginën e Vjosës Park Kombëtar
Territori i mbrojtur në vendin tonë ka shkuar në 21%, me shtimin e këtyre parqeve natyrore në listë së fundmi.
“I kemi ruajtur, i kemi përditësuar, i kemi shtuar zonat e mbrojtura dhe, pa ulur ritmin, kemi nisur punën për planet e menaxhimit për të krijuar modele të qëndrueshme zhvillimi në këto territore që janë thesare natyrore e për të na dhënë mundësinë të krijojmë kalendarin e turizmit gjithëvjetor me sportet e aventurës, kulinarinë, ekoturizmin, turizmin malor,” thotë ministrja.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto