30 vjet nga zbarkimi i anijes “Vlora” me 20 mijë shqiptarë në portin e Barit - Business Magazine Albania

30 vjet nga zbarkimi i anijes “Vlora” me 20 mijë shqiptarë në portin e Barit

Ishte 8 gusht 1991 kur anija tregtare Vlora, e ardhur nga Durrësi dhe që mbante rreth 20 mijë shqiptarë që iknin nga vendi i tyre, u shfaq në portin e Barit.

Fotografia e molit lindor të kryeqytetit puljez, me një “pllakë njerëzore” të përbërë nga burra, gra dhe fëmijë që presin të dinë fatin e tyre, tridhjetë vjet më vonë mbetet një nga imazhet më ikonike të fenomeneve migruese midis dy brigjeve të Detit Adriatik.

Gazetat e 9 gusht 1991 shkruajnë për 11 000 persona, ndërsa në kronikat e sotme flitet për 20.000. Një gjë është e sigurt, ishte një mori mbresëlënëse njerëzish, e shumë prej tyre ishin kapur edhe në shtizën e flamurit. Fotografitë e Luca Turi dhe Vittorio Arcieri janë tronditëse dhe kanë përjetësuar edhe njerëz që, pas mbërritjes në port, janë hedhur në ujë nga anija.

Festimet për përvjetorin e tridhjetë

Lidhja që bashkon dy popujt është më e gjallë se kurrë, pavarësisht viteve të kaluara, aq sa nxiti Rajonin e Pulias dhe Shqipërinë të organizojnë një sërë ngjarjesh për të përkujtuar zbarkimin. Më 23 korrik, një përkujtimore e jashtëzakonshme u festua në Bazilikën e San Nicolas, ndërsa nga 5 deri më 8 gusht, qyteti i Durrësit do të presë një ekspozitë të ngritur nga fotografja Eva Meksi.

E lindur në Shqipëri, Eva ishte vetëm 24 vjeçe kur hipi në “Dolce nave” drejt Italisë, ku ka jetuar që atëherë, duke punuar si përkthyese dhe ndërmjetëse kulturore.

Fjalët e kryebashkiakut dhe veprat binjake

Kur 20 mijë shqiptarët iu afruan brigjeve italiane, kryetari i atëhershëm i Barit, Enrico Dalfino, i priste në port, i cili përballë atij “përqendrimi” të njerëzimit, tha: “Ata janë njerëz, njerëz të dëshpëruar. Ata nuk mund të kthehen prapa, ne jemi shpresa e tyre e vetme”.

Fjalë që mbetën të gdhendura në zemrat e njerëzve të Barit, në atë masë saqë në vitin 2019, artistja Jasmine Pignatelli, i shndërroi ato në veprën homonime “Ata janë njerëz”. Katërmbëdhjetë rreshta dhe po aq pika, të riprodhuara në fasadën e një ndërtese në rrethin San Girolamo, të cilat fiksojnë tërheqjen e kryebashkiakut në mur, të përkthyera në kodin Mors.

Për të përkujtuar 30-vjetorin e zbarkimit të shqiptarëve në Itali, artistja ka krijuar një instalacion binjak në Durrës. “Ky është përfundimi i punës sime: një zë i vetëm që kalon detin dhe që në atë kohë dukej një pengesë e pakapërcyeshme”.

Anija e rrëmbyer

“Vlora” ishte një anije tregtare që mbante flamurin shqiptar me emrin e qytetit të Vlorës, në jug -perëndim të vendit. Më 7 gusht 1991, duke u kthyer nga Kuba me një ngarkesë sheqeri të papërpunuar dhe parafinuar, ajo u sulmua gjatë operacioneve të zbarkimit në Durrës.

20 mijë personat që hipën në anije, e detyruan komandantin Halim Milaqi të nisej për në Itali. Destinacioni i parë ishte qyteti i Brindizit, por sapo arriti, nënprefekti Bruno Pezzuto, e bindi kapitenin të lundronte në Bari. Koha e udhëtimit midis dy qyteteve u përdor për të paralajmëruar policinë dhe për të organizuar qendrat e pritjes.

Eksodi në stadiumin “Vittoria” dhe riatdhesimi

Pas mbërritjes në kryeqytetin puljez, duke pasur parasysh pamundësinë e menaxhimit të operacioneve të pritjes në port, emigrantët u vendosën përkohësisht në stadiumin “Vittoria”. Pas rreth 48 orësh, shumica e tyre u riatdhesuan nga autoritetet italiane, duke u mashtruar: u organizuan aeroplanë dhe tragete të cilët, sipas informacionit të shpërndarë tek shqiptarët, do t’i kishin dërguar në qytete të ndryshme italiane.

Përleshje të ashpra zgjatën tre ditë, më të dhunshmet qenë ato të së dielës, më 11 gusht, me 40 të plagosur mes policisë dhe një numër i pacaktuar mes protestuesve. Shqiptarëve u jepet ushqimi dhe uji nga qielli, më thasë të hedhur nga helikopterët. Janë skena Apokalipsi.

Ndërkohë organizohet operacioni më i madh i riatdhesimit në historinë e Italisë, ku shqiptarëve iu tha se do të dërgoheshin në qytete të ndryshme. Sipas disa vlerësimeve të përafërta të kohës, rreth dy mijë njerëz arritën të shpëtojnë dhe të shmangin dëbimin, duke gjetur strehë në hapësirat e gjelbra të qytetit ose në shtëpitë e banorëve.

Varfëria dhe hiri i regjimit komunist

Ai i anijes tregtare “Vlora”, ishte episodi më i famshëm, por sigurisht jo i vetmi. Regjimi komunist shqiptar e kishte izoluar vendin nga bota perëndimore, duke shkaktuar rritjen e shkallës së krimit dhe gjenerimin e varfërisë së shfrenuar. Pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha në vitin 1985, situata nuk u përmirësua, dhe kështu, falë ndikimit të TV italiane, sinjali i të cilit arriti edhe përtej Adriatikut, duke filluar nga vitet nëntëdhjetë, njerëzit e parë vendosën të kalojnë detin në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.

Një fenomen dhjetëvjeçar

Në shkurt 1991, dhjetëra qytetarë shqiptarë filluan të zbarkojnë në portin e Brindizit. Eksodi i parë masiv në qytet ndodhi rreth 7 marsit të të njëjtit vit. Vlerësimet flasin për rreth 30 mijë njerëz brenda pak ditësh, më shumë se një e treta e të gjithë popullsisë së Brindizit. Zbarkimet në mënyrë progresive u ulën vetëm në fund të dekadës.

Shumë prej tyre, ndryshe nga emigrantët e anijes “Vlora”, arritën të qëndrojnë në Itali, falë edhe një marrëveshjeje të nënshkruar midis Romës dhe Tiranës për të lehtësuar emigracionin shqiptar në Itali.

TGCOM

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024
Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0