Qeveria shpall gjendjen e emergjencës. Shqetësim furnizimi i pandërprerë me energji elektrike - Business Magazine Albania

Qeveria shpall gjendjen e emergjencës. Shqetësim furnizimi i pandërprerë me energji elektrike

energji elektrike

Qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike. Në një vendim të Këshillit të Ministrave theksohet se shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.

Sipas këtij vendimi, këto shoqëri duhet të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.

Në VKM theksohet se gjendja e emergjencës me energji elektrike, i shtrin efektet deri më 15 prill, 2022. Kujtojmë se kryeministri Edi Rama në një konferencë më herët dje tha se sot do të bëjë me dije planin e posaçëm për të përballuar situatën e krizës energjetike. Rama tha se nga diskutimet me ekspertët e ekonomisë, kanë dalë në përfundimin se kulmi i krizës energjetike do të jetë mesi i vitit të ardhshëm:

“Na takon të mbrojmë konsumatorët tanë, me një rend prioritetesh nga poshtë lart, duke pasur parasysh nga ata që janë në nevojë e në vazhdim. Siç nuk i kemi lënë qytetarët në rrugë kur ngelën pa çati nga tërmeti, siç nuk i kemi lënë vetëm përballë armikut të padukshëm (koronavirusi), nuk do t’i lemë as tani”.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 8 Tetor 2021:

VENDIM PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.
  2. Ngritjen e grupit ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri.
  3. Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Këto shoqëri të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
  4. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike.
  5. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.
  6. Ngarkohen Zëvendëskryeministri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI

EDI RAMA

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0