Kompanitë e mëdha teknologjike amerikane po hyjnë “all-in” në inteligjencën artificiale, duke çuar shpenzimet kapitale (CapEx) për vitin 2026 në mbi 700 miliardë dollarë (rreth 590 miliardë euro), një rritje me afro 75% krahasuar me 2025. Shifra është më e lartë se i gjithë PBB-ja nominale e Suedisë për vitin 2025, sipas vlerësimeve të FMN-së, dhe po e zhvendos qendrën e gravitetit të inovacionit global edhe më tej drejt SHBA-së.
Sipas Shoqatës Amerikane të Industrisë së Gjysmëpërçuesve, shitjet globale të çipave pritet të arrijnë për herë të parë 1 trilion dollarë këtë vit. Ndërkohë, banka dhe konsulenca si JPMorgan Chase dhe McKinsey & Company projektojnë që CapEx-i total në AI të tejkalojë 5 trilionë dollarë deri në vitin 2030, i nxitur nga kërkesa “astronomike” për kapacitet llogaritës.
CapEx-i, fondet që kompanitë shpenzojnë për ndërtimin dhe përmirësimin e aseteve afatgjata si prona, pajisje dhe teknologji kapitalizohet në bilanc dhe amortizohet me kalimin e viteve. Në këtë kuptim, ai është një tregues kyç i bastit që kompanitë po vendosin mbi të ardhmen e tyre.
Në krye të hierarkisë së shpenzimeve për 2026 renditet Amazon me rreth 200 miliardë dollarë investime të planifikuara. Pas saj vjen Alphabet me 185 miliardë, ndërsa Microsoft dhe Meta pritet të shpenzojnë respektivisht 145 dhe 135 miliardë dollarë. Oracle ka rritur gjithashtu parashikimin e vet në 50 miliardë dollarë.
Nga ana tjetër, Tesla projekton pothuajse dyfishim të shpenzimeve në afro 20 miliardë dollarë, kryesisht për flotën robotaxi dhe robotin humanoid Optimus. Kompania tjetër e Elon Musk, xAI, do të investojë të paktën 30 miliardë dollarë, duke zgjeruar superkompjuterin Colossus në Tenesi dhe duke ndërtuar një qendër të re të dhënash në Misisipi.
Lexo edhe: Shumica e europianëve presin rritje të çmimeve të ushqimeve gjatë 2026-ës
Në fillim të muajit, xAI u bashkua me SpaceX në një marrëveshje me aksione, duke krijuar një entitet me vlerë rreth 1.25 trilionë dollarë, potencialisht kompania private me vlerësimin më të lartë në histori. Sipas Elon Musk, synimi është ndërtimi i një “motori të integruar inovacioni” që kombinon AI-në, raketat dhe internetin satelitor, me plane afatgjata për qendra të dhënash në hapësirë të furnizuara me energji diellore.
Ndërkohë, Apple mbetet relativisht pas me rreth 13 miliardë dollarë CapEx, por ka zgjedhur një qasje tjetër: partneritet shumëvjeçar me Google për integrimin e modeleve Gemini në gjeneratën e ardhshme të Apple Intelligence, duke “outsourcuar” një pjesë të kostos së garës në AI.
Fituesi i madh i drejtpërdrejtë duket të jetë Nvidia. CEO-ja i saj, Jensen Huang, e ka përshkruar këtë moment si “ndërtimi më i madh i infrastrukturës në historinë njerëzore”. Sipas tij, çdo gigavat kapacitet qendrash të dhënash mund të kushtojë 50–60 miliardë dollarë, ku rreth 35 miliardë shkojnë për hardware-in e Nvidia-s.
Rotacioni i madh i kapitalit dhe rreziku i flluskës
Megjithatë, Wall Street ka reagime të ndryshme. Ndërsa investitorët e kuptojnë urgjencën e garës për dominim në AI, përmasat e shpenzimeve kanë trembur një pjesë të tregut. Morgan Stanley vlerëson se hipershkallëzuesit do të marrin hua rreth 400 miliardë dollarë në 2026- ën, më shumë se dyfishi i 2025-ës duke çuar emetimin e obligacioneve korporative amerikane në nivele rekord.
Të ardhurat e parashikuara nga AI për 2026 janë ende larg përputhjes me këtë valë investimesh. Ekzistojnë shqetësime për amortizimin e shpejtë të pajisjeve për shkak të inovacionit të vrullshëm dhe për kostot e larta operative, sidomos energjinë.
Analisti Alex Haissl nga Rothschild & Co ka paralajmëruar se investitorët po e vlerësojnë CapEx-in e Amazon dhe Microsoft sikur ekonomia e “cloud 1.0” të ishte ende në fuqi – me kosto të ulëta dhe marzhe të larta. Por AI mund të rezultojë shumë më e kushtueshme. Edhe investitori Michael Burry ka ngritur alarmin për një flluskë të mundshme të nxitur nga CapEx-i i paqëndrueshëm.
Deficiti industrial i Europës
Për Bashkimin Europian, kontrasti transatlantik është tronditës. Ndërsa kompanitë amerikane mobilizojnë gati 600 miliardë euro në një vit të vetëm, investimet europiane në infrastrukturën sovrane të cloud-it parashikohen të arrijnë vetëm 10.6 miliardë euro në 2026-ën, një rritje prej 83%, por ende një “pikë në oqean” krahasuar me SHBA-në.
Iniciativa si “AI Factories” dhe Plani i Veprimit “AI Continent” synojnë mobilizimin e kapitalit publik-privat. Por siç theksoi Arthur Mensch, CEO i Mistral AI, “nuk mund të rregullosh me ligj rrugën drejt supremacisë llogaritëse”.
Mistral AI është një nga pak kompanitë europiane që po tenton të sfidojë hegjemoninë amerikane. Në shtator 2025, ajo siguroi 1.7 miliardë euro financim, me ASML si investitor kryesor. Kompania ka konfirmuar një plan CapEx prej 1 miliard eurosh për 2026 dhe ka shpallur ndërtimin e një qendre të dhënash 1.2 miliardë euro në Borlänge, Suedi, në partneritet me EcoDataCenter, për të ofruar “sovereign compute” në përputhje me standardet e BE-së.
Nga ana tjetër, gjigantët amerikanë po ofrojnë zgjidhje “sovereign-light” me zona cloud të lokalizuara në vende si Gjermania dhe Portugalia, duke premtuar rezidencë të të dhënave. Por kritikët argumentojnë se këto mbeten teknikisht të varura nga kompanitë mëmë amerikane dhe rrjedhimisht nga politika dhe ekonomia e SHBA-së.
Një bast mbi të ardhmen
Në vitin 2026, SHBA-ja po vendos bastin më të madh financiar të historisë së teknologjisë mbi dominimin në AI. Europa, më e kujdesshme dhe me kufizime kapitale, shpreson se kombinimi i rregullimit dhe investimeve të synuara do të mjaftojë për të krijuar një hapësirë sovrane në një botë që po drejtohet gjithnjë e më shumë nga teknologjia amerikane.
Pyetja mbetet e hapur: a do të kthehet kjo garë në një flluskë të re financiare, apo në themelin e rendit të ri digjital global? Dhe mbi të gjitha, a do të ketë Europa mjetet për të ruajtur sovranitetin e saj të të dhënave në këtë epokë të re infrastrukturore
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto