Të rinjtë po refuzojnë blerjen e shtëpive/Me këtë ekonomi, e vësht... - Business Magazine Albania

Të rinjtë po refuzojnë blerjen e shtëpive/Me këtë ekonomi, e vështirë t’i fajësosh

Në një realitet ekonomik që po ndryshon me shpejtësi, të rinjtë amerikanë po largohen gjithnjë e më shumë nga ideali tradicional i pronësisë së një shtëpie. Pavarësisht përmirësimeve të lehta në tregun e pasurive të paluajtshme gjatë vitit 2024, të dhënat e reja tregojnë se gjithnjë e më shumë të rinj po zgjedhin të qëndrojnë me qira. Dhe kjo nuk lidhet më vetëm me çmimet apo interesat e larta, por me mënyrën si e konceptojnë jetën dhe të ardhmen.

Sipas analizës së Redfin dhe të dhënave të National Association of Realtors, mosha mesatare e blerësit për herë të parë të një shtëpie në SHBA ka arritur një rekord historik, 38 vjeç. Krahasuar me vitet ’80 apo 2000, kur blerja e parë e një prone ndodhte në fund të të 20-ave apo fillim të të 30-ave, kjo është një rritje domethënëse. Në vitin 2024, vetëm 33% e 27-vjeçarëve zotëronin një shtëpi, ndërsa në brezin e “baby boomer”-ave, kjo shifër ishte 40%.

Por pse po ndodh ky ndryshim?

Së pari, fleksibiliteti. Në një treg pune të pasigurt, me ndryshime të shpeshta dhe zhvendosje të papritura, të rinjtë po e shohin qiranë si një mënyrë për të qenë më të lirë dhe më të përgatitur për sfidat e papritura. Është më e lehtë të largohesh nga një apartament me qira se sa të shesësh një shtëpi në një treg të ngadalësuar. Kjo veçori është veçanërisht e rëndësishme për ata që humbasin punën ose u duhet të zhvendosen për mundësi të reja.

Lexo gjithashtu: Çmimet e qirave për biznes, a është ky fundi i ‘mitit’ të Bllokut?

Së dyti, kthimi në zyrë pas pandemisë ka ndryshuar rregullat e lojës. Me kompanitë e mëdha si Amazon, JPMorgan dhe shteti amerikan që kërkojnë kthimin fizik të punonjësve, shumë të rinj duhet të jetojnë pranë qyteteve me kosto të larta, ku çmimet e shtëpive janë të paarritshme. Në këto zona, ndonëse edhe qiratë janë të larta, ato janë gjithsesi më të përballueshme se kreditë për blerjen e një prone.

Një tjetër faktor është klima. Me përballjen gjithnjë e më të shpeshtë me fatkeqësi natyrore si uraganet apo zjarret në Kaliforni, të rinjtë po e perceptojnë pronësinë si një risk më të madh financiar. Nëse një pronë dëmtohet, përgjegjësia dhe kostoja i bie pronarit, ndërsa një qiramarrës është më i mbrojtur nga humbje të tilla.

Për më tepër, trendet në ndërtim tregojnë se jemi në fund të një “boomi” të ndërtimit të apartamenteve me qira, duke çuar në një rritje të inventarit bosh. Si pasojë, pritshmëria është që çmimet e qirave të qëndrojnë të qëndrueshme, çka e bën edhe më tërheqëse për të rinjtë që të mos e ndërmarrin hapin e blerjes.

Por ky ndryshim nuk është pa pasoja. Politikat fiskale amerikane janë të dizajnuara për të shpërblyer pronësinë, nga zbritjet e interesit të kredisë hipotekare te përfitimet për taksat e pronës. Kjo do të thotë se të rinjtë me qira kontribuojnë në një sistem që favorizon të pasurit dhe pronarët ekzistues, duke rritur pabarazinë.

Ekspertët kërkojnë që politikat të ndryshojnë në përputhje me realitetin e ri. Një zgjidhje mund të jetë krijimi i kredive tatimore për qiramarrësit, të cilat mund të kanalizohen drejt fondeve të kursimeve për pension, një mënyrë që edhe ata që nuk zotërojnë prona të kenë mundësi të ndërtojnë pasuri.

Në një botë me pasiguri politike, ekonomike dhe klimatike, të rinjtë nuk po braktisin ëndrrën amerikane, ata po e riformulojnë atë sipas kushteve të kohës. Dhe ndoshta është koha që edhe vetë Amerika të rifreskojë vizionin e saj për suksesin ekonomik.

Forbes

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0