Për dekada me radhë, Parisi, Roma dhe plazhet spanjolle kanë dominuar listat e udhëtimeve në Europë. Por këtë verë, udhëtarët e zgjuar po kërkojnë diçka ndryshe: përvoja autentike, natyrë mbresëlënëse e çmime konkurruese. Harrojini vizitat në Kolose këtë vit. Ekziston një vend që krenohet me bukurinë mesdhetare, pa turma vizitorësh dhe çmime të larta krahasuar me fqinjët e tij.
Ekipi i “Travel Off Path” e ka vizituar personalisht këtë vend në zhvillim dhe është plotësisht dakord – se është një destinacion i jashtëzakonshëm pushimesh dhe një vend unik evropian! Përgatituni të eksplorini këtë verë Shqipërinë!
Shqipëria? Vërtet? Po, dhe shifrat nuk gënjejnë!
Sipas të dhënave nga Agjencia e Turizmit e Kombeve të Bashkuara , Shqipëria pati një rritje prej 80% të turistëve në vitin 2024, krahasuar me nivelet para pandemisë, si një nga vendet me rritjen më të madhe turistike në botë. Të dhënat e para për vitin 2025 tregojnë se kjo tendencë vazhdon, me 14.5% më shumë vizitorë të huaj në janar krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Bukuri mesdhetare me çmime të përballueshme
Nga Saranda e gjallë, tek plazhet gjithnjë e më të famshme të Ksamilit, shpesh të etiketuar si “Maldivet e Europës”, Shqipëria ofron bregdet të kristaltë dhe ushqim të freskët deti, për një fraksion të çmimit që paguan në Greqi apo Itali. Akoma mund të gjesh dhoma komode për pushime buzë detit pa e boshatisur portofolin.
Jo vetëm plazhe: trashëgimi, male dhe kulturë
Shqipëria është më shumë se Riviera. Ajo ofron tre vende të mbrojtura nga UNESCO: Gjirokastra, “Qyteti i Gurit”; Berati, “Qyteti me Njëmijë Dritare”; dhe Butrinti antik — një mozaik historik me rrënjë greke, romake e bizantine.
Në veri, Alpet Shqiptare sfidojnë me shtigje të egra për ecje, ndërsa Llogaraja ofron një nga rrugët më spektakolare në Mesdhe. Kryeqyteti, Tirana, ndërkohë është një qendër gjithnjë në ndryshim, me kafene plot jetë, tregje tradicionale si Pazari i Ri dhe muze të veçantë si Bunk’Art.
Udhëto tani, para se të shkojnë të tjerët
Fluturimet drejt Shqipërisë po shtohen dhe lajmi për këtë “xhevahir të fshehur” po përhapet shpejt. Ndaj, nëse kërkon një destinacion europian në vitin 2025 që kombinon bukuri natyrore, histori të pasur, mikpritje dhe çmime të përballueshme, Shqipëria duhet të jetë në krye të listës.
Ky është momenti i saj, zbuloni yllin e ri të Europës përpara se ta bëjnë të gjithë të tjerët.
Burimi: Traveloffpath/ Përshtati: Businessmag.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.