Transformimi digjital i përshpejtuar nga pandemia COVID-19

Transformimi digjital i përshpejtuar nga pandemia COVID-19


Nga Dr. Erjon Curraj 

Në përgjithësi, tranformimi digjital si pasojë e përhapjes së gjithëanshme të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit perceptohet si ‘disruptive’, në kuptimin që ndryshon rrënjësisht normalitetin, pra praktikat sesi mësojmë, punojmë, argëtohemi dhe ndërveprojmë me të tjerët.

Rezistenca për ta përqafuar transformimin digjital është madje një fenomen i mirë-studiuar. Shumë biznese kanë qenë në mëdyshje për transformimin digjital pasi ishin mirë me status quo-në dhe nuk dëshironin të ‘turbullonin ujrat”. Megjithatë, në kushtet e pandemisë COVID-19, duket sikur të gjithë u drejtuam nga digjitalizimi në përpjekje për të ruajtur e përjetuar sado pak ‘normalitetin’, të cilin po e humbasim me shpejtësi nga masat shtrënguese të pashembullta të kufizimit të lëvizjes, distancimit shoqëror, pezullimit të mësimit, punës e aktiviteteve të tjera kultutore, sociale, sportive.

Për të qenë efektiv, për të vepruar në këto kushte të reja, për të përballuar përhapjen e virusit dhe për t’ia dalë mbanë, ka qenë e domosdoshme që vendet tona të punës, mësimit, argëtimit dhe ndërveprimit t’i kalojmë online thuajse të gjithë në një kohë shumë të shkurtër dhe shumë intensive. Gjasat janë që ato kompani që janë të afta të përdorin teknologjinë për të vazhduar të operojnë, ato që do të rishikojnë modelin e tyre të biznesit në kushtet e reja ku kalimi ‘online’ tashmë është detyrim, ato kompani që do të përqafojnë me shpejtësi transformimin digjital, janë ato që do të kenë avantazh konkurrues.

Për një analizë sesi pandemia COVID-19 po përshpejton transformimin digjital të kompanive, mund t’i referoheni shkrimit të Bernard Marr.

Sa të përgatitura janë kompanitë në tregun e Shqipërisë për t’ia dalë mbanë në këto kushte përmes transformimit digjital: të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia? Të ofrojnë shërbime dhe të mira online? Të organizojnë eventet online? Të transformojnë rrënjësisht modelin e tyrë të biznesit në kushte stresi të lartë?

Natyrisht që kjo është sfida e çdo kompanie sot dhe jo vetëm e atyre shqiptare, të cilat hasin krahasimisht edhe sfida të tjera.  Në studimin tim të doktoratës argumentoja se digjitalizimi i biznesit ndikon pozitivisht performancën e përgjithshme të sipërmarrjeve të mesme dhe të vogla (SME) në Shqipëri, por përgatitja e tyre për digjitalizim luan një rol vendimtar dhe në mungesë të kësaj përgatitjes impakti i digjitalizimit është i kufizuar. Madhësia, vjetërsia dhe vendndodhja e SME-ve ndikojnë performancën dhe janë të ndërlidhura me digjitalizimin më shumë sesa ekzistenca e strategjive për digjitalizim.

Lexoni: Robotët mund të na ndihmojnë të luftojmë pandemitë e ardhshme

Gjithashtu, karakteristikat sipërmarrëse të pronarëve apo manaxherëve të SME-ve gjithashtu ndikojnë nivelin e digjitalizimit. Të pasurit e një plani biznesi të qartë gjithashtu është i rëndësishëm sa i takon përdorimit të teknologjisë. SME-të në Shqipëri janë një pjesë shumë e rëndësishme e ekonomisë kombëtare dhe studime të ndryshme kanë treguar se ka një interes në rritje për digjitalizimin e proceseve dhe praktikave të punës, por inovacioni është ende në nivele relativisht të ulta për shkak të kufizimeve në burime financiare dhe njerëzore.

Në kushtet e pandemisë, digjitalizimi nuk është një zgjedhje, por duket më tepër si një mundësi për mbijetesë dhe për të patur avantazh konkurrues në treg. Në këtë drejtim SME-të kanë një avantazh të madh, ato janë fleksible dhe lehtësisht të përshtatshme me ndryshimin dhe kur këto karakteristika kombinohen me një pronar apo menaxher vizionar atëherë SME-të tentojnë të ecin më shpejt drejt digjitalizimit. Megjithatë, jo çdo veprimtari mund të kalohet lehtësisht online. Le të marrim për shembull rastin e bizneseve të vogla, shpesh edhe familjare, të kafeneve, bareve apo restoranteve, që u gjunjëzuan nga shpërthimi i COVID-19. Një analizë me vlerë për këtë bëhet nga Reporter.al.

Disa nga efektet kryesore negative të pandemisë për SME-të deri më tani janë pa-aftësia e bizneseve për të shërbyer, prodhuar apo për të vizituar klientët e tyre; rënia e madhe e shitjeve; vështirësia për të shlyer detyrimet; pezullimi i marrëveshjeve apo planeve të reja për 2020. Është e paqartë se sa do të zgjasë kjo pandemi, pasi nuk ka ende një vaksinë për ta luftuar atë, as ndonjë terapi të aprovuar për të ngadalësuar veprimin e virusit në trupin e njeriut. Ajo që duket të jetë e qartë tashmë është se COVID-19 do të ndikojë në mënyrë rrënjësore në shumicën e bizneseve dhe ky ndikim nuk është aspak afatshkurtër. Kështu që bizneset duhet të përgatiten. Ajo çka mund të thuhet tani në një analizë paraprake është që transformimi digjital i përshpejtuar nga pandemia COVID-19 do t’i jap nje shtysë edhe më të madhe ekonomisë digjitale.

Që tani ka edhe disa sinjale pozitive. Disa efekte pozitive të situatës ku gjendet biznesi sot në kushtet e pandemisë dhe të sforcimit për të qenë online, janë: aftësia në përmirësim e sipër për të punuar nga distanca dhe online me kolegë e bashkëpunëtorë; njohja e gjerë e vlerës dhe rëndësisë së transformimit dixhital dhe teknologjisë së informacionit midis të gjithë punonjësve dhe sidomos midis pronarëve apo menaxherëve, të cilët duhet të mendojnë për modele të reja biznesi; përdorimi i gjerë i marketingut digjital, shitjeve online dhe takimeve virtuale si instrumenta për zhvillimin e biznesit.

Nëse SME-të do të duan të kenë sukses në performancën e tyre, ateherë do të duhet të përqafojnë teknologjinë në shumë dimensionet e saj. Përshpejtimi i transformimit digjital duhet të shoqërohet me masa për të mos thelluar hendekun si pasojë e tij.

Deri më tani janë realizuar disa studime lidhur me përdorimin e teknologjisë në biznese në Shqipëri, megjithatë situata e krijuar nga pandemia COVID-19 kërkon një vlerësim të plotë të kapaciteteve institucionale dhe njerëzore që kanë SME-të në vend për tu digjitalizuar dhe mbi të gjitha për ta përbrendësuar përdorimin e teknologjisë jo thjesht në rast emergjence, por në proceset e tyre të përditshme.

Kështu ekspertët, qendrat kërkimore, institucionet akademike, organizatat ombrellë të bizneseve, dhomat e tregtisë, donatorët dhe aktorë të tjerë mund të bashkojnë forcat për të realizuar një vlerësim të tillë që do të informonte më tej modelet e reja të biznesit në një botë të re post-COVID-19.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0