Nga Fatima Gorezi – Në një kohë kur bota po përshpejton hapin drejt të ardhmes digjitale, Shqipëria është gati të zërë vendin e saj në hartën ndërkombëtare të inovacionit. Me një vizion të qartë dhe ambicie të palëkundur, ACTI (Këshilli Shqiptar për Teknologjinë dhe Inovacionin) sjell në zemër të Tiranës konferencën më të madhe të teknologjisë në vend: ACT NOW 2025.
Ky event nuk është thjesht një ngjarje, është një ftesë për të menduar ndryshe, për të krijuar rrjete reale dhe për të ndërtuar ura midis Shqipërisë, vendeve të rajonit dhe gjigandëve globalë të teknologjisë si Microsoft, Dell, Oracle e IBM
Në prag të këtij momenti historik, biseduam me Kushtrim Shala, Anëtar i Bordit Drejtues dhe Kryetar i Komitetit të Politikave Lokale dhe Globale pranë ACTI-t. Në këtë intervistë ekskluzive, ai ndan me ne pasionin, përkushtimin dhe strategjinë pas një nisme që synon jo vetëm të vendosë Shqipërinë në qendër të vëmendjes rajonale dhe ndërkombëtare, por edhe të krijojë një ekosistem të qëndrueshëm për inovacionin dhe startup-et.
ACT NOW është cilësuar si ngjarja më e madhe për teknologji dhe inovacion në Shqipëri. Çfarë e bën këtë ngjarje kaq të veçantë?
ACT NOW synon të ngrejë siparin e një eventi të përvitshëm në Shqipëri, si ngjarje me rëndësi qendrore në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit. ACT NOW do të jetë një konferencë e madhe, e cila për here të parë do të bëjë bashkë në Tiranë kompanitë lidere të teknologjisë dhe inovacionit nga bota, sipëmarrës, investitorë, profesionistë për të folur mbi inovacionin dhe teknologjitë që po formësojnë të ardhmen. Do të nisë në mbrëmjen e datës 29 maj me një event rrjetëzimi mes të ftuarve si për të shtruar atmosferën që na pret të gjithëve më 30 maj, ditën e konferencës që është ngjarja kryesore e eventit.
Me shumë krenari e themi se do të nderohemi nga prezenca e përfaqësuesve dhe folësve elitarë nga kompanitë prestigjoze të teknologjisë si Microsoft, Dell, Oracle (StarGate), IBM (watsonx), Super Micro, SimSpace etj, kompani inovative, investitorë, sipërmarrës të suksesshëm, përfaqësues të institucioneve kyçe që ndajnë të njëjtin vizion me ACT NOW, e që do të bëhen bashkë si asnjëherë më parë në Tiranë. Folësit e kësaj konference do të fokusojnë pikat e tyre të diskutimit në mënyrën se si e shohin Botën pas 5 apo 10 vitesh dhe se cilat janë veprimet emergjente që ata kanë ndërmarrë për tu përgatitur për këtë të ardhme.
Fjalime Keynote, panele të diskutimit me ekspertë, workshope, sfida si Cyber Drill, dhe rrjetëzim mes të pranishmëve. Konferenca do të ndiqet nga një ceremoni ekskluzive e ndarjes së çmimit të madh ACT NOW Grand Prize si shenjë që ACTI kërkon të përçojë në ekosistem në vlerësimin projekteve më inovatore me potencial të impaktit përshkallëzues global.
Si u arrit bashkëpunimi me gjigandë të teknologjisë si Microsoft, Dell, Oracle etj dhe cilat janë pritshmëritë nga fjalimet e tyre kryesore?
Patjetër që të sjellësh kompani të tilla në Shqipëri ka qenë dhe është sfiduese. Megjithatë, Këshilli Shqiptar për Teknologjinë dhe Inovacionin (ACTI), si një strukturë e posaçme për Teknologjinë dhe Inovacionin, nëpërmjet mekanizmave e partneriteteve ekzistuese me këto kompani, gjithashtu përmes mekanizmave të ngritur siç janë 5 komitetet e saj të cilat i gjeni në faqen zyrtare të ACTI-t https://acti.al, ia ka dalë të realizojë bashkëpunimin me këto kompani për ACT NOW 2025, dhe mund të them se është mirëpritur me shumë kuriozitet një ngjarje e tillë prej tyre. Gjithashtu duhet theksuar se fuqizimi i ekosistemit shqiptar të startup-eve dhe inovacionit në tërësi, dëshmon se ky ishte pikërisht momenti i duhur për ta ekspozuar Shqipërinë si qendër teknologjike në rritje në drejtim të inovacionit duke marrë vëmendjen e kompanive ndërkombëtare.
Lexo edhe: ACT NOW 2025: Një kapitull i ri për Shqipërinë Digjitale
Nga informacionet e deritanishme, përgjatë konferencës do të trajtohen tematika të ndryshme të lidhura me AI dhe Cyber Security: “Quantum-ready world”, “Digital Trust in the Age of Deepfakes”, The Next Era of Secure Access and Identity “Startups & Scaleups” etj, si edhe teknologjitë që po formësojnë të ardhmen, e për të cilat dashamirësit e teknologjisë dhe inovacionit padyshim do të kenë shumë interes, për t’i dëgjuar nga ata që vetë po bëjnë revolucionin në këtë industri.
Në një vend si Shqipëria, ku infrastruktura digjitale është ende në zhvillim, si e ndihmon ACT NOW vizionin për ‘Digital Albania 2030’?
Shqipëria është një vend në zhvillim dhe vitet e fundit ka treguar një manifestim të gjerë të integrimit të teknologjive inovative në administratën publike dhe atë fintech. Vetë ekosistemi i teknologjisë, inovacionit dhe startup-eve po zhvillohet dita ditës. Thënë kjo, ACT NOW është një mundësi, e cila pritet të hedhë themelet për një event të përvitshëm. Kjo iniciativë synon ta forcojë vizionin dhe rrugën drejt Shqipërisë Digjitale, duke formësuar partneritete të reja, ekspozim të pikave më të forta të ekosistemit tonë dhe inkurajim të investimeve të kompanive botërore në kapacitetet e burimeve njerëzore dhe ato tekniko-infrastrukturore në vend.
Një nga misionet e këtij ACT NOW është gjithashtu nxitja e bashkëpunimit përtej kufijve mes liderëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Kroacia, rajoni dhe bota.

Cila është pesha reale që ky event ka në krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm për startup-et shqiptare dhe rajonale?
Për startupet, kompanitë nga Shqipëria, dhe përtej kufirit formal të Shqipërisë, është një mundësi e mirë së pari për të dëgjuar fjalën e fundit të teknologjisë nga kompanitë që e po bëjnë revolucionin në botë, për t’u frymëzuar e mësuar më tepër si edhe për t’u rrjetëzuar. Gjithastu startup-et apo kompanitë që kanë sjellë inovacion në sektorë të ndryshëm, kanë mundësi të aplikojnë për një nga çmimet që do të shpallen gjatë ceremonisë ekskluzime pas konferencës.
Për Startup-et, ScaleUp-et dhe Spinoff-et shqiptare kemi mundësuar prezencen e dhjetëra investitorëve engjëj dhe VC nga rajoni dhe Evropa Qendrore, ku përvec ekspozimit të projekteve rinore, bizneseve të reja që janë anëtarë të ACTI-t do të kenë mundësi të përfitojnë rrjetëzim në dorën e parë të informacionet nga këto institucione prestigjoze investimi.
ACT NOW sjell dhe një ceremoni çmimesh, ku do të jepet një fond prej 50 000 eurosh për projektin e cilësuar si më inovativ nga një juri profesionistësh dhe ekspertësh. Cilët mund t’i bashkohen garës? Si do të përzgjidhen fituesit dhe çfarë rëndësie kanë këto çmime për komunitetin?
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të jetë e hapur për një kategori të vetme aplikimi sic është Cmimi ACT NOW Grand Prize prej 50,000 Euro inovacionin e vitit, që mund të jenë: spin-offs, startupe dhe scaleups ndërsa janë planifikuar edhe cmime inkurajuese me fokus rininë dhe shkathtësitë në cyber security.
Youth Prize që do të shpërblejë projektin më origjinal dhe novator krijuar nga të rinj deri në moshën 25 vjeç si edhe Cyber Drill Prize që do të vlerësojë fituesit e sfidës Cyber Drill që do të realizohet përgjatë konferencës, përmes një platforme të dedikuar nga kompania SimSpace dhe First e cila ka një formatin e një sfide kibernetike me teknologji zero-trust, një platformë e ngjashme me flight simulator.
Për të aplikuar për njërin prej çmimeve të interesuarit duhet të drejtohen online në faqen zyrtare të ACT NOW deri më 10 Maj.
Aplikantët e përzgjedhur do të publikohen pas dates 15 Maj në faqen zyrtare të ACT NOW.
Këto çmime janë të rëndësishme jo vetëm për sa i takon vlerës monetare që ofrojnë (si çmimi Grand Prize), por edhe për mundësinë për të nderuar e vlerësuar ata që kanë sjellë inovacion dhe impakt të vërtetë në komunitetet e tyre.
Keni përfshirë një numër të madh aktorësh: nga qeveria te startup-et e deri te studentët. Si garantoni që ky diversitet të përkthehet në bashkëpunime konkrete? Dua të them, çfarë mekanizmash sigurojnë që rrjetëzimi në ACT NOW të mos mbetet vetëm në shkëmbim kartvizitash, por të kthehet në marrëveshje reale biznesi?
Platforma ACT NOW, përvec ditës së hapur për publikun në konferencen e datës 30 Maj e cila nis në ora 9 deri në ora 15:00 është pasuruar me tre aktivitete paralele pikërisht për të nxitur bashkëpunime konkrete mes aktorëve të interesit në një fushë kaq të gjerë sic është TIK. Në mbrëmjen e datës 29 Maj është organizuar një event i dedikuar për social networking ku të gjitha kompanitë anëtare të ACTI-t do të kenë ftesë ekskluzive me figurat promonente të konferencës që pritet të ndodhë të nesërmen e asaj date, pikërisht për të inkurajuar rrjetëzimin përpara se konferenca të ndodhë.
Datën e 30 Maj-it nga mëngjesi deri në drekë do të jetë një dinamikë e jashtëzakonshme ku 300 të ftuarit do të mblidhen së bashku për të dëgjuar nga njëri tjetri, me hapësira të dedikuara B2B lounge. Ndërsa për ata më të rinjtë që kanë fokus cyber do të jetë një sallë paralele në po të njëjtën ndërtesë në Hotel Marriott Tiranë, ku 20 pjesëmarrës të rinj me fokus sigurinë kibernetike do të udhëhiqen nga Lee Rossey, një eksperiencë unike me rregulla ushtarake e do të tajnohen dhe simulojnë skenare të mbrojtjes kibernetike.
A po shndërrohet ACT NOW në një platformë strategjike për të afruar diasporën shqiptare në sektorin e teknologjisë me vendin?
Patjetër që po. ACT NOW do të shërbejë si një urë lidhese me talenteve shqiptare jo vetëm në Shqipëri por edhe në trevat shqipfolëse dhe në Diasporë, për të cilat në fakt, mirëpriten aplikime për çmimet. Kjo është një mundësi për t’u dhënë hapësirë dhe njohjen e duhur talenteve shqiptare por edhe atyre në Diasporë të shpërfaqin vlerat e tyre në Shqipëri.
ACTI ka një fokus të vecantë për Diasporen, e cila tregohet nga themelimi i një komiteti të dedikuar sic është ai i diaspores me anëtarë aktiv që kontribuojne në të. Komiteti i Diasporës ka objektiv krijimin e urave të bashkëpunimi me diasporën shqiptare dhe industrinë. Angazhon profesionistët shqiptarë jashtë vendit. Promovon kthimin e talenteve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.
Çfarë mund të presin pjesëmarrësit nga Gala Networking Dinner dhe si mund të ndihmojë kjo në krijimin e mundësive reale bashkëpunimi?
Po të njëjtën datë 30 Maj, në mbrëmje, do të jetë një aktivitet i dedikuar ekskluziv për cmimin e madh Grand Prize, por njëkohësisht e pasuruar me një panel prej 15 investitorësh engjëj, Venture Capital nga rajoni dhe Evropa Qëndrore, me bashkëpunimin e Swiss Entrepreneurship Programme që do të ofrojnë mundësitë e përfshirjes në Akademitë e Investitorëve Engjëj pikërisht kompanive anëtare të ACTI.
Cilat janë sfidat më të mëdha që keni përballuar gjatë organizimit të ACT NOW 2025 dhe si i keni kapërcyer ato?
Sfidat më të mëdha që hasim brenda ACTI-t janë vetë ambicia e jashtëzakonshme e Bordit Drejtues të ACTI-t, të cilët kanë vënë objektiva shumë të larta për kontributin dhe gjurmën që duan të lënë në ekosistem, në funksion të standardizimit, unifikimit të zërit, bashkimit dhe nxitjes së konkurencës së ndershme në vend.
Do të ketë ndonjë element surprizë në ACT NOW 2025 që publiku ende nuk e di?
Po, kemi ruajtur edhe disa elementë befasues që do të zbulohen në ditët e eventit. Një ndër to është edhe pjesëmarrja e një roboti humanoid që do të shërbejë si bartender futurist, duke ndërvepruar me të ftuarit dhe krijuar një përvojë unike teknologjike. Për ne kjo nuk është thjesht spektakël, por një deklaratë për të ardhmen që po vjen – një mënyrë për të thënë se teknologjia nuk është më e largët, por pjesë e përditshmërisë sonë. Dhe kjo është vetëm një nga surprizat që ACT NOW do të ofrojë.
Nëse do të mund ta përmblidhnit ACT NOW 2025 me një fjali për ata që ende nuk janë regjistruar – cila do të ishte ajo?
Në ACT NOW 2025, Shqipëria do të flasë gjuhën e inovacionit, në një event ku idetë, inovacioni, bashkëpunimi dhe impakti do të marrin vëmendjen e duhur.
Apliko tani për çmimet – https://now.acti.al/apply-for-an-act-now-prize/
*Për shkak të numrit të lartë të interesit deri më tani, regjistrimet për publikun për pjesëmarrje në Konferencë janë mbyllur. Megjithatë, ju mund të bëheni pjesë e ACT NOW 2025 duke aplikuar për njërin nga çmimet: Grand Prize, Youth Prize dhe Cyber Drill Prize
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.