Shqipëria e gatshme për investime » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 26/09/2016

Shqipëria e gatshme për investime

Share
nga Anerola Torollari
Sht 26, 2016
Studied at Faculty of Science, Content Editor Biznesi at Business Magazine
lexo me teper >

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, mori pjesë në “Forumin Mbarëkombëtar Ekonomik të Diasporës Shqiptare” në Nju Jork. 

Në fjalën e saj, ministrja theksoi rëndësinë që marrin investimet në vendlindje të biznesmenëve të suksesshëm shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Amerikë. Qeveria shqiptare, theksoi ministrja, ka ndërmarrë një sërë reformash, të cilat mundësojnë klimën e nevojshme për të investuar në Shqipëri. Ministrja Ekonomi e ilustroi këtë me investimet amerikane që operojnë në Shqipëri, kur tha se “bizneset amerikane që operojnë në Shqipëri janë rreth 167, pra një numër i konsiderueshëm.

Ne kemi investime të huaja direkte 884 milionë euro vitin që kaloi. Nga këto, investimet amerikane zënë 2%. Por, po të shikojmë vitin 2013 të krahasuar me 2015, investimet amerikane janë rritur 2.6 herë, çka tregon se afërsia që ne kemi, duke e vendosur në një këndvështrim tjetër që është më shumë moral dhe politik, ka të bëjë me faktin se shqiptarët dhe diaspora në Amerikë ndihen të afërt. Ndërsa, qeveria amerikane ndihet si një mentor i rëndësishëm për Shqipërinë. Kjo sepse Shqipëria gjithmonë ka besuar që Amerikën e ka në krah, në momentin kur lufton për demokratizimin e jetës së vendit dhe paqen e Ballkanit”, u shpreh Ekonomi.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork,  ministrja Milva Ekonomi, së bashku me ambasadoren e Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber, shkëmbyen ide gjatë takimit me Albanian Professionals and Entrepreneurs Network. U diskutua për situatën aktuale ekonomike, për samitin e diasporës dhe mundësitë ku mund të kontribuojnë sipërmarrësit dhe profesionistët me origjinë shqiptare. Vëmendja u përqendrua tek sektorët strategjikë si turizmi, energjia, transporti, sektori i shërbimeve financiare, bujqësia dhe agropërpunimi. Bashkëbisedimi vijoi edhe për një promovim periodik të Shqipërisë në këtë rrjet, sepse stabiliteti i arritur ekonomik dhe juridik rrit shanset për të tërhequr investitorë të diasporës në Shqipëri.

 

 

/burimi:  Top Channel