Startup Grind Tirana me Aldo Rama dhe Edor Moci, Pastaria produkt i një ortakërie të mirë

Startup Grind Tirana me Aldo Rama dhe Edor Moci, Pastaria produkt i një ortakërie të mirë

Dy është më mirë se një! Jo vetëm në jetë, por dhe në biznes. Këtë pohojnë 2 ortakët më të rinj në qytet. Aldo Rama dhe Edor Moci, bashkëthemelues dhe drejtues të “Pastaria”.

Më shumë se dashuria për makaronat, ajo që i bëri bashkë djemtë ishte momenti, dëshira e mirë për të ndryshuar dhe një vendim për të punuar për veten. Frymëzuar nga bizneset më të suksesshme pas një krize ekonomike, ata gjetën interesant modelin e një restoranti dedikuar vetëm makaronave dhe shijeve të tyre. Një industri kjo e zhvilluar fare pak në vendin tonë.

Lexoni: 5 Restorantet më të mira në Tiranë, sipas të rinjve

Të ftuar në StartupGrind Tirana ditën e Hënë, pranë ambjenteve të ICTS LAB, ata na rrëfyen më shumë rreth historikut, vështirësive dhe dëshirës për t’u rritur akoma dhe më shumë me degë të tjera.

Dy tipe dhe sfonde të ndryshme. Aldo Rama i diplomuar në gjuhën greke, jetën e tij profesionale e nisi si gazetar, më pas si kryeredaktor pranë Digitallife.al.

Aldo ka qenë gjithashtu CEO i Bizz Sh.p.k dhe i “Fondacionit Shqiptar të Inovacionit në Shqipëri” si dhe ka dhënë kontributin e tij në konferencën e teknologjisë “Infocom Albania”.

Ka një eksperiencë të gjerë në sektorin e telemarketingut dhe ka qenë përgjegjës për përzgjedhjen, trajnimin dhe menaxhimin e burimeve njerëzore prej 2 vitesh.

Përpara themelimit të Pastaria, ai ka punuar për Neptun Albania në departamentin komercial ku dhe është njohur me ortakun e tij të ardhshëm, Edor Moci.

Edor Moci njëkohësisht, punon për një prej kompanive më të mëdha në Shqipëri të menaxhimin të brendit.
Ai është diplomuar nga Universiteti i Tiranës në fushën e Administrim Biznesit. Fokusi i tij ka qenë zhvillimi dhe zgjerimi i rrjetit “Pastaria”.

Pavarësisht kësaj, marrëdhënia e tyre në biznes funksionon më së miri. Duke qenë të ndryshëm, ata plotësojnë njëri-tjetrin dhe nevojat e biznesit.

“Është fat të gjesh personin e duhur,” shprehet Aldo. “Ajo që e bën marrëdhënien tonë dhe më të fortë është Besimi. Ne po rritemi dita ditës sepse kemi besim te njëri-tjetri dhe po ndajmë mes nesh eksperiencën tonë”.

I vetmi në llojin e tij, logo tërheqëse, makarona të freskëta të prodhuara vetë, rreth 30 lloje salcash, shërbim taksi për të gjithë klientët dhe një marketim i shkëlqyer në rrjetet sociale. Pastaria nuk është vetëm një restorant i mirë dhe i përballueshëm nga të gjithë, por mund ta konsiderojmë dhe një brand shumë të mirë.

Një ambjent i thjesht, por me stil, “Pastaria” është vendi ku mund të konsumosh me miqtë diçka të shpejtë, të shëndetshme dhe pa shpenzuar shumë para.