Të fortë për mbylljen në shtëpi, të dobët për mbështetjen në ekonomi - Business Magazine Albania

Të fortë për mbylljen në shtëpi, të dobët për mbështetjen në ekonomi

mbylljen në shtëpi

Pandemia e Covid 19 erdhi disi më vonë dhe nuk përjashtohet mundësia që dëmet e saj të mund t’i rekuperojmë shumë më vonë se vendet e tjera për shkak të mungesës së amortizatorëve socialë e ekonomikë.  Emergjenca shëndetësore është e njëjtë për të gjithë. Në kushte të dhimbshme, por jemi në kushte të barabarta. Për herë të parë, i pasur apo i varfër, me shumë punë apo pa punë, duhet të rrijë në shtëpi.

Për herë të parë, çdonjëri është i rrezikuar dhe këtë e tregojnë shumë personalitete që kanë rezultuar pozitivë ndaj testit të Covid. Kryeministri Rama e njeh mirë gjendjen e shëndetësisë së vendit, ndaj edhe u tregua i ashpër me masat shtrënguese. Por a e ka menduar sa do të jetë rrëpira e ekonomisë në kushtet e një stopimi imediat të aktivitetit ekonomik dhe injektimit me pikatore të parasë në tregun e konsumit?!

Në një deklaratë të fundit kryeministri tha me të drejtë se, ekonomia mund të ringrihet, por njerëzit nuk mund të ringjallen.  Në fakt të dhënat, edhe pse të dhimbshme në humbjen e viktimave, janë relativisht të ulëta krahasuar me vatrat e infeksionit në Itali, Spanjë, Britani, SHBA etj.

Artikulli u publikua më parë në faqen 6 të numrit 23 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 23 të saj.

Por, ndërsa numri i të sëmurëve po monitorohet e mbahet nën kontroll, qeveria ende nuk i ka bërë llogaritë me listat e të papunëve që po nisin të shtohen dita ditës.

Që në mes të muajit mars, kompani shërbimesh apo edhe tregtie kanë përgjysmuar stafet e tyre. Ndërkohë që në një anketë të Shoqatës së Prodhueseve, rezulton se 70% e kompanive të mëdha do të çojnë në shtëpi, jo pak por 50%-90% të punonjësve. Ndaj emergjenca ekonomike nuk është larg emergjencës shëndetësore, në mos ajo do të jetë më e rrezikshme dhe më e dhimbshme. Pandemia e këtyre përmasave, është një përvojë e pajetuar nga asnjë prej nesh që popullojmë globin. Njerëz që ndoshta as pandemive të kaluara, nuk u kemi dhënë rëndësinë e duhur.

Si kanë reaguar, si e kanë zgjidhur dhe si janë rimëkëmbur vendet pas pandemive. Sigurisht që sot, teknologjia është më e zhvilluar dhe njerëzimi e ka më të vështirë të pranojë sundimin e pandemisë, kur investimet në teknologji janë marramendëse.

Ndryshe nga shumë vende, madje edhe nga Italia fqinje, Shqipëria pati një reagim të shpejtë të izolimit, distancimit social, në mbrojte të infektimit. Nuk munguan reagimet ndaj kryeministrit për masat e ashpra, por përgjithësisht ai u përgëzua për këtë vendim.

Një shëndetësi që vuan thellë emigrimin e mjekëve dhe e ngritur mbi konceptin e shëndetësisë falas, (ku qeveria i ka deleguar privatit disa shërbime), pa një investim furnizimi të qenësishme të spitaleve, flet për vendimin e duhur. Fakti është që njeriu, i cili po synon të shkojë për turizëm në Hënë, sot ëndërron të dalë në bregun më të afërt të detit, pasi ka frikë nga një armik i padukshëm. Por kohët e vështira janë  edhe kohët më të mira për një lidër, për të kuptuar lidershipin e tij.

E gjithë bota, e në veçanti Italia, u impresionua nga deklarata e kryeminstrit britanik se nuk do të ndërmerrte masa shtrënguese dhe virusi do të prekte 60% të popullsisë. “Çdonjëri nga ne do të preket nga humbja e të afërmve të tij”, u shpreh ai, ndërsa bëri të ditur mbajtjen hapur të të gjitha aktiviteteve, përfshirë shkollat.

Kursin e ndryshoi vetëm një javë më vonë, ndërsa më tej, u bë e ditur edhe infektimi i tij nga Covid 19. Covid vuri gjithashtu në dukje marrëdhëniet e brishta të Bashkimit Europian dhe aspak në linjën për të cilën është ndërtuar. Për herë të parë, vendet vendosën të shfuqizojnë Paktin e Stabilitetit (duke u mundësuar qeverive të vendeve të prekura të kalojnë kufirin e shpenzimeve prej 3%). Por, pjesa veriore e Europës ende nuk ka pranuar kërkesën e Italisë, Spanjës dhe Francës për të emetuar një bond të posaçëm për luftën ndaj Covid.

Vendi ku të gjithë duhet të kontribuojnë, nuk tregohet i gatshëm të marrë përsipër ndarjen e përbashkët të barrës së kostove të Coronavirusit”.

Në kushte të tilla, Italia dhe Spanja, por edhe Franca po përballen me një sfidë të brendshme të madhe. Edhe pse me një nivel të shëndetësisë ndër më të mirët në Botë, ato po flasin për një kolaps të mundshëm në shëndetësi dita ditës. Lufta që po zhvillohet në spitale u ka marrë jetën në Itali mbi 60 mjekëvë e mbi 20 infermierëve.

Një virus kaq i ashpër frikëson mbi të gjitha vendet e varfra. OBSH dhe organizatat humanitare, i druhen një katastrofe të mundshme me përhapjen e tij në Afrikë. Sipas parashikimeve të organizmave ndërkombëtare pandemia vë në vështirësi vendet e varfra dhe ato në zhvillim. Një raport i Standard&Poors, tregon se Shqipëria mund të jetë ndër 15 ekonomitë më të rrezikuara për shshkak të Covid. Ky është një alarm për të vënë në vëmendje ekonominë po aq sa emergjencën shëndetësore.

Por, ndryshe nga masat e ashpra mbrojtëse në shërbim të shëndetësisë, masat për mbështetjen e ekonomisë janë të zbehta. Me një vlerë rreth 70 milionë dollarë që parashikon të mbështesë shëndetësinë, të vetëpunësuarit dhe shtresat në nevojë, impakti është pothuajse i padukshëm në rritjen e qarkullimit të ekonomisë. Kjo paketë pritet të shoqërohet me paketa të tjera mbështetëse, por është bërë e qartë se “deti nuk është bërë kos”. Në fakt, kur kryeministri thotë këtë ka parasysh mungesën e mbështetjes së kompanive të mëdha, të cilat me sa kanë paralajmëruar do të pushojnë nga puna shumë njerëz. Në të njëjtën kohë, me masa më të moderuara për bllokimin e ekonomisë, pothuajse të gjitha vendet reaguan menjëherë për të mos ndaluar konsumin dhe qarkullimin e parasë, duke

përcaktuar bonuse apo pagesa mujore për këdo që ishte i detyruar të rrinte në shtëpi. Kryeministri Rama u tha qytetarëve në daljet e tij se nuk duhet ta krahasojnë veten me bashkëqytetarë në shtete të tjera, të cilat kanë një ekonomi më të fortë. Por, nëse nuk duhet të krahasojmë vlerat bruto të shpenzimit të parasë, le të përpiqemi të reagojmë në mënyrë proporcionale. Të dhënat tregojnë se as këtë nuk e kemi bërë. Gjermania dhe Italia kanë miratuar dekrete për mbështetje nga qytetarëve dhe biznesit në masën 10% të PBB-së të tyre ndërsa në Shqipëri dekreti i parë i miratuar është në nivelin e 1.6%

të PBB-së. Nëse bonuset në shtetin fqinj mbërrijnë në llogarinë e çdo personi të papunë, në vendin tonë u bë e qartë se punonjësit në të zezë, nuk do të kenë mundësi mbështetje. Ata u ftuan të denoncojnë sipërmarrësit. Duke vlerësuar se masat janë marrë në të njëjtën linjë me të vendeve të tjera, ish ministri i Financave Arben Malaj, theksoi se gjendemi përballë 3 kolonave që një program rimëkëmbje ekonomike mund të funksionojë.

Një anketë e Shoqatës së Prodhuesve, ka nxjerrë në pah se 70% e kompanive do të pushojnë nga puna deri në 90% të punonjësve. Ndërkohë që 10% e kompanive të pyetura do të mbyllin tërësisht aktivitetin. Një prej tyre është sfida sociale. “Sfidat do të jenë të mëdha dhe askush nuk duhet, qoftë edhe në fshatin më të largët, jo më në rrethinat e qyteteve, të mbetet jashtë skemave të mbrojtjes sociale. Këtu, do të ishte në të mirë të qeverisë dhe në rritje të kredibilitetit të saj dhe transparencës së procesit që shifrat të ishin të sakta dhe shkalla e mbështetjes, të ishte në një lloj barazie, në varësi kjo edhe të numrit të anëtarëve të familjes”, -tha Malaj.

Kjo pritet të vërë qeverinë përballë një situate që, nëse nuk mbështet kompanitë dhe punonjësit e saj sot, do të detyrohet të mbështesë shumë më tepër të papunë dhe shtresat në nevojë nesër e për një kohë më të gjatë. Ndaj, përkundrejt edhe një borxhi më të lartë, Qeveria nevojitet të reagojë ndaj ekonomisë me po aq shpejtësi e vendosmëri sa bëri me masat shtrënguese.

Kështu varfëria mund të mos ulet këmbëkryq. Nëse nuk ndërmerret, do të duhet shumë më tepër kohë për t’u rimëkëmbur pasi kriza shëndetësore të ketë kaluar. Duhet të kemi parasysh se vendet me të cilat zhvillojmë më shumë tregti po mbështesin ekonomitë e tyre. Menjëherë pas pandemisë, kompanitë do të rinisin punën, kërkesën e porositë dhe nëse kompanitë tona nuk janë të gatshme për të bërë kontrata pune me ta, do të humbasin punën dhe tregjet.

Artikulli u publikua më parë në faqen 6 të numrit 23 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 23 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0