Si e sollëm “Get in the Ring” në Kosovë dhe si do ta zhvillojmë më tej për startup-et shqiptare
Përditësuar së fundmi: 28/12/2015

Si e sollëm “Get in the Ring” në Kosovë dhe si do ta zhvillojmë më tej për startup-et shqiptare

Share
nga Xhulia Vasili
Dhj 28, 2015
Studied at Faculty of Economy, UT Content Editor Biznesi at Business Mgazine
lexo me teper >

Intervista me Alejtin Berisha

Alejtin-Berisha-BusinessMag

1. Do doja nga ju përshkrimin më të shkurtër të Alejtin Berishës. Kush është Alejtin Berisha?

Alejtin Berisha është një ndërmarrës serial, drejtor ekzekutiv në kolegjin Universum dhe themelues i rrjetit Kosvar të Business Angels; Kosban – Kosovo Business Angels Network.

2. Të flasim pak për “Get in the Ring.” Ideja ka lindur në Hollandë? Ështe format televiziv i viteve të fundit, apo jo?

Po, në Hollandë. Në fakt ky është viti i katërt i “Get in the Ring,” ka filluar diku nga viti 2011 si koncept, por është koncepti me zhvillimin më të shpejtë në botë, ka arritur të shpërndahet në mbi 100 shtete. Dhe kjo për shkak se përmbush disa zbrazëtira. Pikë së pari sepse i mbledh në një vend startupet dhe investitorët, që është shumë e rëndësishme. Elementi tjetër janë fansat; publikut i jep qasje për herë të parë dhe për atë arsye konsiderohet si Olimpiada e Startupeve, prandaj organizohet në këtë formë.

3. Shumë interesante. Po si arritët ta sillnit në Kosovë?

Në kuadër të Kosban, kemi një bashkëpunim strategjik me BiD Network (http://www.bidnetwork.org/) në Hollandë, që është organizatë që mbështet sipërmarrjen nëpër botë. Në vitin 2014, ne ishim në Hollandë, kishim takime të organizuara me Business Angels Networks të Hollandës dhe disa Angel Investors, Venture Capitalists etj. Ndër to ishte edhe finalja e “Get in the Ring,” ku ne ishim pjesëmarrës në finalen e “Get in the Ring.” Pas finales BiD Network na organizoi një takim me ideatorin, themeluesin e Get in the Ring, Hendrikun (Hendrik Halbe) dhe aty ishte ku bëra një prezantim të shpejtë (pitch). Ai u befasua nga ambiciet tona dhe kështu lindi faktikisht. Më pas, sigurisht na janë dashur 4-5 muaj diskutime në lidhje me kontratën, detajet etj. për atë që mund të bëhej. Diku nga fundi i prillit kemi nënshkruar kontratën, nga ku kemi filluar të punojmë më pas për këtë projekt.

4. Edicioni i organizuar që sapo lamë pas ishte edicioni i parë për Kosovën apo jo?

Po, për Kosovën ishte edicioni i parë.

get-in-the-ring

5. Si ishte pjesëmarrja? Pati audiencë?

Si fillim ka pasur një numër të mirë startupesh, por nuk mund të them se ka qenë befasues në fakt. Dua të them se nuk kanë konkurruar me qindra startup-e dhe ne kemi përzgjedhur 6 më të mirët për t’u ndeshur, por ishin përafërsisht 4 startupe që konkurruan për një pozicion.

Kur e lançuam ishte kohë e shkurtër dhe ka shumë evente që organizohen në lidhje me sipërmarrjen. Në fakt kjo ndodh pasi aktualisht, Kosova ka filluar të dalë pak në pah në rajon – kur them rajon po flas për Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi – dhe vihet re se po vijnë të gjithë për të marrë diçka dhe startup-et e mira, duket se po përtojnë, nuk po futen nëpër gara apo të ekspozohen së tepërmi. Pra ka shumë kompeticione / gara të tilla, gjë që mund të na ketë dëmtuar paksa. Megjithatë, publik ka pasur shumë, kanë qenë mbi 250-300 pjesëmarrës. Kemi pasur përparësinë të sjellim edhe studentët tanë prej kolegjit tonë Universum duke e pasur pak më të lehtë për të promovuar ngjarjet. Mendoj se organizimi ka qenë shumë i mirë, ndoshta nuk mundem ta vlerësoj tërësisht, por pritjet e mia janë tejkaluar.

Artikulli u publikua në faqen 23 të nr. 8 të revistës Business Magazine Albania. Për ta shfletuar të plotë revistën klikoni këtu.

Kam pasur pak skepticizëm, sepse nuk është e lehtë të organizosh një Get in the Ring. Misioni im jetësor është të promovoj sipërmarrjet shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe trevat shqiptare. Vetëm për atë punoj çdo ditë. Të njëjtën gjë e di se e keni edhe ju. Ndaj mendova se si ta bënim më interesante. Që nga fillimi e realizuam në atë mënyrë që të prodhonim një TV Show. Ky ishte projekt pilot që do të transmetohet së shpejti në Klan Kosova. Ideja jonë është që vitin e ardhshëm ta realizojmë për Kosovën, Shqipërinë dhe pjesën shqiptare, ku të realizojmë një TV Show me 15 episode.

6. Gjithçka u organizua brenda një episodi?

get-in-the-ring-3

Një episod se ne ishim në fazën pilot. Ne mund ta kishim organizuar shumë më thjeshtë, me një sallë normale, kemi vendosur një ring të vogël, pa ndonjë pompozitet por ne vendosëm ta bënim me 12 kamera në studio. Studion e kemi organizuar të veçantë për këtë event, me juri, biznesmenë, investitorë, të ftuar. Pra, jemi munduar ta bëjmë sa më mirë që kemi mundur dhe tani jemi duke punuar për formatin e parë botëror televiziv të Get in the Ring. Thashmë jemi në bisedime me Hendrikun për marrëveshjen që t’i shpërndajmë këto përmes “Get in the Ring” edhe në të gjithë botën.

7. Nga ndryshon Get in the Ring nga kompeticionet e tjera?

Get in the Ring përveçse është një kompeticion ku startupet bëjnë pitching (prezantojnë biznesin e tyre) dhe garojnë me njëri-tjetrin brenda ringut, është shumë argëtuese, ka masën e argëtimit, që do të thotë se publikun e zgjon shumë më tepër, e bën ndërmarrësinë shumë më interesante, e vë në fokus dhe e rrit interesimin e publikut për sipërmarrjen. Për këtë arsye ne mendojmë se kjo ka për të patur një ndikim të mirë me publikun e gjerë shqiptar, në mënyrë që njerëzit duke i parë këto, të motivohen. Mendojmë të ketë 48 startupe konkurruese deri tek fituesi në finale. Nuk do të jenë prezantime vetëm nga teknologjia. Ka shqiptarë anembanë botës që kanë bërë zbulime të caktuara dhe ne do të mundohemi që ato t’i shndërrojmë në biznese, t’i ndihmojmë, të tregojnë për suskesin e tyre. Dhe në këtë mënyrë duke argëtuar publikun, të rrisim nivelin e sipërmarrjes.

8. Kam përshtypjen se qëllimi kryesor i komplet formatit ai ka qenë, një ndërgjegjësim në nivel të gjerë i publikut për sipërmarrjen dhe startupet e reja. Dhe përveçse publiku është pjesë aktive, në këtë rast do të jetë edhe televizioni, që rrit audiencën dhe efekti është shumë herë më i fuqishëm në krahasim me një sallë.

Absolutisht po, ky është edhe qëllimi ynë. Videot e finales së Get in the Ring janë befasuese dhe ka shumë gjasa që finalja e ardhshme rajonale të mbahet në Kosovë. Por më vonë kemi pretendime edhe më të mëdhaja.

get-in-the-ring-5

Vitin e ardhshëm do ta organizojmë me patjetër edhe në Shqipëri. Por ideja ime është që të bëhet jo një event i ndarë, si vetëm në Kosovë apo Shqipëri, por që t’i përfshijë të gjitha trojet shqiptare, edhe trevat shqiptare në Maqedoni. Liçencën e kemi marrë për të treja vendet.

9. Në këtë rast kam përshtypjen se Tirana do të jetë një pikë strategjike për shkak të afërsisë, ambjenteve, plus që i shton vlerën rajonit tonë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mali i Zi për të garuar me Serbinë dhe Kroacinë. Startupet i keni trajnuar përpara për pjesën e pitching ose konkursit?

E vërtetë. I kemi trajnuar. Ka qenë një trajnim rreth 4 orë një ditë para finales dhe jemi marrë me secilin veç e veç. Kishte disa që kishin vërtet nevojë por kishte edhe nga ata që ishin shumë të përgatitur duke bërë Show në skenë.

10. Fituesin e Get in the Ring Kosova, Valon Hasanin, çfarë e pret më pas? Ku do të konkurrojë?

Valoni do të konkurrojë në finalen rajonale, por nuk është përcaktuar ende nëse do të jemi në finalen rajonale për Evropën Lindore që mbahet në Bullgari, apo në rajonalen për Evropën Jugore që mbahet në Greqi, Athinë. Pavarësisht se pritet që të konkurrojmë në Greqi, nuk është vendosur përfundimisht ndarja e shteteve se në të cilën rajonale do të konkurrojnë startupet.

get-in-the-ring-6

Pastaj hapi i rradhës tjetër, është gara globale e cila mbahet në Kolumbi këtë vit, në kuadër të Global Entrepreneurship Congress. Ne po shpresojmë se nëse Valoni arrin të kalojë finalen rajonale, pra të fitojë rajonalen e Greqisë ose Bullgarisë, të kalojë në finalen globale, e cila do të ishte e jashtëzakonshme. Ne po punojmë me të për ta suportuar.

11. Po e mbështesni për modelin e biznesit? Kur do të zhvillohet rajonalja?

Po, patjetër. Po e ndihmojmë në përmirësimin e tij me disa kolegë tanët, gjithashtu po i mbulojmë edhe shpenzimet. Ndërsa Valoni po punon mbi prototipin final, me shpresën se shumë shpejt do ta nxjerrë aplikacionin e tij në mënyrë që të ketë diçka më konkrete për prezantim.

Finalja rajonale, nëse do të zhvillohet në Greqi mendohet të organizohet në javën e fundit të janarit, ndërsa nëse do jetë në Bullgari mendohet në javën e parë të shkurtit.

12. Siç e përmendët edhe ju, Busines Magazine ka në fokus inkurajimin e sipërmarrjes së lirë dhe të gjitha kompeticionet e startupeve për të drejtuar të rinjtë drejt suksesit, qoftë teknologjik, qoftë edhe në biznese të tjera. Paraprakisht ju garantojmë se do të jemi mbështetës me kënaqësi.

Ju falemnderit shumë. Patjetër, sapo të kemi takimin final me Hendrikun dhe të qartësohen të gjitha detajet për Tv Show. Në fillim kishim idenë e 4 episodeve, por duke qenë shumë pak menduam për 15 të tilla. E kemi parë, testuar dhe ka funksionuar shumë mirë. Ngelet për t’u parë edhe me cilën nga mediat shqiptare do të relizohet bashkëpunimi për projektin. Besoj se interesi kurrsesi nuk do të mungonte në televizionet shqiptare duke qenë se asnjëra nuk e ka një format të tillë ‘argëtues’ që është njëkohësisht edhe biznes.

Alejtin, Ju Falemnderit!

Artikulli u publikua në faqen 23 të nr. 8 të revistës Business Magazine Albania. Për ta shfletuar të plotë revistën klikoni këtu.