Sputnik, platforma edukative që ofron kurse online në gjuhën shqipe » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 19/09/2019

Sputnik, platforma edukative që ofron kurse online në gjuhën shqipe

Share
nga Anerola Torollari
Sht 19, 2019
Studied at Faculty of Science, Content Editor Biznesi at Business Magazine
lexo me teper >

Sputnik, quhet platforma edukative online, e cila është krijuar nga 23 vjeçari Henry Rroga, në Shkurt të këtij viti.

Platforma Sputnik ofron kurse mbi programimin dhe matematikën, zgjidhje ushtrimesh hap pas hapi të librave shkollorë dhe ndihmë me detyrat e shtëpisë. Platforma u shërben nxënësve, të cilët hasen me vështirësi në lëndët që frekuentojnë dhe të gjithë atyre që duan të mësojnë mbi programimin, informatikën, por jo vetëm.

Sputnik ofrohet online në formën e një aplikacioni web ku çdo vizitor mund të regjistrohet falas dhe të përfitojë zgjidhjet e detyrave të shkollës bashkë me mundësinë që të pyesë për çdo gjë rreth lëndëve shkollore. Ndërsa kurset nuk kanë nevojë për regjistrim dhe mund të shihen edhe në Youtube.

“Mbi një vit më parë nisa të krijoj video edukative në Youtube nën emrin tim, gjë e cila u prit mjaft mirë dhe audienca rritej dita-ditës. Kjo më dha shkas të krijoja një platformë ku njerëzit ta kishin më të lehtë dhe tërheqëse të mësonin dhe, gjithashtu, të më jepte mundësinë ta zgjeroja duke futur risi të reja,” thotë për BusinessMag Henry.

Lexoni: Tutoriale në gjuhën shqipe për fushën e teknologjisë

Emrin projektit të tij ja ka vënë Sputnik për arsye se është shumë i dhënë pas hapësirës dhe eksplorimit të saj. Sputnik është sateliti i parë artificial i dërguar në orbitën e Tokës që ndezi shkëndijën e “luftës hapësinore”. Që atëherë njeriu ka shkelur në Hënë dhe po përgatitet të shkojë në Mars, duke frymëzuar kështu miliona njerëz.

Henry na tregon se ecuria e tutorialeve të Spuntik është mjaft e mirë dhe se trendi për t’i përdorur ato sa vjen edhe përmirësohet. Tutorialet e Sputnik numërojnë rreth 15,000 shikime në total me gati 1,000 orë që shikuesit kanë shpenzuar duke i parë dhe mësuar prej tyre.

Leksionet që preferohen më shumë janë ato mbi matematikën, pasi audienca është më e gjerë. Ndërsa, për sa i përket programimit, kursi që ndiqet më shumë është Python.

Platformën e Sputnik, Henry e ka programuar vetë dhe kjo ka pasur vështirësitë e veta teknike. Gjithashtu çdo video që shkruhet, regjistrohet zëri, montohet dhe publikohet realizohet plotësisht nga ai, proces i cili kërkon shumë punë dhe durim.

“Familja është mbështetja ime kryesore, e cila më jep mundësinë të merrem me këtë projekt në mënyrën më optimale të mundshme. Gjithashtu, më duhet të falenderoj disa përdorues të Sputnik që kanë dhënë kontributet e tyre monetare për të mbuluar kostot e platformës dhe disa nxënës shkolle dhe miq të mi me materialet e tyre edukative,” shprehet Henry.

Pas kësaj platforme nuk fshihet ndonjë ekip i madh, por puna dhe pasioni i Henry, i cili i është dedikuar full-time, kjo për shkak të volumit të lartë të punës që kërkon çdo ditë, si në krijimin e videove dhe zgjidhjes së ushtrimeve, por edhe prej risive të reja që ai dëshiron të eksperimentojë me të. Krahas tij, ka dhe persona që merren me zgjidhjen e ushtrimeve dhe që janë të gatshëm të ndihmojnë nxënësit gjatë vështirësive që mund të hasin në vitin shkollor.

“Vizioni i Sputnik është të ofrojë një edukim cilësor mbi një gamë të gjerë subjektesh për njerëzit që kanë nevojë dhe që duan të mësojnë më tepër,” tregon Henry për vizionin e Sputnik.

Henry pas dy vitesh shpreson që Sputnik të jetë vendi i preferuar i njerëzve që duan të përmirësojnë dhe të rrisin njohuritë e tyre.

E ndërsa për bashkëmoshatarët e tij ai këshillon: “Thjesht niseni. Merrni hapin e parë, që nga ky moment. Gjasat janë që do dështoni, por nuk duhet të demoralizoheni, përkundrazi, duhet ta ktheni dështimin në rritje dhe një ditë do jeni të suksesshëm,” duke mbyllur kështu intervistën për BusinessMag.