Shqiptari, biznes për mbarështimin e bletëve në Amerikë » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 20/12/2016

Shqiptari, biznes për mbarështimin e bletëve në Amerikë

Share
nga Anerola Torollari
Dhj 20, 2016
Studied at Faculty of Science, Content Editor Biznesi at Business Magazine
lexo me teper >

Prej kohësh kam dashur të shkruaj për Jani Boron, devolliun që mbarështon bletë në Amerikë. Dhe ja më në fund, erdhi dita. Arsyet që më nxitën të shkruaj këto fjali, ishin dy: së pari sepse Jani e meriton, pasi ka lënë gjurmë në mbarështimin e bletëve në Shqipëri.

Në Poloskë të Devollit, fshat nga i cili është me origjinë, ka mbarështuar bletë në shtëpi, që nga viti 1977. Pas viteve ’90, arriti të ketë 80-90 koshere. Disa vjet ka punuar bletar edhe në shtet, deri në ndërrimin e sistemit. Ai nuk harron të përmendë ndihmën që i ka dhënë në hapat e para, tekniku i bletëve, Soto Veriga. Më pas ka mbarur edhe kurs një vjeçar në Tiranë. Arsyeja e dytë që më nxiti, është origjina e tij nga Poloska, fshat nga ishte edhe nëna ime. Për këtë arsye, Kosta Nakes, Endri Fifos (përfshi edhe poetin e ndjerë, Bashkim Gjoza) që unë i thërrisja me humor “dajo”, ndërsa ata më thërrisnin “nip”.

Por, le të ndjekim rrugën e Janit për bletarinë në Amerikë. Erdhi këtu me llotari në vitin 2008, bashkë me gruan e dy djemtë dhe u vendos në qytetin Rochester, që përfshihet në shtetin e New York-ut. Krahas punës që bënte në restorant, nuk e linte rehat “mikrobi” i bletarisë. Duke biseduar me shokë e miq, arriti të sigurojë bletë qysh vitin e parë që ardhi në Amerikë. Sot ka 30 koshere. Duke biseduar me Janin, ai më tregon se këtu ka shumë lloj lulesh e pemësh, por sezoni i tyre është i shkurtër, rreth një muaj, pasi bën ftohtë.

Në dimër temperatura arrin -28 deri -30 gradë Celsius. Për t’i mbrojtur bletët nga të ftohtit, i mbështjell me karton e plastmas dhe deri tani nuk i është dëmtuar asnjë. Si usta i kësaj fushe, tregon kujdes edhe për luftimin e varrotozës, sëmundje e rrezikshme për bletët. Deri tani nuk i është dëmtuar asnjë koshere nga kjo sëmundje, pasi e bën trajtimin në kohë, ndërsa një mikut të tij amerikan, iu dëmtuan të 2000 kosheret që kishte.

Ai tregon për teknikat e avancuara që përdoren këtu te bletët, një nga të cilat është edhe marrja e mjaltit direkt në koshere, nëpërmjet një paisjeje me tub. Merr 30-35 kg mjaltë për zgjua, por në Amerikë tregon ai, merren deri 70 kg mjaltë për zgjua.

Pyetjes se ku e tregëton mjaltin, ai iu përgjigj:- Një pjesë të mirë ua fal miqve e shokëve, ndërsa një pjesë e shes. Vazot me mjaltë të madhësive të ndryshme, i nxjerr në një tavolinë afër rrugës ku ndodhet parku i bletëve. Aty te ky “dyqan” pa shitës, vijnë amerikanët , marrin mjaltin dhe lenë lekët në një kuti.

-A të është vjedhur ndonjë vazo? – e pyes unë.-As që diskutohet kjo. Këtu është si vakëf.

Por , devolliu Jani Boro, i mësuar me punë si gjithë devollinjtë, synon ta shtojë numrin e bletëve. Mendon të arrijë në 2-3 mijë koshere. Këtu ku jeton, nuk mund t’i shtojë, pasi bën shumë ftohtë. Mendon të shkojë në Kaliforni, ku është vendi më i mirë në Amerikë për mbarështimin e bletëve. Me këtë dashuri e pasion që ai ka për bletarinë, do ta realizojë edhe këtë synim.

shqiptari-biznes-per-mbareshtimin-e-bleteve-ne-amerike-businessmag

Duke jetuar në Amerikë, Jani nuk harron asnjëherë Shqipërinë. Krahas lidhjeve që mban me njerëzit e tij, babanë, nënën, motrat etj, nuk harron edhe shokët e miqtë e tij, veçanërisht bletarët në Devoll.-I marr në telefon , u tregoj për teknikat e reja që zbatohen këtu, i dërgoj foto e video, etj. -Mos nguroni të më kërkoni ndihmë! – u them bletarëve në Çipan, Bilisht, Tren, etj.

Një herë në vit, ai shkon në Shqipëri, ku rri një muaj. Krahas njerëzve të tij, takon edhe shokët e vet bletarë. -Nuk më vjen mirë kur dëgjoj që ndonjë bletar në Shqipëri, abuzon me mjaltin, duke i hedhur sheqer, etj. Mjalti duhet të shitet ashtu si e bën bleta. Ajo është “fabrika” më e mirë, thotë ai.

Për bletarin Jani Boro, mund të flasësh shumë, pasi ai ka lënë gjurmë në Shqipëri, por po le edhe këtu në Amerikë. Të tillë janë devollinjtë edhe nëpër botë, ndaj siç thotë Dritëro Agolli, ata e meritojnë përmendoren e punës.

shqiptari-biznes-per-mbareshtimin-e-bleteve-ne-amerike-businessmag

/Shkruar nga Fuat Memelli për Illyria