Anija kontejner “Ever Given”, 400 metra e gjatë, e cila bllokoi Kanalin e Suezit për gati një javë, është “zhvendosur 80% në drejtimin e duhur”, sipas një deklarate të lëshuar sot nga drejtori i Autoritetit të Kanalit të Suezit, Osama Rabie, duke rritur shpresat se rruga do të hapet së shpejti.
Vëzhguesit tregojnë se sterna e anijes, e cila peshon më shumë se 200,000 tonë, më në fund është larguar më shumë se njëqind metra larg nga bregu perëndimor i kanalit. Autoriteti i Kanalit të Suezit (Sca), tha se “manovrat tërheqëse për të ri-drejtuar anijen e kontejnerëve, filluan me ndihmën e 10 rimorkiatorëve gjigantë”. Transportuesi i mallrave ka filluar të “kthehet” dhe “tani lundron”.
“Ever Given”, ishte bllokuar që nga e marta e shkuar në mënyrë diagonale përmes kanalit, duke penguar plotësisht rrjedhën e ujit me gjerësi afërsisht 300 metra, një nga zonat më të ngarkuara me anije në botë.
Kanali i Suezit, afërsisht 190 km i gjatë, merret me rreth 10% të tregtisë ndërkombëtare detare dhe çdo ditë që ndalet, shkakton vonesa dhe kosto të konsiderueshme. Në total, gati 400 anije mbetën të bllokuara në skajet dhe qendrën e kanalit që lidh Detin e Kuq, me Detin Mesdhe. Të paktën një duzinë rimorkiatorësh dhe pastrues për të thithur rërë nga poshtë anijes, u mobilizuan gjatë operacioneve. Lëvizja duhet të rifillojë pasi anija të zhvendoset në një zonë mbajtëse.
Kanali i Suezit lidh detin Mesdhe me detin e Kuq duke ofruar kësisoj rrugën më të shkurtër detare mes Azisë dhe Europës. Çdo vit përmes kësaj rruge detare lundrojnë rreth 18.000 anije. Në vitin 2019 përmes këtij kanali ka qarkulluar rreth 13 përqind e të gjithë volumit të tregtisë botërore.
Ndërkaq kompania e Hamburgut për lundrimet Hapag-Lloyd ka filluar t’i devijojë anijet e veta tregtare në rrugën e tërthortë nga Kepi i Shpresës së Mirë. Lundrimi në këtë itinerar zgjat një javë më shumë se sa përmes kanalit të Suezit. Hapag-Lloyd ka aktualisht pesë anije të bllokuara në kanal. Një problem tjetër është që lundrimi përgjatë brigjeve perëndimore të Afrikës, veçanërisht në gjirin e Guinesë, konsidrohet i rrezikshëm për shkak të sulmeve nga piratët.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.