Nga Adelina Onuzi/ Nëse sot kërkon një histori që përfaqëson punën, vizionin dhe guximin për të ndryshuar realitete, atëherë emri i saj është Xhoana Sita. E drejtpërdrejtë, energjike dhe me këmbë në tokë, ajo nuk flet për suksesin me superlativa, por me sakrificë. Sepse për të, suksesi nuk matet me tituj, por me dinjitetin që i jep të tjerëve.
View this post on Instagram
Xhoana është themeluesja e RE-AL Recruitment, një agjenci që po thyen tabutë e tregut shqiptar të punës, duke sjellë modele bashkëkohore të rekrutimit ndërkombëtar. Në kohën kur Shqipëria përballet me mungesën e fuqisë punëtore, ajo ka krijuar ura mes Shqipërisë dhe vendeve aziatike si Filipinet, India, Nepali, duke e kthyer rekrutimin në një proces me standarde, mbështetje humane dhe integrim real.
“Punoni aq shumë, sa t’ia vendosni vetë rrogën vetes,” – thotë Xhoana. “Nëse je pjesë e një kompanie dhe punon sikur të ishte e jotja, ajo gjë vërehet. Dhe është aty ku nis gjithçka.”
“Kur isha e vogël,” – kujton ajo, – “ndërsa të tjerët shikonin Junior TV apo kukulla, unë isha pas Discovery Channel. Më pëlqente të eksploroja. Besoj se aty nisi dëshira ime për t’u marrë me njerëz, kultura dhe lëvizje.”
Jo rastësisht, më vonë ajo zgjodhi të jetonte në Gjermani, një vend me rregulla që e përfaqësonte natyrën e saj të strukturuar.
“Më pëlqejnë rregullat. Zgjodha vetë një vend që funksionon, sepse kështu funksionoj edhe unë.”
RE-AL sot është një pikë referimi për bizneset shqiptare që kërkojnë punonjës të besueshëm, të integruar dhe afatgjatë. Por më shumë se kaq, është një histori njerëzore.
“Çdo mama me një ‘newborn baby’ më thotë: ‘Më ke shpëtuar’. Çdo hotel, në fund të sezonit më përqafon e më thotë: ‘Na shpëtove’. Dhe këto nuk janë vetëm fjalë, janë përgjegjësi.”
Për Xhoanën, çdo kandidat ka një histori. Dhe çdo vend pune, një mundësi për të ndryshuar jetën e dikujt.
“Unë dua t’ju ndryshoj të ardhmen njerëzve. Kjo është dëshira ime më e madhe.”
Çfarë e dallon RE-AL nga të tjerat? Jo vetëm që merret me dokumentacionin, lejet e qëndrimit dhe sigurimet, por ndihmon punonjësit të integrohen në kulturën shqiptare, të ndihen të respektuar dhe të mirëpritur.
“Shqiptarët janë të ngrohtë. I bëjnë të tjerët të ndihen si në shtëpi. E dija që një filipinase do ndjehej mirë këtu. Por mbi të gjitha, më interesonte që ajo të ndjehej e vlefshme.”
Ajo nuk e fsheh që rrugës ka pasur edhe rrëzime. Por kurrë dështime.
“Dështimi nuk ka qenë asnjëherë opsion. Po, kam pasur goditje të vogla, problematika, pengesa, por nga to kam mësuar jashtë mase shumë.”
Sot, ajo punon në disa fronte njëkohësisht. Rekrutimi është me të edhe në pushime. Madje edhe stafin e resortit ku pushon, ajo e rekruton.
“Kam klientë që janë skeptikë në fillim. U jap garanci, nëse nuk ju përshtatet një punonjës, ua zëvendësoj falas. Jam munduar t’i bëj të gjitha vetë, përveçse të firmosin kontratat.”
Në fund, gjithçka ka një kufi. Dhe për Xhoanën, ky kufi quhet familje.
“Nuk dua të dëmtoj atë që kam ndërtuar, që është familja. Është shumë më e rëndësishme se çdo sukses tjetër.”
“Pikat mbi ‘i’ di kur duhet t’i vë. Por zgjedh të punoj me empati.”
Ndërkohë që Shqipëria i hap dyert më shumë punonjësve të huaj, RE-AL po përgatitet për një shtrirje më të gjerë në tregjet e Azisë, Hong Kong, Singapor, Indi, Nepal, Gana.
“Dua të jem me këmbë në tokë. Dua të vazhdoj të jem e thjeshtë. Motoja ime është “Thjesht bëje mirë atë që bën, për aq kohë sa e bën.”
Shumë flasin për sfidat e tregut të punës, por Xhoana Sita nuk flet. Ajo vepron. Dhe e kthen çdo boshllëk në një mundësi, jo vetëm për të ndërtuar karriera, por për të kthyer shpresën në rrugë të strukturuara dhe të ndershme.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.