Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla ka publikuar një pjesë nga raporti mbi arsimin e lartë për këtë vit akademik. Aty janë të listuara programet e studimit, të cilat kanë qenë më të kërkuarat nga ana e maturantëve, gjatë dy raundeve të aplikimit.
Lista përmban 20 programe dhe kryesohet nga dega “Administrim-Biznes” me 8734 kërkesa, por nuk mbetet pas edhe “Drejtësia” me 8319 kërkesa apo dega “Punë Sociale” e cila ka marrë zhvillim vitet e fundit, me mbi 8000 aplikime.
Më poshtë në listë, ndodhen degët “Psikologji” me 7400 kërkesa dhe “Shkenca Politike” me 7200 aplikime në të dy raundet.
“Gjuha angleze“ renditet gjithashtu mes programeve më të preferuara me 6762 kërkesa, “Financa“ me 6310 kërkesa dhe disi më poshtë “Gazetaria“ me 5670 kërkesa.
Programet e tjera më të kërkuara sipas listës janë: Sociologji, Informatikë Ekonomike, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Gjuhë-Letërsi, Informatikë, Inxhinieri Telekomunikacioni, Inxhiniere Informatike, Financë-Kontabilitet, Mjekësi e Përgjithshme dhe Stomatologji.
Ajo që vihet re në këtë listë është se degët që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe ekonominë apo financën mbeten ende më të preferuarat për maturantët shqiptarë, të cilët preferojnë më pak degët e tjera të mjekësisë apo informatikës. Më konkretisht, 5 programe i përkasin fushës së ekonomisë dhe financave, 4 programe të informatikës dhe 7 programe klasifikohen brenda fushës sociale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto