"Vlera Network", një platformë shqiptare që i bën të gjitha
Përditësuar së fundmi: 24/10/2017

“Vlera Network”, një platformë shqiptare që i bën të gjitha

Share
nga Neada Muçaj
Tet 24, 2017

Fillimisht si një dëshirë personale, por sot prezantohet si një platformë gjithëpërfshirëse komerciale.

Një ide dhe një projekt totalisht shqiptar, që synon të jetë i njohur dhe i dobishëm për biznese dhe përdorues vendas, ndoshta në një të ardhme të afërt edhe të huaj.

BusinessMag sjell për ju një intervistë me Armend Dergutin, krijues i startup-it të ri të quajtur “Vlera Network.”

BM: Kush është Armend Derguti?

A: Kam lindur në Kosovë në vitin 1982 ku kam ndjekur shkollimin kryesisht në periudhën e okupimit dhe pas luftës me shumë sfida dhe vështirësi.

E dija që ekzistonte një paisje që quhet kompjuter dhe bënte çudira dhe si fëmijë u rrita me atë kurreshtje. Vështirësitë e kohës bën të tyren që unë të lija studimet dhe vazhdoj jetën në mërgim. Ishte fat që mu dha rasti të punoja në fushën e ICT dhe të përfitoj kaq shumë nga praktika dhe trajnimet e shumta që kam ndjekur. Që nga viti 2009 jam kthyer dhe punoj në Shqipëri në një kompani vendore që operon në fushën e sistemeve të sigurisë. Kemi punuar shumë dhe jam promovuar vazhdimisht në detyrë për të arritur pozitën CTO që aktualisht ushtroj.

Në këtë pozicion kam patur nderin të projektoj dhe menaxhoj një ndër projektet më të mëdha në fushën e sigurisë në nivel kombëtar i cili është realizuar në fushën naftë-nxjerrëse Patos-Marinëz!

BM: Çfarë është Vlera Network? Pse zgjodhët këtë emër?

A: Në dukje të parë Vlera të lë përshtypjen e një rrjeti të zakonshëm social, por në fakt Vlera paraqet një platformë komerciale që u mundëson përdoruesve hapjen e dyqaneve online sipas modelit Branded!

Vlera u mundëson afaristëve të vegjël e të mesëm të fillojnë shitjet e tyre online në një platformë të gatshme e të thjeshtë dhe me një reklamë të mjaftueshme që sigurohet nga anëtarët e rrjetit.

Po ashtu për blerësit ofrohet një garanci duke u mundësuar review dhe rating në të cilat shitësi nuk mund bëj ndryshime siç ndodh rëndom në dyqanet online. Vlera është një investim relativisht i madh kohor e financiar dhe ofron opsione të shumta për të cilat mund të flitet shumë.

Përsa i përket emrit, Vlera është një frymëzim të cilin desha ta quaj  kryevepra e jetës sime. Në këtë kontest kam menduar dhe jam konsultuar shumë për të gjetur një emër sa më të thjesht, gjithpërfshirës dhe me vlera. Doli që përgjigja fshihej brenda vet pyetjes, pra ishte Vlera.

Ja vlen të theksohet se si domain e kemi paguar nja 200 herë më shtrenjtë se sa kostoja e një domaini normal, por vazhdojmë e besojmë se kemi bërë gjënë më të mirë pas vet projektit!

BM: Si lindi ideja për krijimin e saj? Sa funksione ka dhe kujt i shërben?

A: Si ide ka lindur shumë herët, por edhe është transformuar me kalimin e kohës. Tentativa për të bërë një platformë dinamike kam patur një dekadë më herët, por idetë ishin më të mëdha se vet aftësitë e mia në programim, pastaj mungesa e kohës dhe mjeteve financiare kan bërë të vetën. Megjithatë si një i apasionuar vazhdimisht kam analizuar projektet e ndryshme online ku dhe arrita në disa përfundime:

  1. Bizneset e vogla dhe të mesme nuk i kishin as mundësit financiare për t’u pajisur dhe për të qenë të përditësuar me një faqe webi.
  2. Vështirësitë janë edhe më të mëdha nesë bëhet fjalë për platforma e-commerce.
  3. Bizneset shpenzojnë shumë energji në reklamim online dhe kanë relativisht pak vizitorë.

Mendoj se jemi popull i vogël në numër dhe rrjedhimisht të penalizuar në kontestin ekonomik. Pra si në botën reale ku bizneset nuk kanë tregun e mjaftueshëm në numër po ashtu edhe në atë virtual ndodh i njëjti fenomen. Si zgjidhje të këtyre tre problemeve u mendua të jetë Vlera!

Një platformë që u jep mundësi bizneseve të krijojnë faqet e tyre me lehtësi dhe të prezantojnë gjithçka ato kanë. Një platformë që jap mundësi tregtarëve të hapin dyqane online me logot e tyre dhe kosto zero. Si dhe një platformë me opsione të shumta që mbledh përdorues të cilëve përveç atyre që u than u ofrohen edhe shumë funksione e mundësi tjera si: lidhje-shoqërime, pëlqime, komente, mesazhe, fotografi, video, faqe, grupe, shpallje, sondazhe, evente, vendndodhje e shumë të tjera.

Si e tillë Vlera mendohet të jetë gjithë përfshirëse dhe t’i shërbej pothuajse të gjithëve. Megjithatë ne po mundohemi të japim një natyrë komerciale mbi atë sociale, duam që përdoruesit në Vlera më shume të punojnë se sa të kalojnë kohën e lirë ndaj dhe kemi zgjedhur si moto “The network of Doers” pra rrjeti i veprimtarëve!

BM: Strategjia e marketingut? Ekipi që po punon momentalisht?

A: Si për fillim ne zgjodhëm reklamimin e zakonshëm online gjë që po jep rezultat dhe kjo padyshim falë interesit të shqiptarëve për një rrjet kombëtar siç edhe është reklamuar!

Megjithatë jemi të bindur që Vlera është një projekt me interes publik e nacional ndaj edhe i kemi dhënë vetes komoditetin të shpresojmë në një mbështetje më të gjerë si nga mediat, institucionet shtetërore, etj.

Momentalisht në zyrën tonë modeste jemi katër persona me punë të plotë: Orgest Naci, Dorian Shytaj, Vlora Berisha gruaja ime dhe unë. Pastaj kemi dhe kolegë tjerë që po japin një kontribut të çmuar nga jashtë për ç’ka i falenderoj Donaldon, Bleraldin, Astritin dhe Fatjonin.

Gjithsesi kjo nuk është e tëra, pasi pjesën e programimit e kemi të sponzorizuar nga një studio mjaft prestigjoze e cila vazhdon punën në mënyrë konstante për zhvillime të mëtejshme.

BM: Sa kohë ka që operon online? Dhe për cilin treg?

Kemi afërsisht dy muaj online, dhe jemi te përgjithshem në treg, Vlera është për të gjithë.

BM: A ka platforma të ngjashme me Vlerën? Nëse po, çfarë ofron ajo ndryshe?

A: Dikush na tha se është kopjuar Facebook. Por ne nuk kemi kopjuar nga Facebook më shume seç ka kopjuar LinkedIn nga Facebook apo më shumë se ka kopjuar BMW nga Mercedes. Gjithsesi ngjashmëri kemi, por dhe unik jemi. Intergimi i rrjetit social dhe platformës komerciale teorikisht është një mrekulli ndërsa praktikisht po jep rezultate.

BM: Cilat janë planet për të ardhmen e “Vlera Network”?

A: Në të ardhmen, shumë i rëndësishëm është versioni shqip. Do të shtojmë akoma module si psh: për ngritje fondesh dhe donacione, do të avancojmë edhe më shumë aplikacionet për telefona mobile. Në aspektin e rritjes dëshirojmë që Vlerën ta zgjerojmë përtej kufijve drejt shteteve të rajonit.

BM: Faleminderit për intervistën dhe suksese në punën tuaj!!

A: Faleminderit stafit të BM për punën e palodhur. Një dozë të konsiderueshme inspirimi e kemi nga ju.