Si po i përgjigjemi frikës nga koronavirusi? - Business Magazine Albania

Si po i përgjigjemi frikës nga koronavirusi?


Shkruar nga Anisa Tahiri, Psikologe

’Karantina e përmbysur’ dhe përgjigjia individuale ndaj frikës kolektive

Botën këto ditë e ka kapluar frika dhe në Tv e mediat sociale gëlojnë lajmet herë të sakta e herë gjysëm të sakta…Këto lajme priten me ankth dhe shqetësim dhe sipas tyre individët reagojnë. Natyrshëm lind pyetja, mirë mediat, po ne si individë, si po reagojmë ndaj koronavirusit të ri?

Ka disa mënyra që individi mund t’i përgjigjet frikës. Disa individë presin reagimin e organizatave ndërkombëtare, të shteteve, apo punëmarrësve. Ndërsa disa të tjerë mundohen të mos ndryshojnë sistemin, por të ndryshojnë vetveten. Kështu ky grup do ta “izolojë’ veten, do ta veçojë dhe atë që të tjerë do ta zgjidhnin kolektivisht, ky grup do të mundohet ta zgjidhë në mënyra alternative. Pikërisht në këtë formë po sillemi edhe ndaj covid_19.

Profesori Andrew Szasz nga Universiteti i Kalifornisë, e ka emërtuar këtë fenomen si: ‘karantina e përmbysur’. Synimi padyshim është mbrojtja e vetes nga rreziku që mund të vijë nga ambjenti, nëpërmjet konsumit selektiv, sesa aksionit kolektiv. Karantina e përmbysur mund të manifestohet në disa mënyra; përfshirë përzgjedhjen e ushqimit që konsumon, konsumin e ujit të pijshëm në shishe apo dhe në përkujdesjen për cilësinë e ajrit. Për shembull ata që kanë frikë nga përdorimi i tepërt i pesticideve, kërkojnë të blejnë ushqim organik pa hormone rritjeje. Ata që kanë dyshime në cilësinë e ujit, vrapojnë drejt blerjes së ujit në shishe, apo vendosjes së filtrave. Kjo lloj sjellje është manifestuar edhe këto ditë, ku nga frika kolektive e virusit, njerëzit vërshuan drejt farmacive për të blerë maska mbrojtëse, dezinfektues apo alkol. Kemi parë se si fqinjët tanë italianë po veprojnë gati gati në panik, dhe po njësoj po veprohet në shtetet e tjera, të cilat kanë filluar të njoftojnë rastet e para të infektimit.

Por, ç’të keqe ka ‘karantina e përmbysur’?

Problemi qëndron se ‘karantina e përmbysur’ e bën përgjegjësi të individit ose konsumatorit që të marrë masa dhe të mbrojë veten. Epo që të përgjigjemi efektivisht ndaj emergjencave duhet të mendojmë kolektivisht dhe jo individualisht.  Në kohë stabiliteti social, ekonomik dhe politik, ata që kanë mundësi financiare do të blejnë dhe do të konsumojnë produktet për të cilat ata kanë nevojë. Po në kohë frike dhe destabiliteti? Të mos harrojmë se të varfërit kanë më pak mundësi të përgatiten në rast emergjence, katastrofe natyrore, apo të rikuperojnë të ardhurat e tyre në muaj e vite më vonë. Si pasojë kjo pjesë e shoqërisë me resurset më të pakta, goditet edhe më fort. Pra, jo të gjithë kanë mundësi financiare të ushtrojnë ‘karantinën e përmbysur’. Për më tepër që, produktet që ushqejnë ‘karantinën e përmbysur’ janë më të kushtueshëm dhe më pak të aksesueshëm, pra që nga krijimi i tyre, janë të destinuar për t’u konsumuar nga individë disi më të privilegjuar ekonomikisht. Sidomos tani që të gjithë po kërkojnë të krijojnë karantinën e tyre personale që i mbron nga mjedisi rrethues, me dezinfektuesit nëpër çanta e me maskat në fytyrë, çmimet janë rritur. Industria shëndetësore ka adoptuar strategjitë e duhura e të bërit biznes, me synim përfitimin sa më shumë nga frika nga rreziku. Në një përpjekje kundër rritjes së çmimeve të maskave, Amazon, gjigandi i blerjeve online, pretendon të ketë marrë masa paraprake që çmimet të mbeten të njëjta si përpara përhapjes së virusit covid_19. Por, mediat raportojnë që maskat po shiten deri në 4 herë më shumë se ç’mund të bliheshin më parë.

Le të rikthehemi dhe një herë tek koncepti i karantinës së përmbysur, nga vetë fjala mund të kuptohet që është e kundërta e karantinës, pra ndërkohë që karantina ndan elementët problematikë nga pjesa tjetër e mjedisit, karantina e përmbysur e shikon të gjithë mjedisin si të pashëndetshëm dhe individët hidhen në veprim për të zvogëluar dëmet që mund t’u bëhet atyre personalisht. Fatkeqësisht, suksesi i ‘karantinës së përmbysur’ nuk është i garantuar. Në fakt, nëse nxitojmë të mbrojmë veten do të gjendemi në një situatë paniku. Ashtu si për të shpëtuar nga tërmeti të gjithë nxituam të largoheshin nga epiqendra dhe rrugët u bllokuan nga trafiku.

Përgatitja me sukses para situatës emergjente, superimi i situatës emergjente dhe rindërtimi pasi ajo ka kaluar, kërkon jo vetëm vendime individuale por kolektive. Veprimet tona si individë nuk do të jenë të mjaftueshme nëse nuk bëhen plane gjithëpërfshirëse sepse si individë nuk mund të marrim masa ndaj infrastrukturës, transportit, resurseve apo mungesës së personelit mjekësor. Çdo emergjencë kërkon vëmendje dhe përpjekje kolektive.

Ndihemi të shqetësuar, konfuzë dhe mundohemi të ndihmojmë veten, por nuk dimë ekzaktësisht sesi. Sigurisht që do të përgatitemi ndaj rreziqeve që vijnë nga ambienti, por të përgatitemi edhe individualisht edhe kolektivisht; të mos harrojmë njëri-tjetrin në këto ditë të vështira. Sepse për të përballuar çfarëdo lloj situate emergjente qoftë një tërmet, përmbytje, thatësirë, uragan apo virus, është i domosdoshëm bashkëpunimi i mirëkoordinuar mes të gjithë elementëve: individit, instancave shtetërore, e kompanive private, në nivel lokal, kombëtar e global.

Pa bashkëpunim, ‘karantina e përmbysur’ është në rastin më të mirë vetëm një zgjidhje e përkohshme.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0