Sot shënohen 70 vjet nga ndarja nga jeta e një prej mendjeve më brilante të shekullit të XX, Albert Anjshtajn. I formuar nën hijen e dy luftërave botërore, ai e denoncoi militarizmin si një “epidemi mendore” dhe e pranoi që herët që ishte pacifist. I lindur në Ulm, Anjshtajn hoqi dorë nga shtetësia gjermane pak para se të mbushte 16 vjeç, për të shmangur shërbimin ushtarak. Në vend të kësaj, ai e përfundoi shkollimin në Zvicrën liberale dhe vazhdoi karrierën shkencore, në fillim të vështirë, përkrah gruas së tij të parë, fizikanes Mileva.
Kundër euforisë së luftës
Në prill të vitit 1914, tashmë i njohur për Teorinë e Relativitetit dhe formulën e famshme E=mc², Anjshtajni u kthye në Gjermani, ku mori një post të rëndësishëm kërkimor në Berlin. Megjithëse gëzonte përfitime të shumta, ai mbeti kritik ndaj “euforisë së luftës” që kishte pushtuar elitën akademike. Në një letër dërguar një miku në Hollandë, ai shkroi:
“Evropa ka nisur çmendurinë… Në kohë të tilla kupton se cilës race të mjerë i përket…”
Ai refuzoi të nënshkruajë një manifest që justifikonte luftën, duke iu bashkuar një tjetri që kërkonte paqe dhe një Evropë të bashkuar, pa aneksime. Ky qëndrim i hapi rrugën angazhimit të tij me organizatën pacifiste “Bund Neues Vaterland”, ku mbështeti pacifistët dhe planifikoi një Evropë paqësore.
Në shkrimin e tij “Mendimi im për luftën”, ai shkroi:
“Mendjet e ndritura të të gjitha epokave janë pajtuar që lufta është ndër armiqtë më të mëdhenj të zhvillimit njerëzor.”
Anjshtajni mbeti i tronditur nga mënyra sesi njerëzit përqafojnë luftën dhe urrejnë mendimin ndryshe. Edhe pse vazhdoi bashkëpunimin profesional me kolegët e tij, ai nuk e la pas asnjëherë bindjen e tij për paqe, e cila u bë edhe më e fortë pas kolapsit të Perandorisë Gjermane në vitin 1918.
Lexo edhe: Fotografia e vitit nga World Press Photo 2025
Nga shkenca te politika
Në vitet ’20, Anjshtajni u bë gjithnjë e më aktiv politikisht. Ai shkëmbeu letra me Gorkin dhe Gandhin, dhe botoi korrespondencën e tij me Freud-in me titullin “Pse lufta?” në vitin 1933. Në të njëjtin vit, kur Hitleri erdhi në pushtet, Anjshtajni emigroi në SHBA, duke shpëtuar për pak nga regjimi nazist që e urrente për origjinën e tij hebraike dhe pikëpamjet e tij humaniste.
Në SHBA, ai vazhdoi të fliste kundër luftës dhe armëve bërthamore. Megjithatë, nga frika se mos Hitleri po zhvillonte bombën atomike, ai i shkroi presidentit Roosevelt për ta nxitur në ndërtimin e saj, një hap që e brengosi thellësisht pasi bomba u përdor në Hiroshima.
Mesazhi i fundit i një humanisti
Në mars 1955, pak para vdekjes, Anjshtajni firmosi Manifestin Russel-Einstein, ku shkencëtarët nga mbarë bota paralajmëronin për rrezikun e luftës bërthamore. Ai nuk besonte te fuqia e armëve, por te bashkëpunimi dhe veprimi paqësor përmes ligjit dhe mirëkuptimit ndërkombëtar.
“Fuqia e dhunës nuk mban paqen. Vetëm mirëkuptimi mund ta bëjë këtë.”
Në një botë të sotme ku teknologjia përparon me ritme marramendëse, por përdoret shpesh për qëllime të dyshimta, është e pamundur të mos pyesim veten: A do të ishte Einsteini sot një “zë i padëgjuar” në zhurmën e algoritmeve dhe interesave të mëdha teknologjike?
5 kuriozitete që duhet të dini për Ajnshtajnin
1. I pëlqente lundrimi, por nuk dinte të notonte
Kur Ajnshtajni frekuentonte kolegjin në Institutin Politeknik në Zyrih, Zvicër, u dashurua me lundrimin. Shpeshherë merrte një anije në një liqen, nxirrte bllokun, qetësohej dhe mendonte. Megjithëse Ajnshtajni nuk mësoi kurrë të notonte, lundrimin e pati hobi gjatë gjithë jetës së tij.
2. Truri i Ajnshtajnit
Në vitin 1955, kur Ajnshtajni vdiq, ia dogjën dhe hirin e shpërndanë, ashtu siç kishte lënë amanet. Megjithatë, para se t’ia digjnin trupin në krematorium, patologu Thomas Harvey në spitalin e Princetonit zhvilloi një autopsi, gjatë së cilës hoqi trurin e Ajnshtajnit.
Në vend që ta rikthente sërish në trupin e tij, Harvey vendosi ta mbante, me sa duket për studim. Harvey
3. Pasioni për violinën
Nëna e Ajnshtajnit, Paulina, ishte një pianiste profesioniste dhe donte që djali i saj të donte edhe muzikën, prandaj i filloi mësimet e violinës që kur ishte gjashtë vjeç. Për fat të keq, në fillim, Ajnshtajni urrente t’i binte violinës. Preferomte më shumë të ndërtonte shtëpi me letra, gjë të cilën e bënte vërtet mirë, ose të bënte çfarëdolloj gjëje tjetër.
Kur mbushi të 13-at, frymëzuar nga Mozart, Ajnshtajni nisi t’i binte violinës, gjë që vazhdoi deri në vitet e fundit të jetës së tij.
4.Drejtimi i Izraelit
Pak ditë pasi udhëheqësi sionist dhe presidenti i parë i Izraelit, Chaim Weizmann vdiq më 9 nëntor 1952, Ajnshtajni u pyet nëse ai do të pranonte pozitën e të qenit presidenti i dytë i Izraelit. Ajnshtajni, rreth të 73-va, nuk e pranoi ofertën.
5.Urrente çorapet
Një pjesë e sharmit të Ajnshtajnit ishte edhe pamja e tij e çrregullt. Përveç flokëve të lëshuar, një nga zakonet e veçanta të Ajnshtajnit ishte se nuk vishte çorape.
Pa e vrarë mendjen nëse ishte duke lundruar apo në një darkë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, Ajnshtajni shkonte kudo pa çorape.
Burimi: Berliner Zeitung / Përshtati: Businessmag.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.