Zgjo Superpotencialin Tënd- eventi motivues i Eglent Bicit   - Business Magazine Albania

Zgjo Superpotencialin Tënd- eventi motivues i Eglent Bicit  

Zgjo Superpotencialin Tënd

Eglent Bici, sipërmarrës dhe folës motivues vjen me një event të veçantë të quajtur “Zgjo Superpotencialin Tënd”. Për të kuptuar më shumë rreth këtij eventi ne kemi zhvilluar një intervistë me Eglentin.

Çfarë është: Zgjo Superpotencialin Tënd?

Eventi ZST është një tjetër nismë e imja për të shtuar vlerë në komunitet. Ajo çka kam kuptuar është që unë bëhem njeri më i mirë, bëhem më i zoti dhe krijoj më tepër marrëdhënie me vlerë kur bëj gjëra për të tjerët. Kontributi, sidomos kur ai bëhet në fushën e edukimit të mendësisë së njerëzve ka një kthim fantastik dhe ajo që kam kuptuar ndër vite është që sa më shumë të japësh, aq më shumë do të marrësh. Pra, me pak fjalë: ZST është një organizim/event/trajnim që e bëj me dashuri për të kontribuar dhe për të shtuar vlerë në komunitet.

Për çfarë do të flitet aty?

Emri në vetvete tregon pak a shumë atë që do të trajtohet gjatë këtij event/trajnimi. Studimet kanë treguar që ne si qenie njerëzore nuk përdorim as 10% të potencialit që kemi gjatë gjithë jetës tonë. Vetëm super sportistët dhe super-njerëzit që ndryshojnë botën në të gjitha mënyrat arrijnë të përdorin, deri në 25% të potencialit që kanë si qenie njerëzore. Pra, edhe sikur secili prej nesh të arrijë të përdorë vetëm 1% më shumë, kjo do të thotë të paktën 10% rritje në atë që jemi dhe bëjmë. Dhe ky ndryshim bëhet shumë thjeshtë, duke bërë disa gjëra shumë të vogla si p.sh. të telefonosh një klient më shumë në ditë, të lexosh 5 minuta më shumë, të bësh 2 pompa më shumë në palestër, të shkosh tek një trajnim më shumë, të ngrihesh 5 minuta më shpejt në mëngjes, të hash pak më pak, të pish pak më shumë ujë, të buzëqeshësh pak më shumë, të veprosh pak më shumë për të arritur atë që do. Janë vetëm disa veprime shumë të vogla që mund të bëjmë pak më shumë dhe do të kemi një jetë shumë më të mirë. Dhe kjo vetëm duke bërë vetëm pak fare më shumë.

Një pjesë tjetër shumë e rëndësishme është edhe vendosja e qëllimeve apo objektivave që kemi vendosur në fundvit për 2023. Studimet tregojnë që në datën 15 Janar më shumë se 80% e njerëzve i kanë shkelur “rezolutat” që kanë vendosur në fundvit. E kuptoni…. më shumë se 80% e njerëzve në mbarë botën e bëjnë këtë gjë. Çfarë mund të bëjmë ne që të kthehemi përsëri tek objektivat tona, apo si t‘i shohim objektivat tona dhe t‘i organizojmë dhe vendosim objektivat ashtu si duhet?! Gabimi më i madh që pjesa me e madhe e njerëzve bëjnë në vendosjen e objektivave është që i lidhin objektivat me njerëz të tjerë, prandaj nuk i mbajnë dot. Si mundet dikush të marrë përgjegjësi për diçka që do të bëjë ose nuk do të bëjë dikush tjetër? Shumica kanë lexuar ose kanë dëgjuar për objektivat SMART: Specifike, të Matshme, të Arritshme, Realiste dhe të përcaktuara në Kohë.

A është mjaftueshëm që objektivat të jenë vetëm SMART? Nëse jo, si duhet të jenë? Çfarë duhet të kenë?

Edhe ky është një event motivues?

Emrin apo titullin në mund t’ia vëmë si të duam dhe patjetër që gjatë 6 orëve të eventit do të ketë edhe momente energjie, inspirimi dhe motivimi, por kjo është dytësorë. Event/trajnimi është i konceptuar në atë mënyrë që në fund të tij të ndihesh i mendueshëm, por i çlodhur, të ndihesh i lodhur dhe plot energji, të ndihesh i freskët, por me dëshirën për të ndejtur vetëm. Nuk ka shumë rëndësi se çfarë lexojmë, mësojmë apo dimë por, se çfarë në bëjmë me atë që dimë, me atë që mësojmë. Dija është thjesht pushtet potencial. Veprimi është ai që do ta sjellë diferencën në jetën tonë, madje jo thjesht një veprim normal, por veprim masiv. Vetëem duke vepruar fort me mendje, zemër dhe shpirt do të mund të arrijmë ato rezultate që duam, përndryshe do të vazhdojmë të jetojmë një jetë mediokre, me të njëjtat mendësi që na ka indoktrinuar shkolla, familja apo shoqëria. Ne kemi SuperPotencial për të qenë më shumë, për të bërë më shumë dhe për të patur më shumë. Nëse do të jemi, do të bëjmë dhe do të kemi më shumë, jeta jonë do të jetë më e plotë dhe e mbushur plot eksperienca të bukura, të cilat janë ato që ne do të mbajmë mend, do të përjetojmë dhe do të përcojmë tek pasardhësit tanë.

Lexo: 7 arsye pse duhet të dëgjoni podkaste

Nëse e bën për kontribut, pse është me pagesë eventi?

Kjo është një pyetje që e kam dëgjuar tashmë për shumë vite rresht në të gjitha trajnimet që kam organizuar vetë apo kemi organizuar me partnerët dhe bashkëpunëtorët e mi. Pagesa është një mënyre vlerësimi të eventit/trajnimit, pasi gjatë eksperiencës shumëvjeçare shumica dërrmuese e atyre që regjistrohen në trajnime falas nuk vijnë fare pasi është Falas dhe nuk kanë asnjë lloj angazhimi. Ne e duam xhepin tonë dhe e vlerësojmë atë që nxjerrim nga xhepi, prandaj nëse dikush angazhohet financiarisht për diçka, do të jetë shumë më i angazhuar, fokusuar, korrekt dhe i hapur për të marrë maksimumin. Rregullisht kemi bërë oferta që nëse dikush ka me të vërtetë dëshirë të marre pjesë në aktivitetet tona, por nuk kanë mundësi financiare për të paguar biletën ne i kemi mbështetur deri edhe pa pagesë fare, por me kusht që aktiviteti të ndiqet i plotë dhe të bëhet një përmbledhje e asaj çka mori nga eventi dhe çfarë vendimesh mori. A e dini se sa prej këtyre personave që pyesin se pse është eventi me pagesë e kanë marrë ketë ofertën? 0… asnjë njeri. E dini pse? Sepse ata që ankohen për pagesën nuk e vlerësojnë eventin dhe për këtë arsye do të gjejnë njëmijë e një arsye që edhe këtë ofertë të mos e pranojnë.

Çfarë do të marrim nga ky event/trajnim?

Qëllimi kryesor i eventit është që të gjithë pjesëmarrësit të kuptojnë që shëndeti, suksesi, arritjet, dështimet, sfidat, progresi i secilit varet vetëm prej tij apo prej saj.

Nuk ka rëndësi vendi nga vijmë, por ku shkojmë ajo që përcakton se kush jemi ne.

Vështirësitë dhe dhimbjet janë pjesë e padiskutueshme e jetës tonë dhe është detyra jonë t’i mirëpresim ato, të përballemi me to dhe të ecim përpara. Ne kemi një superpotencial brenda nesh dhe duhet të mësojmë se si ta nxjerrim “luanin” tonë në veprim. Dhimbja është një ngjarje që ndodh në një moment të caktuar ndërsa vuajtja është një vendim që secili prej nesh merr dhe e ke ti në dorë të vendosësh të mos vuash.

Vendimmarrja për të vepruar dhe për të krijuar një plan menjëherë do të ishte ajo çka unë do të dëshiroja dhe eventi do të jetë i organizuar në atë mënyrë që do të këtë ushtrime për ta bërë këtë gjë.

Shihemi në Suksese!

Jeto Çdo Moment!

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0